E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Beqja: Ja parregullsitë e Qarkut Shkodër

Kandidati i PS-së për Qarkun e Shkodrës, ka bërë publike disa raste ku vota e PS-së është vjedhur


TIRANË - Kandidati për deputet i Qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja, ka denoncuar dje disa nga parregullsitë e procesit zgjedhor të konstatuar në këtë qark. Përmes një konference për shtyp, duke iu referuar disa parregullsive në Qarkun e Shkodrës, Beqja ka deklaruar se procesi zgjedhor jashtë standardeve ka ndryshuar rrënjësisht vullnetin e shqiptarëve.


"Në ZAZ-në numër 40, 6 qendra votimi u vendosën në mjedise private, të cilat në të gjitha rastet kanë qenë në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, duke ushtruar kësisoj presion të hapur ndaj votuesve.


Vendndodhja e qendrës së votimit 276 është ndryshuar një ditë përpara datës 28 qershor, duke bërë që shumë votues të Partisë Socialiste të mos dinë ku duhet votuar.


Në qendrat e votimit nr. 240, 293, 299, 303 janë me dhjetëra zgjedhësit për të cilët nuk është shënuar numri i letërnjoftimit apo numri i pasaportës për jashtë shtetit, por vetëm shënimi me kartë apo me pasaportë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor",- tha Beqja.


Ai shtoi se në qendrën e votimit 247, të gjitha fletët e votimit duhet të shpallen të pavlefshme, pasi është parë botërisht që përmasa e tyre ka qenë më e vogël se përmasa ligjore e miratuar. "Fletët janë prerë me mjet të fortë mekanik, çka lë vend të mendohet se ato nuk kanë qenë fletët zyrtare të prodhuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.


Në qendrën e votimit 285 janë 97 fletë votimi, të cilave nuk u është hequr kundërfleta. Në qendrën e votimit 313, janë 25 fletë votimi të vulosura me bojë tjetër. Në qendrat e votimit 317 dhe 319, janë përdorur vula me dy ngjyra të ndryshme.


Në ZAZ-në 42, rezultatet e shpallura pas numërimit të disa qendrave të votimit janë larg çdo rezultati të mëparshëm dhe certifikojnë manipulimet e bëra nga qeveria e Sali Berishës.


Në qendrën e votimit 186, rezultati për Partinë Socialiste shënon 0 vota. Në qendrën e votimit 187, Partia Socialiste ka marrë sërish 0 vota. Në qendrën e votimit 190, për Partinë Socialiste janë 4 vota, nga 120 të vlefshme.


Ndërkohë, në qendrën e votimit 191, Partia Socialiste ka fituar vetëm 2 vota",- tha ai. Beqja ka sjellë argumente edhe për një tjetër KZAZ, ajo me numër 44. "Në qendrën e votimit 038, për Partinë Socialiste janë 0 vota, nga 415 të vlefshme. Në qendrën e votimit 046, Partisë Socialiste i është numëruar vetëm 1 votë",- shtoi ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›