Fieri, PS merr zyrtarisht mandatin e nëntë
Numërohen të gjitha kutitë e Fierit, diferenca mes dy koalicioneve, 20.521 vota. Deputeti i fundit do të jetë Pirro Lutaj
TIRANË- Përfundon telenovela e zgjedhjeve në Fier dhe mandati i fundit i takon Partisë Socialiste dhe deputeti që do të jetë legjislaturën tjetër në Kuvend është Pirro Lutaj. Janë dashur dy javë votime, sherre, bllokime, protesta, përdorim dhune dhe kontestime deri sa KQZ të numërojë vetë tetë kutitë e fundit të qarkut të dytë në Shqipëri.
Numërimi i tyre vendosi përfundimisht raportin e deputetëve në këtë qark, 9 PS, 6 PD dhe 1 LSI. Duke përfshirë edhe tetë kutitë e fundit, numri i votave që ka marrë Partia Socialiste në Fier është 91.760 ndërsa ai që ka marrë Partia Demokratike është 71.239. Sipas formulës zgjedhore, në mandatin e fundit PS është 19 vota më shumë se PD. Ky fakt është pohuar dje nga përfaqësuesit e PS-së në KQZ por edhe nga anëtarët e këtij institucioni.
Maratona e Fierit përfundoi mbrëmë rreth orës 22.00, sërish mes debatesh të shumta. Hapja e kutive të para i dha partisë socialiste një diferencë të ndjeshme votash por që mund të përmbysej nga kutia më problematike e të gjitha qarkut të Fierit, ajo që ndodhej në komunën Ruzhdie.
Në kutinë e votimit të kësaj komune ndodheshin 420 fletë votimi, problemi i të cilave ishte se kishin vetëm nga një vulë ndërsa Kodi Zgjedhor kërkon që të kenë dy. Ditën e votimit, përfaqësuesit e PS-së ishin larguar nga qendra duke marrë me vete edhe vulën sepse aty kishte hyrë një person me pistoletë që bënte presion.
Sipas PS-së, këto fletë votimi duhen konsideruar si të pavlefshme pasi kodi kërkon që të kenë dy vula. "Për më tepër ato janë mbushur të gjitha nga një dorë. Kjo ka ndikuar në rezultatin që është 385 vota më shumë për PD",- thanë përfaqësuesit socialistë.
Por sipas PD, socialistët janë larguar nga qendra e votimit për arsyen e vetme se donin të bllokonin procesin në Ruzhdie sepse ajo njihej si zonë demokrate. Në 210 fletë votimi të kësaj qendre, përveç vulës, ndodhej edhe firma e përfaqësuesit të PSD-së. Në përfundim KQZ vendosi që t'i quajë këto vota të vlefshme me arsyetimin se nuk donte që të krijonte precedentë bllokues.
Një tjetër qendër votimi problematike ishte ajo me numrin 3006, fletët e së cilës janë kontestuar nga PD. Përfaqësuesit demokratë në KQZ kanë pretenduar se 210 fletët që ndodheshin në të duhet të cilësohen si të pavlefshme pasi janë të dëmtuara.
Në këto fletë ka një rezultat të qartë në favor të PS-së por ato janë grisur keq nga blloku duke u dëmtuar tek cepat. Pas një debati të shkurtër mes palëve, KQZ hodhi në votim vlefshmërinë e fletëve të votimit dhe rezultati ishte 4-3 në favor të tyre.
PD për 475 = 69,784
QV 3185 = 78
QV 3188 = 93
QV 3006 = 187
QV 3017 = 125
QV 3027 = 106
QV 3116 = 109
QV 3052 = 475
QV 3122 = 95
QV 3197 = 51
QV 2919 = 136
PS për 475 = 89,581
QV 3185 = 200
QV 3188 = 326
QV 3006 = 313
QV 3017 = 134
QV 3027 = 252
QV 3116 = 318
QV 3052 = 33
QV 3122 = 129
QV 3197 = 113
QV 2919 = 361
PD 1455, në total 71239, herësi për të shtatin 10177
PS 2179, në total 91760, herësi për të nëntin 10196