E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fierakët lënë trafikun e klandestinëve për drogën, 4 në pranga



GJIROKASTËR – Pas aktivitetit ilegal të trafikut të klandestinëve nga Shqipëria drejt Greqisë, grupe të caktuara që veprojnë në Fier duket se i janë rikthyer trafikut të drogës. Rasti më i fundit është regjistruar dje, ku katër të rinj nga fshati Kuman i rrethit të Fierit janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi tentuan që të trafikojnë një sasi prej 101 kilogramësh marijuanë drejt shtetit fqinj. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje pasdite janë ndaluar shtetasit Klevin Tomorri, Andi Nazëraj, Ervin Saliaj dhe Shkëlzen Lamçe, që të katër nga i njëjti fshat. Sipas tyre, në këtë aktivitet ishte i përfshirë edhe shtetasi Ervin Hoxha, nga e njëjta zonë me katër të ndaluarit, pasi dyshohet se është organizatori i drogës. Në mëngjesin e së hënës policia gjeti në automjetin e braktisur, tip “Nisan”, i cili ishte në pronësinë e 26-vjeçarit Hoxha, disa çanta, brenda të cilave kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, e gatshme për t’u trafikuar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se menjëherë pas bllokimit dhe sekuestrimit të ngarkesës ka filluar puna për identifikimin e trafikantëve. “Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pas shumë kontrollesh të bëra në vijën e kufirit dhe në akset rrugore në zonën Jorgucat, Kakavijë, Vrisera, Koshovic, rreth orës 15:00, në aksin rrugor ‘Vrisera – Llongo’, bëri të mundur kapjen dhe shoqërimin në mjediset e policisë të katër shtetasve”, - tha zëdhënësi Gentian Mullai. Sipas tij, gjatë mëngjesit të djeshëm, grupi i të rinjve kishte planifikuar që të bënte transportimin e sasisë së marijuanës nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek. “Në këtë aktivitet këta shtetas ishin rekrutuar nga shtetasi Ervin Myqerem Hoxha, 26 vjeç, lindur dhe banues në Kuman të rrethit të Fierit, i cili është organizatori kryesor i trafikut të kësaj lënde narkotike”, - thanë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Tashmë po punohet për kapjen e organizatorit të trafikut. Materialet pritet t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Gjirokastrës, pasi të gjithë personat e përfshirë në trafik akuzohen për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Pak javë më parë disa grupe të organizuara, me qendër në Fieri janë ndaluar nga Policia e Gjirokastrës, pasi tentonin të kalonin në mënyrë klandestine drejt Greqisë me dhjetëra shtetas, kundrejt sasive të konsiderueshme të parave. Madje, persona nga Fieri ishin të përfshirë edhe në ngjarjen e Butrintit, ku gjetën vdekjen 5 shtetas në liqenin e Butrintit, në tentativën për të kaluar ilegalisht me barkë drejt Greqisë.

TRAFIKANTËT
Ervin Hoxha, 26 vjeç, lindur dhe banues në Kuman të Fierit – organizatori, i shpallur në kërkim
Klevin Tomorri, 24 vjeç, lindur dhe banues në Kuman të Fierit, - i arrestuar
Andi Nazëraj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Kuman të Fierit, - i arrestuar
Ervin Saliaj, 24 vjeç, lindur dhe banues në Kuman të Fierit, - i arrestuar
Shkëlzen Lamçe, 24 vjeç, lindur dhe banues në Kuman të Fierit, - i arrestuar

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›