E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: PD na sulmoi, duam ministri

Kryesia e PR-së fajëson lidershipin e lartë të PD-së për rezultatin e dobët të saj në zgjedhjet e qershorit


TIRANË- Partia Republikane rrezikon të mos përfaqësohet në nivel ministri gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës. Për këtë arsye, kryesia e PR-së ka dalë me një vendim, ku i kujton Partisë Demokratike se, republikanët kanë qenë faktor në fitoren e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Por, pavarësisht pretendimeve, PR-ja do të përfaqësohet vetëm me një deputet në Kuvendin e ri.


Këtë rezultat të dobët, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ua ka faturuar drejtuesve të lartë të PD-së, përveç Kryeministrit Berisha. "Aleatja jonë kryesore ka qenë dhe mbetet Partia Demokratike, por që të mbetemi të tillë në marrëdhënie dhe qëllime të përbashkëta në interes të vendit, mendoj se ka shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet reciproke.


Me përjashtim të zotit Berisha, ishin të paprecedenta dhe të turpshme thirrjet publike të drejtuesve të PD-së, drejtuar elektoratit për të mos votuar Partinë Republikane apo thirrjet se vota për PR-në është votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Kjo jo vetëm ishte një gënjeshtër e madhe, por dhe mosrespektim i marrëveshjes, e cila kishte përcaktuar qartë detyrimet e secilës palë.


Ky dëm që iu bë Partisë Republikane dhe aleatëve të tjerë të koalicionit, ishte sa i dëmshëm për to, edhe për vetë rezultatin e koalicionit",- tha dje Mediu në një konferencë për shtyp. Madje, Mediu, duke cituar vendimin e kryesisë së PR-së, ka deklaruar se kjo parti i ka dhënë Partisë Demokratike fitoren e rreth 4 deputetëve në qarqe të ndryshme.


"Partia Republikane do të vazhdojë betejën e saj ligjore për të rimarrë edhe mandatin e Qarkut të Beratit si detyrim karshi votuesve të këtij qyteti. Ky Kod ka nevojë për ndryshime, dhe ne do jemi pjesë e kërkesës dhe punës për ndryshimin e tij, për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe përfaqësim të drejtë të vullnetit të popullit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë",- tha Mediu.


Ai ka lënë të kuptohet qartë se PR-ja duhet të përfaqësohet në nivel ministror, për shkak të kontributit saj. "Partia Republikane do të jetë pjesë në qeverisjen e ardhme, sipas kontributeve që ajo ka dhënë në "Aleancën për Ndryshim", duke ju bashkuar zhvillimit të mëtejshëm të reformave dhe proceseve integruese të vendit",- tha ai

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›