Fierza rritet me 80 cm, shkarkime nga Vau i Dejës
Nertila Maho
Fierza nuk do të hapet derisa Komisioni ta gjykojë të nevojshme. Kjo ka qenë deklarata e kreut të KESH, Muharrem Stojku. Sipas tij, Komisioni i Posaçëm po bën çdo ditë mbledhjet rutinë të monitorimit të situatës dhe ka gjykuar edhe dje që nuk është e nevojshme të hapet porta e shkarkimit e hidrocentralit më të madh të kaskadës së Drinit. Duke ju referuar shifrave, dje KESH ka njoftuar për një rënie të nivelit të prurjeve në hidrocentrale, çka reflekton një lehtësim të situatës, e cila për asnjë moment nuk është cilësuar si e rrezikshme. “Aktualisht po prodhojmë maksimalisht, ndërkohë që po shkarkojmë në Koman, Vaun e Dejës. Situata duket e qetë dhe është nën kontroll”, tha Stojku. Në pasqyrën e të dhënave që KESH ka publikuar dje, rezulton se liqeni i Fierzës është në kuotën 291.88, me prurje rreth 800 m3/s. Liqeni i Komanit ka shënuar një nivel prej 171.66 metra, me prurje 320 m3/s dhe me shkarkime në kuotën 450 m3/s. Edhe Vau i Dejës dje ka shënuar një nivel prej 74.64, me prurje anësore në shifrën 100 m3/s kurse shkarkimet kanë qenë në vlerën 650 m3/s. Po kështu, sipas KESH, shkarkime janë bërë edhe nga Ulzës-Shkopeti ku niveli i liqenit ka qenë 128.18 nga 128.80 që është niveli maksimal i lejuar. Shkarkimet kanë qenë në kuotën e 200 m3/s. Nga ana e autoriteteve monitoruese konfirmohet se tendenca e situatës së prurjeve ka ardhur duke rënë, çka forcon më shumë bindjen që nuk do jetë nevoja për hapjen e Fierzës, por nga ana tjetër nëse lind ndonjë nevojë do të jetë Komisioni i Posaçëm ai që do ta vendosë. Prurjet të cilat fillimisht erdhën në masën 1400 m3/s, patën si burim veç shkrirjes së borës dhe shiut edhe hapjen e portave të Drinit në Zi në Maqedoni për të shkarkuar Ohrin. Në shtetin fqinj, sipas agjencisë Fokus News, bëhet e ditur se situata është më e qetë si rezultat i përmirësimit të motit, por niveli i liqenit krahasuar me dy ditë më parë është rritur sërish me 2 centimetra. Gjithsesi nga ana e palës shqiptare nuk ekziston ndonjë shqetësim, përsa i përket shkarkimeve që mund të bëhen nga Ohri sepse Maqedonia bën shkarkime të limituara për të mos ngarkuar edhe dy hidrocentralet e saj.
Situata dje (ora 20:00)
Fierza
Prurjet 800 m3/s
Niveli i liqenit 291.88 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhje porta 0 m3/s
Turbinat në punë 4
Komani
Prurjet 320 m3/s
Niveli i liqenit 171.66 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 450 m3/s
Turbinat në punë 4
Vau i Dejës
Prurjet 100 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 74.64 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhje porta 650 m3/s
Turbinat në punë 5
Prodhimi 26 milion kwh
Eksporti 10 milion kwh
Ujërat vërshojnë në të gjithë vendin, ja zonat problematike
TIRANE - Reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë përmbytje dhe vështirësi në disa zona të vendit. Situata paraqitet problematike jo vetëm në ultësirën e Shkodrës, por edhe në rrethe të tjerë të vendit. Në disa zona, reshjet kanë sjellë përmbytje të banesave e tokave, ndërsa në disa të tjera, rrëshqitje masive të dherave. "Për shkak të reshjeve që kanë qenë në nivele të larta, 156 milimetër në Shkodër, 94 në Lezhë dhe 103 në Korçë dhe shkrirjes masive të dëborës gjatë javës së kaluar, nga ngritja e temperaturave deri në 23 gradë celsius, pati një rritje të konsiderueshme të prurjeve të përrenjve dhe lumenjve në të gjithë pellgjet ujëmbledhëse të vendit", thuhej në deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë. Por edhe kushtet meteorologjike në det e kanë rënduar situatën, duke penguar derdhjen e lumenjve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Kështu, në Lezhë prurjet e Matit pësuan rritje, si rezultat i shkarkimeve të hidrocentralit të Shkopetit dhe prurjeve të tjera anësore. Vështirësia e shkarkimit të ujërave të lumit Mat në grykëderdhjen e tij për rrjedhojë dhe të baticës dhe dallgëzimit të lartë, bëri që të rritet shumë shpejt niveli i ujit në kënetën e Tales, duke u përsëritur në këtë mënyrë i njëjti fenomen si në përmbytjen në fillim të janarit 2010. Ndërsa në Mat, janë krijuar situata që cenojnë sigurinë e digave. Në Korçë lumi Devoll është mbi nivelet kritike, në afërsi të fshatit Sheqeras, ndërsa fusha e Maliqit ndodhet nën ujë. Në fushën e Maliqit, janë përmbytur nga rënia e reshjeve të shiut dhe të dëborës që shkrinë shumë shpejt afro 2500 hektarë tokë. Prefekti Mano tha se do të kërkojë çeljen e një fondi shtesë për të kulluar në një kohë sa më të shkurtër tokat e përmbytura në fushën e Maliqit, ndërkohë që nuk ka të dhëna për të dëmshpërblyer fermerët të cilët pretendojnë se u ka shkuar dëm i gjithë prodhimi. Ditët e fundit janë evidentuar probleme në disa zona të vendit në digat e rezervuarëve: Kurjan në Fier, Paskuqan në Tiranë, Ballaban dhe Kajcë në Përmet, Prishtë në Skrapar, Memaj në Durrës, etj. Probleme janë evidentuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Devoll (në zonën e Kuçovës). Probleme janë evidentuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Devoll (në zonën e Kuçovës) duke gërryer toka bujqësore dhe rrezikuar stacionin e ujit të pijshëm të fshatit Kozarë, pranë digës së Vlashukut.
gjendja
Zonat e rrezikuara
Komunat Dajç, Ana e Malit dhe Velipojë në Shkodër
Komuna Tale në Lezhë
Komuna Lis dhe Klos në Mat
Fshati Sheqeras dhe fusha e Maliqit në Korçë
Rezervuaret
Kurjan në Fier
Paskuqan në Tiranë
Ballaban dhe Kajcë në Përmet
Prishtë në Skrapar
Memaj në Durrës
Gramsh, Devolli del mbi rrugë
Reshjet e shumta të shiut kanë bllokuar prej rreth 48 orësh edhe aksin Cërrik-Gramsh. Prurjet e shumta për shkak të shirave kanë bërë që lumi Devoll të fryhet e të dalë mbi rrugë, duke e bërë segmentin të pakalueshëm për mjetet. Ndërkohë, si pasojë e bllokimit të rrugës me dhjetëra fshatra kanë mbetur të bllokuar. Banorët janë detyruar të përdorin rrugën e vjetër për të lëvizur. Drejtoria e Rrugëve është duke punuar për pastrimin e këtij aksi dhe kthimin e tij në gjendjen e mëparshme. Mësohet se mësuesit e zonës, ditën e djeshme janë detyruar të ecin në këmbë për të shkuar në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare. Problemi pritet të zgjidhet sot, pasi intensiteti i punës është i lartë. Sipas specialistëve, nëse do të vijojnë reshjet, ky segment rrezikohet të shembet, pasi prurjet e shumta e kanë gërryer atë. Rruga nacionale Elbasan-Gramsh, në vendin e quajtur ish-hidrocentrali i Bajsë, është e bllokuar nga reshjet e shumta të shiut dhe lëvizja e mjeteve bëhet nga rruga e Llixhës. a.k
Përmbytjet, banorët gati për evakuim
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Përkeqësohet gjendja në zonën e Nënshkodrës. Prurjet e mëdha nga dy hidrocentralet të Komanit dhe Vau i Dejës kanë bërë që të rrethohen nga uji banesa në fshatin Obot, Komuna Ana e Malit, tokë bujqësore dhe biznese. Që nga dita e djeshme është bllokuar dhe komunikimi me të vetmen rrugë tokësore që lidh banorët e Obotit me aksin Shkodër-Muriqan. Niveli i ujit në këtë aks rrugor i ka kaluar 50 cm, duke bërë që banorët të mos qarkullojnë me mjete të ulëta, por vetëm me kamionë, furgonë apo me karroca. Banorët e kësaj zone kanë qenë të detyruar që gjatë 24 orëve të fundit të evakuojnë bagëtitë e tyre në drejtim të zonave të tjera, tek të afërmit të tyre në zonën e Oblikës dhe të Muriqanit. Ndërsa uji po u afrohet shtëpive, banorët presin me ankth sesi do të jetë ecuria e nivelit të tij, duke u përgatitur që në momentin më të parë të largohen nëse rrezikohen. Vëmendjen maksimale ata e kanë përqendruar gjatë orëve të natës, për të mos u zënë në befasi, siç ka ndodhur më parë. Probleme janë shfaqur edhe në fshatin Ashtë, Komuna Bushat. Këtu, 10 banesa me rreth 50 banorë vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga erozioni që po shkaktohet nga rrjedha e fortë e lumit Drin. Kështu vetëm gjatë së dielës e orët e para të së hënës, uji ka arritur të depërtojë deri në 12 metra larg shtëpive. Për të shmangur ndonjë situatë të padëshiruar, prej 2 ditësh forcat xheniere të ushtrisë po punojnë duke hedhur materiale inerte për të ndryshuar rrjedhën e lumit, në mënyrë që të mos rrezikohet shembja e shtëpive në afërsi të bregut të lumit. Përveç ushtrisë, në mbështetje të zonave të rrezikuara janë vënë edhe forcat e policisë dhe struktura të tjera të sigurisë në vend, të cilat po bashkërendojnë punën për përballimin me sukses të situatës së krijuar nga shtimi i prurjeve të ujërave. Rritje kanë pësuar edhe nivelet e lumenjve Drin dhe Bunë, ndërkohë që shkarkimet në hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës janë mbi 1300 metër kub në sekondë, një shifër kërcënuese kjo dhe çka tregon se rreziku është serioz. Ministria e Bujqësisë bëri dje të ditur, se si pasojë e shkarkimeve, niveli i lumit Buna ka arritur në kuotën rreth 6.12 metër në Dajç. "Ka filluar shkarkimi i Bunës edhe nga kanali i Shirgjit, i cili shkarkon në Vilun. Jemi në një situatë kritike, ku nëse niveli në Shirgj do të arrijë në kuotën 6.4 metër, atëherë fillon dhe përmbytja e tokave në Dajç". Në këtë komunë, problematike është argjinatura në fshatin Darragjat sepse ujërat që rrjedhin nëpër të kanë krijuar kanale që mund ta shpërthejnë atë. Për pasojë, mund të rrezikojnë seriozisht depërtimin e ujërave në këtë fshat. Gjithashtu, në fshatrat Luarzë dhe ças të komunës Velipojë, niveli i ujit ka pësuar rritje dhe e kalon lartësinë 1 metër. Nga ana e tyre, kryetarët e komunave që mund të preken nga përmbytjet janë njoftuar se shkarkimet do të vazhdojnë, nisur dhe nga situata meteorologjike, e cila parashikon vazhdimin e reshjeve në ditët e ardhshme.
Banori i Obotit: U shkatërruam, jetojmë me bujqësi e blegtori
Paulin Pecaj, një nga banorët e fshatit Obot, thotë se ende nuk e kanë marrë veten nga përmbytja e janarit. "Menduam se gjendja u stabilizua, por uji na vërshoi sërish", tregon Pecaj.
Cila është gjendja më e fundit në fshatin Obot?
Ka që të shtunën, në orët e para të mëngjesit, kur niveli i ujit pësoi një rritje me rreth 1 m në krahasim me ditët e mëparshme. Sapo kishim filluar ta merrnim veten nga ajo çfarë kaluam në muajin janar, kur uji sërish vërshoi në fshatin tonë. Ne në fakt në një farë mase ishim përgatitur se uji mund të na vijë, por me stabilizimin e gjendjes për rreth një muaj, sikur e fjetëm pak mendjen. Por këto ditë mjaftuan që ne të mos i bëjmë qefin vetes, se uji mund të largohet deri nga fundi i marsit. Siç e keni parë, rruga kryesore që lidh fshatin Obot me rrugën Shkodër-Muriqan ka një nivel uji që i kalon të 50 cm, duke e bërë të vështirë qarkullimin nga Oboti në zonat e tjera.
Mendoni se masat e marra janë efikase?
Për të qenë i sinqertë, nisur edhe nga ajo çfarë ne përjetuam në janar, them se qeveria në krahasim me vitet e tjera ishte më e organizuar dhe më afër banorëve, sidomos në drejtim të evakuimeve apo të dërgimit të ndihmave ushqimore. Por përsëri kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi probleme ne si zonë. Kemi mungesa të theksuara të bazës ushqimore për bagëtitë. Zona e Obotit dhe e disa fshatrave këtu pranë jetojnë me bujqësi dhe blegtori. E gjithë toka ku kemi mbjellë kultura bujqësore dhe ushqim për blegtorinë, që prej muajit dhjetor vazhdon të jetë nën ujë. Ato pak ndihma që na kanë ardhur për bagëtitë kanë qenë sa për një javë. Por ditët e tjera me se do t'i ushqejmë ne ato të shkreta? Me bagëtitë ne mbajmë familjet tona, ushqehemi dhe shesim qumështin, duke fituar ndonjë lek për të plotësuar nevojat e tjera që ka familja. Por kemi 2 muaj që ne mezi po e shtyjmë. Kështu si po shkojnë punët ka mundësi që deri në maj të mos kemi mundësi të sigurojmë bazë ushqimore për bagëtitë.
Po në lidhje me grupin e vlerësimit të dëmeve në zonën tuaj?
Nuk dua të ngutem dhe të nxjerr konkluzione të parakohshme për nivelin e kompensimit të dëmeve, pa më ardhur një faturë e saktë në dorë, ndaj nuk mund të them se është e mjaftueshme apo ia kanë futur kot. Unë për veten time kam pasur dëme të mëdha, kryesisht në prodhime bujqësore pasi kam një serë pranë shtëpisë. Ndërsa brenda nuk arriti të hynte, pasi e kam ndërtuar lart. Me parashikimin tim them se niveli i dëmit është rreth 300 mijë lekë, por të shohim kur të vijë fatura dhe të shikojmë se ku jemi me dëmshpërblimet. r.d