E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhamat e zinj, rrugorët bllokojnë 15 makina luksoze

 

TIRANE- Në një kohë kur drejtuesit e automjeteve në kryeqytet kishin nisur të harronin aksionet e mëparshme të Policisë Rrugore për rripat e sigurimit, tashmë rrugorët jo vetëm që u janë rikthyer me aksione të tilla, por kanë zgjedhuar spektrin e masave ndëshkuese. Të gjitha makinat që qarkullojnë me xhama të errët, apo me perde që ndalojnë transparencën e tyre në kryeqytet do të "spastrohen". Kjo është nisma më e fundit që ka marrë Policia Rrugore, duke mos toleruar as makinat luksoze. Burime nga policia bënë të ditur se vetëm në 24 orë janë bllokuar dhe kanë kaluar në komision 60 automjete, nga këto 15 janë makina luksoze. Të njëjtat burime nuk bëjnë të ditur një shifër konkrete për automjetet që janë bllokuar vetëm për xhama të errët, por theksojnë se gjatë aksionit janë bllokuar edhe automjete që nuk e kanë pasur dokumentacionin përkatës, kanë shkelur rregullat e qarkullimit etj. Nuk bëhet e ditur se për sa kohë do të vazhdojë ky aksion i Rrugores, por një gjë është e sigurt, që asnjë drejtues automjeti që nuk zbaton rregullat e Kodit Rrugor nuk do t'i shpëtojë ndëshkimit nga gjoba, heqja e patentës e deri te sekuestrimi i makinës që drejton. Burimet bënë të ditur se në ditët në vazhdim pritet që 60 makinat e bllokuara do të dalin në komisionin e vlerësimit. Ndërkohë që aksioni do të vazhdojë edhe sot, madje do të vijojë në një afat të papërcaktuar.                                                                    e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›