E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fieri, maxhoranca në KQZ kundër numërimit të votave

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot për qarkun e Fierit, ku pritet shpallja e rezultateve aktuale pa nëntë kutitë e mbetura pezull. Çështja që cilësohet si “thembra e Akilit” për këto zgjedhje, ajo e mandatit të nëntë për PS-në, apo të shtatë për PD-në, i ka kushtuar jo pak kohë KQZ-së në mbledhjen e djeshme ku anëtarët e majtë kërkojnë mos shpalljen e rezultatit të këtij qarku, pa numëruar më parë 9 kutitë e lëna pezull. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, i kërkoi kryekomisionerit Arben Ristani që të marrë në konsideratë kërkesën e socialistëve për t’i numëruar sa më parë, pasi duhet të dalë një rezultat i plotë. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga ana e nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi. “Procesi i numërimit në katër KZAZ-të u ndërpre, pasi KQZ-ja mori vendim ta ndërpresë atë për të numëruar kutitë në Tiranë. Me një vendimmarrje 4 me 3, ku unë nuk kam qenë dakord në Fier, u ndërpre procesi i numërimit të votave. Derisa është ndërprerë me një urdhër tonë dhe tabelat përmbledhëse të rezultatit nuk mund të dalin pa numëruar kutitë për të 4 KZAZ. Vendimmarrja e KQZ ishte komprometuese për procesin e Fierit”, deklaroi Subashi. Ndërsa këtyre qëndrimeve iu është kundërvënë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka qenë kundër idesë për hapjen e ideve së kutive duke hedhur poshtë pretendimin se mund të veprohet si në rastin analog me 6 kutitë e Fushë-Kuqes së qarkut të Lezhës, pasi nuk kanë një ngjashmëri. “KQZ do të marrë vendim për të hapur apo jo kutitë, vetëm pasi ka ankimime nga subjektet politike. KZAZ e qarkut të Fierit kanë miratuar tabelën me vendim dhe duke qenë kështu e vetmja procedurë për të hapur kutitë, është duke zbatuar nenin 123 të Kodit Zgjedhor, që do të thotë hartohet tabela e qarkut dhe ankimohen vendimet e KZAZ-ve së bashku me tabelën përfundimtare të qarkut, pastaj KQZ vendos të hapë kutitë”, theksoi Ristani. Edhe anëtarja Vera Shtjefni, në lidhje me këtë debat theksoi se “të katër KZAZ në Fier kanë tabelat e rezultateve dhe vendimet në tabelat e tyre. Tashmë e vetmja detyrë është nxjerrja e tabelave në shkallë qarku”. Anëtari tjetër, Pandeli Varfi, në diskutimin e tij ka krahasuar këtë debat me kutitë e votimit me barcaletën me lopën, ku fshatarit i merret bagëtia. Kjo ka sjellë edhe ndërhyrjen e anëtarit të KQZ-së, Klement Zguri, i cili ka cilësuar si të pavend një krahasim të tillë. “Ju nuk duhet të mbani një qëndrim të tillë, në një kohë kur dikur ishit të pavarur, tani janë njerëz politik”, tha Zguri. Ndërsa batuta e kryekomisionerit Ristani se “janë të pavarur nga poshtë”, ka shkaktuar reagimin e Varfit. “Je shumë i pasjellshëm, kujdes kur drejton mbledhjen, nuk jeni në rregull me sjelljen”, reagoi Varfi. Kryekomisioneri është kapur me përfaqësuesin e PS-së, Genc Gjonçaj, duke i kërkuar të mos flasë pa leje. “Ju lutem mos fol pa leje, duhet ta dini se sjellja e zbukuron njeriun, je aq i rritur sa ta kuptosh”, i është drejtuar Ristani. Ndërsa ai i është kundërpërgjigjur se “kreu i KQZ-së ta harrojë se mund t’ja ndalojë fjalën”. KQZ-ja vendosi që sot paradite të merret vendimi për qarkun e Fierit, duke bërë që anëtarët e djathtë të mos e pranojnë kërkesën e PS për numërimin e kutive të votimit.
Berati, Durrësi dhe Dibra
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje rezultatet e votave për tre qarqet Durrës, Dibër dhe Berat. Për qarkun e Durrësit, 6 anëtarët votuan pro. Ndërsa për qarqet e Beratit dhe Dibrës anëtarët e majtë në KQZ votuan kundër, duke bërë vendimet të kalojnë vetëm me katër vota pro. Përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj kërkoi numërimin e plotë të kutive të votimit në tre qarqet pasi u mungonte rezultati i 3 QV-ve. “Nuk mund të operohet në këtë mënyrë, nuk ka përfunduar ende procesi i numërimit të votave në disa QV. KQZ-ja nuk mund të vulosë në këtë mënyrë parregullsitë e kontestuara në Qarkun e Beratit. Kemi një qendër votimi të marrë në mënyrë të rregullt nga KZAZ 3, por nuk është numëruar. Propozoj që të numërohet dhe pastaj të realizohet rezultati i tyre”, tha Subashi. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Oerd Bylykbashi tha se “të jenë të matur në cilësimin e zgjedhjeve nga ana e përfaqësuesve të PS-së”. Ndërsa anëtari Hysen Osmanaj shtoi se “nuk mund të mbahet një qëndrim i tillë, pasi procesi ka shkuar mjaft mirë”. Deri tani KQZ-ja ka shpallur rezultatet e 6 qarqeve, nga 12 që janë në të gjithë Shqipërinë.

Vendimet e KQZ-së

Qarku i Durrësit u votua me 6 votat e anëtarëve
“Aleanca e Ndryshimit”         68.518 vota
“Bashkimi për Ndryshim         52.038 vota
 “Aleanca Socialiste për Integrim”     10.643
“Poli i Liri”             1.122 vota
“Ligj e Drejtësi”             348 vota

Qarku i Beratit u votua me 4 vota pro  dhe 2 kundër
“Aleanca e Ndryshimit”         27.005 vota
“Bashkimi për Ndryshim”         44.561 vota
 “Aleanca Socialiste për Integrim”     9.259 vota
“Poli i Lirisë”             552 vota
“Ligj e Drejtësi”             159 vota

Qarku i Dibrës u votua 4 vota pro dhe 3 kundër
“Alenca e Ndryshimit”         40.259 vota
“Bashkimi për Ndryshim”         22.587 vota
 “Aleanca Socialiste për Integrim”     3.989 vota
“Poli i Lirisë”             2.851 vota
“Ligj dhe Drejtësi”          69 vota

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›