Nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e vizave me Danimarkën
Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Mbretërinë e Danimarkës. Kryeministri Berisha tha se lehtësimi i regjimit të vizave mbetet prioritet i qeverisë. “Sot ratifikojmë marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Mbretërinë e Danimarkës. Është rasti t’i siguroj edhe një herë shqiptarët se do të bëj çdo përpjekje për të sjellë vendin në një regjim pa viza në Europë”, - u shpreh kryeministri. Aktualisht Shqipëria ka nënshkruar me disa vende të Bashkimit Europian për lehtësimin e vizave. Sipas procedurave të reja, shkurtohet afati dhe kërkesat që kërkohen për dhënien e vizave. Në bazë të marrëveshjes, disa kategori qytetarësh shqiptarë si biznesmenët, familjarët e emigrantëve të legalizuar, gazetarë etj., do ta kenë më të lehtë për të udhëtuar në vendet e Shengenit.
Shqipëria përfiton 26.6 milionë euro nga BE-ja për rritje bashkëpunimi
Shqipëria do të përfitojë një fond prej 26.6 milionë eurosh nga Bashkimi Europian për të rritur kapacitetet e bashkëpunimit mes vendeve. Zëvendësministri i Integrimit, Zef Bushati, u shpreh ditën e djeshme se ky fond është i rëndësishëm kur aktualisht Shqipëria është afër nënshkrimit të vendit kandidat për të hyrë në BE. “Objektivi parësor i Programeve të Bashkëpunimit Rajonal është mbështetja e një zhvillimi të qëndrueshëm në të dy anët e kufijve të jashtëm të BE, por edhe të zbusë diferencat në standardet e jetës në të dy anët e kufirit dhe të adresojë sfidat dhe mundësitë që ofron zgjerimi i mëtejshëm i BE-së. Këto instrumente do të ndihmojnë në dobësimin e vijave ndarëse në Europë dhe do të ndikojnë në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit, në dhe më tej këtyre kufijve. Objektivat e përbashkëta të anëtarësimit në BE e bëjnë të domosdoshme rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, ku shkëmbimi i përvojës, bashkërendimi i politikave të përbashkëta dhe mbështetja e ndërsjellë për realizimin e objektivave tona dhe programeve prioritare drejt integrimit në BE është një proces i rëndësishëm”, - tha Bushati.
15 Maj 2008