E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fierza 290.2 m, KESH hap portat



Nertila Maho

Maqedonia ka hapur portat e Drinit, çka ka bërë që prurjet e ujit të jenë 1000m3/s në Fierzë. Niveli i liqenit ka shkuar në 290.2 metra në shumë pak kohë, duke vënë në alarm KESH-in dhe në këtë kuadër Sekretariati Teknik ka vendosur fillimin e shkarkimeve ditën e djeshme në dy hidrocentrale, Koman dhe në Vaun e Dejës. Aktualisht nga Komani po shkarkohen 350 m/s ujë kurse nga Vau i Dejës 500 m3/s. Në Fierzë nuk po shkarkohet nga porta përveçse nga puna e turbinave. KESH ka bërë të ditur se aktualisht po prodhon me kapacitete të plota duke shënuar një prodhim prej 26 milion kwh në ditë, ndërkohë që kjo bën që të jenë në punë të gjitha turbinat dhe shkarkime bëhen edhe përmes tyre. Situata e krijuar ka ardhur në mënyrë të menjëhershme, si rezultat i hapjes së portave të Drinit nga ana e Maqedonisë, e cila prej ditësh ka vënë alarmin lidhur me fryrjen e tejskajshme të Liqenit të Ohrit. Vetëm tre ditë më parë, mediat Maqedonase lajmëronin për një tejkalim të nivelit të liqenit me 12 centimetra. Kushtet e vështira të motit me shi, të cilat po vazhdojnë prej ditësh duket se kanë detyruar shtetin fqinj të hapë portat për shkarkimin e liqenit, çka ka sjellë një prurje maksimale në liqenin e Fierzës e cila detyrimisht ka rritur edhe nivelin. Vetëm pak ditë më parë në një përmbledhje të situatës hidrike në vend, Drejtori i KESH Muharrem Stojku dha shifrën 287 metra për Fierzën e cila aktualisht ka kaluar nivelin 290 metra, shifër që tregon shpejtësinë me të cilën është rritur niveli. Situata në liqenet e hidrocentraleve të tjerë në kaskadën e Drinit janë përkatësisht Komani 172 metra dhe Vau i Dejës 74.9 metra. Përsa i përket prurjeve, ato paraqiten të larta në liqenin e Fierzës ndërsa në Koman janë në kuotën e 780 m3/s dhe Vaun e Dejës në rreth 150m3/s. Situata edhe pse nuk paraqitet emergjente, duket se ka vënë në lëvizje gjithë strukturat. Vetëm një muaj më parë, Shkodra dhe disa zona të Lezhës u përfshinë nga përmbytjet masive. Për më shumë se dy javë nga KESH u bënë shkarkime të mëdha nga gjithë liqenet e kaskadës së Drinit, deri më 15 janar, datë që shënoi edhe mbylljen e portave të fundit që ishin hapur në Vaun e Dejës. Aktualisht nga Korporata bëhet e ditur se nuk ka lindur nevoja e shkarkimeve nga Fierza por nëse prurjet që shumica vijnë nga Ohri do të jenë të larta, atëherë do të vijohet me shkarkime sipas Rregullores sikundër po bëhet edhe aktualisht. Sipas dokumentit rregullator që zbatohet për kaskadën e Drinit kuotat maksimale të liqeneve janë përkatësisht për Fierzën 295 metra për Komanin 175 metra dhe për Vaun e Dejës 76 metra. Rregullorja sanksionon marrjen e masave për moskalim të këtyre niveleve, duke bërë shkarkime. Të tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit kanë porta shkarkimi. Fierza ka portën 3 dhe 4, Komani gjithashtu ka dy porta shkarkimi, një me numër 3 dhe një me numër 4, kurse Vau i Dejës i ka disa porta tre në Qysaq dy në Zadejë.

Situata dje (ora 21:00)

Fierza

Prurjet 1000 m3/s
Niveli i liqenit 290.2 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet - m3/s
Turbinat në punë 4

Komani

Prurjet 780 m3/s(anësore)
Niveli i liqenit 172 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhjet 350 m3/s
Turbina në punë 4

Vau i Dejës

Prurjet 150 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 74.9 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet 500 m3/s
Turbina në punë 5

Prodhimi 26 milion kwh

Situata e rënduar nga përmbytjet
Ohri, 13 centimetra mbi nivelin e lejuar plot 694

Mediat maqedonase por edhe agjencitë rajonale, si Fokus News, kanë bërë të ditur dje se Maqedonia ka filluar shkarkimet në Liqenin e Ohrit përmes hapjes së portave të Drinit. Situata e rënduar e Liqenit, i cili ka arritur 13 centimetra mbi nivelin e lejuar sezonal, ka shkaktuar panik në shtetin fqinj çka ka sjellë edhe fillimin e shkarkimeve. Niveli i Ohrit, sipas agjencisë Fokus, u rrit dje me një centimetër nga 693,88 cm që ishte. Situata është vështirësuar si rezultat i shkatërrimeve në plazh apo në bordura, që ka sjellë fryrja e liqenit dhe bllokimi i disa kanaleve shkarkuese. Edhe pse shkarkimet kanë filluar me kuota të ulëta, duket se ato nuk po ndihmojnë aspak në uljen e nivelit të liqenit. Në vitit 1963, Ohri arriti në kuotën 701 metër çka shkaktoi edhe një përmbytje masive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›