Ivanaj: ”Po marrim masa për blerjen e vaksinës kundër gripit të derrit”
Ministria e Shëndetësisë po merr masat për t’i paraprirë përhapjes së gripit të derrit. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, sqaroi se ka disa doza stok të Tamiflusë dhe po punohet për të mundësuar blerjen e vaksinës së në një kohë të shkurtër. Ivanaj, theksoi se ky është një virus i ri dhe është e vështirë të përcaktosh se cilat janë kategoritë më të prekura, apo çështje të tjera lidhur me parandalimin. Aktualisht nuk raportohet asnjë rast i prekur nga virusi i tipit H1N1, A në vendin tonë. Por, sapo vaksina të dalë në treg, është parashikuar të blihen 50 mijë copët e para, por nuk dihet ende se cila pjesë e popullatës do të vaksinohet e para. Shqipëria, tashmë është e rrethuar nga virusi më i përhapur në të gjithë botën. Ministria e Shëndetësisë ka caktuar fondin rezervë dhe ka siguruar dozat e duhura të medikamenteve, duke siguruar 3 mijë doza “Tamiflu” dhe është rezervë një shumë prej 100 milionë lekësh. Sapo vaksina të dalë në treg, është parashikuar të blihen 50 mijë copët e para. Ndërsa në poliklinikat e lagjeve, fluksi i të prekurve nga gripi i zakonshëm, kryesisht fëmijë, është 16 në ditë. Sipas të dhënave, në vend numërohen 5 mijë të prekur në javë nga gripi i zakonshëm. Sipas mjekëve, kjo është një shifër tipike për periudhën ku ndodhemi e që pritet të 3-fishohet në stinën e vjeshtës. Kjo është edhe periudha më e mundshme për përhapjen e gripit të derrave në vende si yni. Megjithatë, jo më pak i rrezikshëm duket edhe muaji gusht, me ardhjen e emigranteve nga shtetet fqinje. Fluksi i madh i emigrantëve gjatë muajve të verës vë në rrezik popullsinë nga përhapja e virusit të gripit të derrit. Megjithëse, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur masat e marra në kufi, situata pandemike që mbizotëron në të gjithë botën bëhet edhe më e rrezikshme për vendin tonë. Pak ditë më parë Ministria Greke e Shëndetësisë verifikoi rastin e një 16- vjeçari shqiptar që ishte i prekur nga virusi A, H1N1. Ky rast, vërteton edhe njëherë rrezikun që kanoset në vendin tonë. Vendi ynë është i rrezikuar nga përhapja e virusit, pasi vendet fqinje janë të prekura nga ky virus. Për më tepër që lëvizjet sezonale të turistëve mund të bëhen shkak për një përhapje të mundshme të virusit, i cili mund të importohet nga vendet e tjera.
7 Korrik 2009