E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kalon në “filtër” pesë marrëveshje koncesionare

Hetimi shtrihet në koncesionet e dhëna që nga viti 2001 deri në vitin 2006. Orientimi për hetimin e marrëveshjeve u dha nga Presidenti i Repulikës

Habjon Hasani

Tiranë - Zyra e Antikrimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës ka nisur prej tri javësh hetimin paraprak për të paktën pesë marrëveshje koncesionare në sektorin minerar dhe atë energjetik. Gama e hetimit përfshin periudhën që nga viti 2000 deri në vitin 2006. Lajmi është konfirmuar nga burime brenda këtij organi që kanë pohuar se “deri tani janë mbledhur vetëm dokumentet bazë në cilësinë e provës, ku sipas rastit do të kërkohet dhe thellim i mëtejshëm i hetimeve”. Të njëjtat burime i saktësuan “Albania”-s se orientimi për hetimin e këtyre koncesioneve ka ardhur si një propozim i zyrës së Presidentit të Republikës. Ky i fundit, pasi ka marrë një sërë ankesash dhe peticionesh për koncesionet në miniera dhe në energjetikë, ia ka kaluar materialin zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Më tej, institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme ka angazhuar zyrën e Antikrimit Ekonomik të Tiranës për të ndjekur në themel hetimin.
Koncesionet
Sipas të dhënave të siguruara nga organi i akuzës rezulton se janë duke u hetuar paraprakisht kontratat koncesionare që janë lidhur mes qeverive dhe dy firmave të huaja që në vitin 2000. Njëra është kontrata e lidhur me firmën turke “Ber Oner” për koncesionin e shfrytëzimit të Minierës së Munellës dhe linjës së përpunimit të bakrit dhe nënprodukteve të tij, si dhe kontrata e lidhur me firmën “Darfo”, e cila investoi në rezervat dhe në linjën e përpunimit të kromit në Shqipëri. Përveç këtyre dy firmave, që operojnë prej shtatë vitesh në sektorin e koncesioneve minerare, burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se në vëmendjen e tyre janë dhe tri kontrata koncesionare të lidhura në vitin 2006 dhe që kanë të bëjnë me të drejtën e shfrytëzimit të hapësirave publike nga firmat e huaja për prodhimin e energjisë nga rezervat ujore. Sipas burimeve të prokurorisë bëhet fjalë për tre koncesione që i janë dhënë tri firmave të ndryshme megjithëse burimet saktësojnë se hetimet paraprake për këto tre koncesione janë në një nivel më pak të thelluar në krahasim me dy firmat që kanë operuar në koncesionet minerare.
Hetimet
Ndërsa kanë konfirmuar nisjen e hetimeve paraprake për pesë marrëveshje të rëndësishme koncesioni, burime pranë organit të akuzës nuk kanë harruar të theksojnë se etapat e analizimit të tyre janë tejet delikate për vetë faktin se procesi i analizimit kërkon investigim dhe ekspertim jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në disa aspekte thelbësisht profesionale që lidhen me karakteristikat e sektorit. Të njëjtat burime kanë shpjeguar se në këtë fazë të hetimit janë vërejtur disa shkelje apo “tolerime” si nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore (për mbikëqyrjen e koncesionit), ashtu dhe nga firmat operuese që në kushtet e neglizhencës dhe moskontrollit shtetëror kanë anashkaluar disa pika themelore të kontratave koncesionare, duke rritur interesin e tyre në dëm të interesit publik. Aktualisht, Prokuroria ka tërhequr disa dokumente që lidhen me këto koncesione pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërsa të dhënat po ekspertohen dhe po krahasohen. Prokuroria gjithashtu ka konsultuar disa inxhinierë që kanë njohje mbi sektorin gjatë ekspertimit paraprak të të dhënave. Faza e dytë do të jetë marrja në pyetje e zyrtarëve që kanë luajtur rol në dhënien dhe kontrollin e këtyre koncesioneve, nga ku më pas do të evidentohet dhe një dëm i saktë financiar që është shkaktuar nga moszbatimi rigoroz i termave të kontratave.

Koncesioni i kromit, abuzimet e dyshuara të firmës që u largua në 2007-n

Firma “Darfo” mori dy koncesione në industrinë e nxjerrjes së kromit, sipas dy kontratave të veçanta, të miratuara nga qeveria dhe parlamenti. Të parën e mori në vitin 2000, për minierat e kromit të Përrenjasit, Katjelit, Pogradecit dhe për Uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan. Të dytën e mori në vitin 2001, për Minierën e Bulqizës dhe Uzinën e Ferro-Kromit në Burrel. Në kontratën e parë, sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare, firma “Darfo” për 5 vitet e para do të paguante energjinë elektrike me çmimin 3,6 lekë për kilovat/orë. Firma “Darfo” investoi në Uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan sipas kontratës së parë të koncesionit, por meqë nga minierat e zonës Përrenjas e Pogradec nuk mund ta furnizonte Elbasanin as me gjysmën e kapacitetit, si dhe meqë nuk investoi për zhvillimin e tyre (veçanërisht në Minierën e Katjelit), bëri kontratën e dytë koncesionare në Bulqizë, pa u shqetësuar për çmimin e kuotës ligjore të energjisë elektrike, me të cilën do të punonte ndërsa shpesh herë në media është denoncuar çmimi real i energjisë që kjo firmë paguante. Nga denoncimet publike akuzohej se ky çmim ishte veçse një “grimcë” për llogaritë e saj financiare. Dyshohet se për 5 vjet kjo firmë, duke mos u detyruar nga asnjë institucion zyrtar e ligjor, madje nën përkujdesjen e tyre të heshtur, pa hedhur asnjë lek investim, shfrytëzoi rezervat minerare që ishin gjendje, të hapura e të përgatitura. Në vitin 2007, Ministria e Ekonomisë e lejoi këtë firmë që përpara se të largohej të shiste koncesionin, duke marrë afro 10 milionë euro nga një firmë blerëse ruso-austriake.

Rezervat kombëtare të bakrit, skandali u denoncua në media

Abuzimi me rezervat kombëtare të bakrit është publikuar edhe në gazetën “Albania” pak muaj më parë, kur gazeta informoi se këto rezerva kombëtare janë lënë në mëshirën e fatit dhe se kompania turke “Ber Oner” po vepronte “sipas qejfit” të saj dhe në kundërshtim të plotë me ligjet dhe marrëveshjen koncesionare të lidhur me shtetin shqiptar në vitin 2001. Është pikërisht kjo marrëveshje që ka përcaktuar qartazi detyrat e kësaj firme. Por në ndryshim me atë që është shkruar në marrëveshje, gazeta “Albania” ka informuar se këto rezerva të çmuara kombëtare janë lënë tërësisht jashtë kontrollit dhe dëmet që i janë shkaktuar shtetit shqiptar mund të jenë në qindra milionë euro. Nga ana e saj, Ministria e Ekonomisë duket se e ka toleruar të gjithë këtë maskaradë duke mos ndërhyrë për të siguruar zbatimin e marrëveshjes koncesionare, por edhe të ligjit minerar. Në thelb, marrëveshja koncesionare me firmën “Ber Oner” parashikonte dhënien e dhjetë objekteve me koncesion kësaj firme për një periudhë 30-vjeçare. Pasi ka fituar marrjen me koncesion të këtyre 10 objekteve, firma turke është përqendruar vetëm në minierën e pasur të Munellës dhe ka kryer disa investime modeste në rehabilitimin e Fabrikës së Pasurimit në Fushë-Arrës. Sipas informacioneve të marra nga ekspertë, investimi i deklaruar deri tani i kompanisë nuk i kalon 8 milionë dollarët, ndërkohë që shtatë objekte të tjera janë lënë në "harrese" nga firma, duke shkaktuar një thyerje flagrante të termave të kontratës.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›