E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama, takim me kandidatët socialistë: Do mbrojmë votën

Socialistet do të ndjekin rrugët ligjore, për të mos lejuar PD-në që të dërgojë në Kuvend deputetë me vota të vjedhura


TIRANË - Ka përfunduar pa asnjë deklaratë zyrtare takimi i djeshëm, që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi me 140 kandidatët për deputetë të PS-së në rrethe, si dhe me krerët e bashkive në vend, që qeverisen nga socialistët.


Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërkohë që pas mbledhjes nuk pati qëndrim zyrtar. Por, burime nga ky takim deklaruan dje për gazetën se gjatë takimit është zhvilluar një analizë e hollësishme e situatës paszgjedhore në vend.


Duke u informuar gjerësisht mbi të dhënat, që serviri Gramoz Ruçi për Qarkun e Fierit, kandidatët për deputetë kanë vendosur që të ashpërsojnë qëndrimin e tyre për mbrojtjen e votës. Socialistët thanë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, për të mos lejuar Partinë Demokratike që të dërgojë në Kuvend deputetë me vota të vjedhura.


Gjatë takimit të zhvilluar, është përforcuar akoma më shumë vendimi i kryesisë së PS-së dy ditë më parë, për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, si rezultat i hapave që KQZ-ja po ndjek pikërisht në Qarkun e Fierit, duke i hequr PS-së mandatin e 9-të të fituar në këtë qark.


Për sa kohë që kutitë nuk janë numëruar, PS-ja nuk tërhiqet nga vendimi i saj për të mos i njohur zgjedhjet. Socialistët janë shprehur të vendosur se nuk do të lejojnë manipulim të rezultatit dhe se nuk do të pajtohen me asnjë përpjekje për të ndryshuar këtë rezultat në dëm të Partisë Socialiste.


Dy ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, i bëri apel Kryeministrit Sali Berisha, që të heqë dorë nga mandati i fundit në Qarkun e Fierit, pasi në të kundërt, ai dhe forca politike, që ai drejton, nuk do të njohë rezultatin e tyre.


"Nuk do të lejojmë grabitjen e mandatit të 9-të në Fier. Maskarada e KQZ-së duhet të marrë fund, ashtu sikundër Sali Berisha, i cili e orkestron këtë maskaradë, duhet të heqë dorë nga ideja se mund të grabisë mandatin e 9-të të PS-së në Fier, nëse nuk do që PS-ja të mos i njohë zgjedhjet.


Është e patolerueshme dhe ne do ta bëjmë të pamundur që kjo palo qeveri në formim e sipër, ende pa u bërë qeveri, ta nisë me një grabitje të kësaj përmase", - u shpreh Rama, dy ditë më parë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›