E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor, Berisha-Rama përplasen në Kushtetuese

Bashkia e cilëson antiligjore. Kuvendi nuk i përgjigjet kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për sjelljen e dokumentacionit të kërkuar


TIRANË - Gjykata Kushtetuese i hap rrugën shqyrtimit të kërkesës së Bashkisë së Tiranës, për antiligjshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës.


Kjo e fundit nuk pajtohet me vendimin e Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor, funksioni i të cilit dublonte kompetencat e institucioneve të tjera.


Përfaqësuesja ligjore e Bashkisë së Tiranës, Natasha Kondi, kërkoi dje në Gjykatën Kushtetuese, shfuqizimin e komisionit hetimor, pasi funksionimi i tij është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane të Autonomisë së Pushtetit Vendor.


"Ky komision hetimor ndërhyn në kompetencat ligjore institucionale, pavarësinë dhe ecurinë e punës së KRRTRSH-së, ndaj kërkojmë pushimin e tij", - tha Kondi.


Ajo shtoi se, "miratimi i një plani rregullues ose urbanistik, procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit dhe dhënia e lejeve të ndërtimit janë e drejtë ekskluzive e pushtetit vendor, por e kontrolluar nga institucionet që përcakton ligji".


Sipas saj, institucioni i Bashkisë i ishte nënshtruar një kontrolli apo hetimi administrativ nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe nuk kishte asnjë kuptim ligjor një kontroll i dyfishtë, aq më tepër që edhe në kontrollin e mëparshëm, grupi hetimor i Kuvendit nuk doli në një përfundim konkret.


"Madje, Bashkia nuk e di qëllimin e vërtetë të këtij kontrolli, pasi nuk ka marrë ndonjë përgjigje apo vërejtje pas hetimit të kryer",- u shpreh Kondi në seancën dëgjimore.


Përfaqësuesja ligjore e Bashkisë ka sqaruar se Bashkia e Tiranës ka qenë shpesh objekt i kontrolleve të pajustifikueshme nga grupet hetimore, por ky kontroll është tërësisht politik dhe jo i bazuar juridikisht.


Gjatë argumentimit, ajo shtoi se në prefekturën e Tiranës është dërguar informacioni për çdo leje të dhënë nga KRRTRSH-ja, dhe se nga prefektura nuk ka pasur ankesa. Që prej ngritjes së këtij komisioni hetimor, Bashkia e Tiranës e ankimoi këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.


Ngritja e komisionit, sipas Bashkisë së Tiranës, vjen në kundërshtim të plotë me ligjin për "Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", i cili përcakton se këto komisione nuk mund të ngrihen katër muaj para mbarimit të afatit të mandatit të Parlamentit.


Nisur nga fakti se ky komision u miratua vetëm 2 muaj nga dita e zgjedhjeve, atëherë Bashkia e Tiranës e konsideroi një argument të mjaftueshëm për të qenë në kundërshtim me Kushtetutën.


Po kështu, vetë Gjykata Kushtetuese ka ndaluar hetimet parlamentare për pushtetin lokal. Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese (nr.18/2003; apo vendimi nr.26/2006), duket qartazi se Parlamenti i Shqipërisë nuk mund të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal.


Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Kuvendit, Lulëzim Lelçaj, i kërkoi dje Gjykatës Kushtetuese që të marrë parasysh ligjin që përcakton dispozitat dhe detyrimet, që kanë institucionet vendore, bashkitë dhe komunat, që të japin informacion për këdo, që kërkon transparencë, përfshi këtu edhe qytetarët e thjeshtë.


Por ai nuk përmendi arsyet e këtij auditimi të mbështetur vetëm në raportin e dhënies së lejeve të ndërtimit disa firmave të caktuara dhe për një periudhë të caktuar kohore.


Për këtë arsye, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese, i tërhoqi vëmendje përfaqësuesit ligjor të Kuvendit se, institucioni që ai përfaqëson, nuk është korrekt me detyrimet që ka, pasi Kuvendi nuk ka sjellë pranë Gjykatës dokumentacionin apo informacionin e kërkuar prej organit ekzekutiv. Pas dëgjimit të pretendimeve të dy palëve, seanca u shty deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.


Më 15 maj, mazhoranca miratoi raportin e komisionit hetimor mbi ngritjen e komisionit hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Raporti u miratua vetëm me votat e mazhorancës

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›