Viktima e Moravës, dyshime për pazare të prishura në trafiqe
BERAT – Hetimet e para rreth vdekjes së mistershme të Erion Shukës, në fshatin Moravë, kanë rrëzuar pistën e grabitjes dhe kanë ngritur dy pista të tjera: grindje e çastit dhe konflikt për trafik droge ose qeniesh njerëzore. Burimet policore bëjnë të ditur se gjatë 36 orëve të fundit janë shoqëruar rreth 20 persona, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë për autorin e krimit. Gjatë kontrollit, viktimës i janë gjetur me vete 5 euro dhe 2 mijë lekë të vjetra shqiptare, çka hedh poshtë edhe pistën e vrasjes për grabitje. Banorët e fshatit Moravë, të pyetur nga policia, treguan se në orët e vona të natës së të premtes kanë dëgjuar një zhurmë makine, e cila ka qëndruar në periferi të lagjes ku banojnë. Ndërsa për shkak të qetësisë absolute që mbizotëron në orët e vona në rrugët e këtij fshati, dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar zërin e një njeriu që kërkonte ndihmë me sa fuqi që kishte. Fjala “ndihmë!” është dëgjuar vetëm dy herë dhe u pasua me disa klithma me zë të dobët. Dy krisma janë dëgjuar më pas, ndërsa policia thotë se vrasja ka ndodhur pasi mbi viktimën është ushtruar një dhunë barbare, madje duke e zhveshur nga petkat e tij. Familja e Shukës ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorit. Familjarët mohojnë që djali i tyre të ketë pasur konflikte me dikë, duke e cilësuar si “njeri të urtë dhe punëtor, që shikonte punën e vet”. Mësohet se Erioni kishte qëndruar në Greqi për 14 muaj, por më pas është kthyer nga autoritetet e huaja pasi ishte pa dokumente. Kthimi i tij të enjten është pasuar me daljen për të pirë një kafe me tre shokë të tij rreth orës 17:00. Që prej asaj ore, ai është zhdukur deri kur është gjetur të shtunën paradite i vdekur në fshatin Moravë të Rrethit të Beratit.
9 Dhjetor 2008