E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Martesa Meta-Berisha po vjedh mandatin e 9-të

Gramoz Ruçi deklaroi dje se Berisha duhet të mbajë përgjegjësi për mosnjohjen e zgjedhjeve


TIRANË - "Kryeministri Sali Berisha do të mbajë përgjegjësinë e mosnjohjes së zgjedhjeve". Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje se populli po zhgënjehet nga mosmbyllja e procesit zgjedhor dhe degjenerimi i tij në një skemë të tërë vjedhjeje të votimeve të shqiptarëve.


Duke iu referuar Qarkut të Fierit dhe vendimit më të fundit që mori KQZ-ja, Ruçi theksoi se, vullneti i Kryeministrit Berisha për të vjedhur zgjedhjet, po del mbi ligjin dhe mbi çdo institucion kushtetues, që administron zgjedhjet.


"Vullneti i Sali Berishës dhe Ilir Metës për të mos bërë transparente çdo votë, po del mbi vullnetin e ligjit dhe detyrimit të çdo institucioni kushtetues, që administron zgjedhjet, për të treguar në dritë të diellit çdo votë",- tha dje Ruçi.


Kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së, e cilësoi një krim kushtetues qëndrimin e KQZ-së për të mos numëruar kutitë e votimit të Qarkut Fier. Kjo lëvizje, sipas kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, është prova e qartë se, "martesa Meta-Berisha synon me çdo çmim të vjedhë mandatin e 9-të të Partisë Socialiste në Fier".


"Interesi jetik i kësaj martese është të ndalojë transparencën mbi votat e shqiptarëve në Shkodër, Tiranë, Fier dhe Berat. Ky standard i ri kriminal i cenimit të votës së shqiptarëve po i bën zgjedhjet e 28 qershorit të papranueshme dhe rezultatin e tyre të pamundur për t'u njohur si legjitim.


Në emër të Partisë Socialiste, ne duam t'i bëjmë apelin e fundit Sali Berishës të heqë dorë përfundimisht nga cenimi i votës së shqiptarëve, duke nisur nga vota e qytetarëve të Fierit, në të kundërt, do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e deligjitimimit të zgjedhjeve, mosnjohjes së rezultatit të tyre dhe deligjitimimit të gjithë institucioneve të dala prej tyre. Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë në institucionet kushtetuese, por përballë dhunës së Berishës mbi votën, jemi gati të mbrojmë çdo votë dhe kudo tjetër",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›