E Shtunë, 31 Tetor 2026

MB: Aplikoni për kartat, shteti do t'i njohë

Sipas Ministrisë së Brendshme, letërnjoftimi elektronik do të jetë i vetmi dokument identifikimi që do të njihet


TIRANË - Ministria e Brendshme sqaron opinionin publik se letërnjoftimi i ri elektronik, do të jetë i vetmi dokument identifikimi që do të njihet nga institucionet publike dhe private. Kjo është bërë e ditur dje nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ku thuhet se çdo qytetar do të përfitojë shërbimet dhe do të realizojë marrëdhëniet e çdo shtetasi me institucionet që kërkojnë një dokument identifikimi.


Ministria u bëri thirrje qytetarëve që nuk kanë aplikuar për kartën e identitetit, që të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile për të aplikuar për këtë dokument.


"Pas përfundimit të procesit të pajisjes me letërnjoftimin elektronik të qytetarëve që nuk dispononin një pasaportë, një proces ky në funksion të zgjedhjeve parlamentare, Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që nuk kanë aplikuar deri më tani për letërnjoftimin elektronik, të paraqiten pranë zyrave të aplikimit, për t'u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike", - thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme për rifillimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.


Por, apeli i Ministrisë, që drejtoi dhe menaxhoi procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftim elektronik para zgjedhjeve parlamentare, është dhe për aplikimet për pasaportë biometrike.


Ministria e Brendshme e shikon të lidhur ngushtë me liberalizimin e vizave, pajisjen e qytetarëve edhe me pasaporta biometrike. Sipas këtij dikasteri, disponimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave, si dhe nga ky proces do të përfitojnë vetëm ata qytetarë që kanë duart e tyre pasaportën biometrike.


Qeveria kishte premtuar që në fillim të procesit të pajisjes me dokumentet elektronike se do të njihen, si dokumente bazë identifikimi nga institucionet, por në fakt, akoma në disa zyra të administratës kërkohet certifikata.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›