E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkatarëve u hiqet akciza e karburantit, reduktohet me 30% kostoja



Qeveria miratoi ditën e djeshme një vendim për të hequr akcizën e karburantit që peshkatarët përdorin për barkat e tyre. Shoqata e Peshkatarëve e kishte kërkuar prej kohësh një vendim të tillë, por vetëm ditën e djeshme u bë e mundur që të miratohej. Qeveria hoqi rreth një vit më parë skemën e rimbursimit të akcizës së karburantit për barkat e peshkimit, duke e cilësuar atë si një skemë të dështuar. Kjo çoi në rezolutën e peshkatarëve, të cilët organizuan për disa ditë resht protesta përpara Kryeministrisë. Fillimisht Ministria e Financave hartoi një skemë, e cila e paguante sasinë e karburantit në raport me peshkun që kapej, por edhe kjo skemë nuk u pranua nga peshkatarët. Ekspertët e Ministrisë së Financave filluan të studiojnë mënyrën e subvencionit që kanë vendet e rajonit dhe u vendos që të përdorej skema e Italisë. Sipas kësaj skeme, karburanti që do të përdoret nga peshkatoret do të jetë pa akcizë, duke reduktuar rreth 30 për qind koston. Aktiviteti i peshkimit konsiderohet si i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Ky sektor shihet me shumë interes për zhvillimin ekonomik. Sipas vëzhgimeve të Ministrisë së Financave, vendi ynë ka një flotë prej 268 peshkatoresh në mbarë portet, duke pasur një numër të punësuarish prej 900 personash, të cilët furnizojnë një industri shërbimi, si restorantet, që kanë në total rreth 15 mijë shqiptarë të punësuar. Qeveria vendosi të aplikojë këtë skemë pasi u konsiderua si më efikasja, më e lehta për t’u aplikuar dhe u konsiderua si skema në të cilën nuk mund të bëhen abuzime. Aktualisht një peshkatore shqiptare ka si kosto karburantin në masën 70 për qind, ndërsa një peshkatore italiane ka një kosto prej 37 përqindësh. Në këto kushte, konkurrenca nuk është në favor të peshkatarëve shqiptarë në kushtet e një tregu të liberalizuar.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›