Poliklinikat, vizitat që mund të kryhen në poliklinika
Një pjesë e sëmundjeve mund të kurohen edhe në poliklinika, por kur gjendja e pacientit është e rënduar, atëherë duhet të drejtohet në spitalet e nivelit terciar, ku mund të kryejë shërbime të kualifikuara. Poliklinikat kanë rolin e kryerjes së vizitave dhe janë specialistët që punojnë në to që të drejtojnë në spitalet kryesore. Në këtë mënyrë mund të shmanget fluksi i madh që mbizotëron në spitalet e mëdha, ku vizita e parë bëhet në poliklinikën e lagjes. Në poliklinika mund të kryhet një vizitë për dhimbjet e zemrës, stomakut, kokës, syve, veshëve etj, por për të marrë një shërbim të specializuar, vizitat duhet të kryhen me aparatura të posaçme dhe mjekë të specializuar. Kohët e fundit, poliklinikat janë pajisur me pajisje të reja, me të cilat do të plotësohen shërbimet shëndetësore që mungonin.
Qendrat janë pajisur me sterilizator, ku në të gjitha mjekimet që mund të bëjnë pacientët, të jetë e siguruar higjiena. Ndërsa, vaksinat që kryejnë fëmijët e vegjël, do të mbahen në frigoriferë të rinj portable me qëllim ruajtjen e tyre Brenda kushteve të përcaktuara. Shërbimi i Kardiologjisë është me një aparaturë të posaçme që vëzhgon funksionimin e zemrës. Po kështu, pjesa tjetër e kësaj vizite do të kryhet në laboratorë. Të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranes (mjekët specialistë) janë pajisur me EKG për diagnostikimin e të sëmurëve kardiologjik brenda qendrës. Gjithashtu laboratorët janë pajisur me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të kryer një numër më të gjerë analizash për pacientët. Qendrat shëndetësore të Tiranës kanë tashmë një set të ri prej 28 pajisjesh bazë dhe së shpejti do të përmbyllet procesi në të gjithë vendin. Këto pajisje do të ndihmojnë mjekët e familjes si edhe specialistet në Tiranë që të ofrojnë në mënyrë sa me cilësore te gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve sistemin parësor.
7 Korrik 2009