Fieri, KQZ refuzon vullnetin e votuesve në 9 kuti votimi
E vetmja procedurë që i mbetet PS-së, është që ta ankimojë vendimin në KQZ
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tabelën përfundimtare për rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Fierit, pa marrë në konsideratë vullnetin e votuesve për nëntë kuti votimi, të cilat, për shkak të problematikës që shkaktuan komisionerët e djathtë në katër komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve, kanë mbetur ende pa u numëruar.
Të kapur fort pas procedurave që, sipas tyre, parashikohen në Kodin Zgjedhor, përfaqësuesit e djathtë në KQZ kanë insistuar se ndodhen përballë një fakti të kryer tashmë nga KZAZ-të përkatëse, të cilat kanë miratuar tabelat e rezultateve.
Sipas tyre dhe përfaqësuesve ligjorë të Partisë Demokratike në komision, në këtë situatë, referuar edhe Kodit Zgjedhor, i cili nuk i jep kompetencë KQZ-së që të ndërhyjë në rezultate, kësaj të fundit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të miratojë tabelat e rezultateve për 4 KZAZ-të, edhe pse për disa qendra votimi nuk janë numëruar ende votat.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila referuar edhe legjislacionit zgjedhor, ka qenë pro leximit të rezultatit brenda kutive, u shpreh se ato duhet të hapen, pasi nga dokumentacioni rezulton se janë pranuar si të rregullta, ndërsa, sipas saj, janë anëtarët e KZAZ-ve, të cilët në shkelje të ligjit, nuk kanë pasqyruar rezultatin në tabelat përmbledhëse. Më tej, ajo shtoi se në bazë të ligjit, një KZAZ ka të drejtën që të mos përshijë në tabelat përfundimtare rezultatet e nxjerra nga kutia që janë cilësuar që në fillim si të parregullta.
Nga ana e tij, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i ka quajtur të drejta pretendimet e përfaqësuesve të PS-së, ndërsa janë procedurat e përcaktuara në legjislacionin zgjedhor ato që, sipas tij, nuk lejojnë hapjen e kutive gjatë miratimit të tabelave të rezultateve të ardhura nga KZAZ-të.
"KZAZ-ja ka vepruar gabim, por kjo mund të zgjidhet në mënyrë procedurale",- tha ai, duke shtuar se kjo çështje mund të rishqyrtohet pasi Partia Socialiste të ankimojë vendimin në fjalë.
Pra, e vetmja procedurë për të hapur kutitë, është duke zbatuar nenin 123 të Kodit Zgjedhor, që do të thotë se ankimohen vendimet e KZAZ-ve, së bashku me tabelën përfundimtare të qarkut, pastaj KQZ-ja vendos të hapë kutitë.
Si për të balancuar edhe kërkesën e PS-së për numërim të votave në këto nëntë kuti, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KQZ treguan një rast tjetër që, sipas tyre, duhet shqyrtuar, por që më parë do të prisnin miratimin e rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas tyre, bëhet fjalë për 420 fletë votimi në fshatin Ruzhdije të Fierit, të cilat megjithëse janë cilësuar si të pavlefshme nga Grupi i Numërimit të Votave, nuk janë pasqyruar fare në tabelën e rezultateve përpiluar nga KZAZ-ja përkatëse.
Përballë këtij vendimi, Partisë Socialiste nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të ankimojë këtë vendim, duke kërkuar rivlerësim të rezultatit të zgjedhjeve në Qarkun e Fierit. Në situatën aktuale, duke marrë në konsideratë rezultatet e secilit subjekt politik për Fierin, Partisë Socialiste i mjaftojnë vetëm 37 vota për të siguruar deputetin e 9-të në këtë qark.