E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE me Ramën në selinë e PS: Hyni në Parlament



Aristir Lumezi

Përfaqësuesit e lartë të KiE-së u kërkuan dje socialistëve të hyjnë në Parlament dhe aty të bëjnë investigimin e zgjedhjeve. Takimi pothuaj dy orësh i përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në selinë e PS-së vetëm sa njohu palët me pozicionin e tyre, por nuk arriti të jepte ndonjë shpresë për zgjidhjen e krizës. Evropianët ishin të qartë në rekomandimet e tyre, duke thënë shkoqur se socialistët duhet të hetojnë zgjedhjet, por më parë duhet të kthehen në Kuvend. Edhe pse nuk kanë marrë asnjë premtim nga socialistët për hyrjen në Kuvend, por dhe për lëshime që palët duhet të bëjnë për gjetjen e një zgjidhje, përfaqësuesit e lartë të KiE-së mësohet të kenë thënë se kemi propozime konkrete për t'i dhënë fund krizës politike në vend.
Takimi
Delegacioni i përbërë nga 10 komisionerë të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlüt çavusoglu mbërriti në selinë rozë në orën 15:15 të pasdites së djeshme, ashtu siç ishte planifikuar ditë më parë në axhendën e tij, në përpjekje për të dëgjuar faktorët politikë që do të çojnë në dhënien fund të krizës. Edhe kryetari socialist, Edi Rama, e kishte plotësuar formacionin e tij me tetë deputetë të PS-së, të cilët ishin përballë delegacionit të Këshillit të Evropës. Rama kishte në krah, bashkëpunëtorin e tij në negociatat e fundit në Presidencë, kryetarin e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, sekretaren për marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, sekretarin organizativ në PS, Blendi Klosi, kryetaren në detyrë të grupit socialist, Valentina Leskaj dhe deputetët Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj.
Takimi u zhvillua në sallën ku zhvillon mbledhjet kryesia e PS-së, por në sfond shquhej qartë një poster gjigand, ku tregoheshin pamje nga protesta e 20 nëntorit 2009 të opozitës në Tiranë. Në këtë takim përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vinin pas takimeve që kishin zhvilluar më parë me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Parlamentit Topalli. Në takim, çavusoglu dhe raporterët që e shoqëronin, kanë kërkuar të dëgjojnë pretendimet e socialistëve në lidhje krizën dhe rrugët që çojnë në zgjidhjen e saj. Gjatë gjithë takimit, prej dy orësh ka qenë vetëm kryesocialisti Rama, i cili ka bërë të gjithë ekspozenë e qëndrimit të socialistëve ndaj rezultatit të zgjedhjeve, që është formësuar që prej 28 qershorit 2009. Rama ka argumentuar shkeljen që i është bërë Kodit zgjedhor, në lidhje me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ për hapjen e kutive. Gjithashtu ai ka argumentuar qëndrimin radikal të PS dhe kërkesën e patjetërsueshme të saj për hapjen e kutive dhe bazuar në raportin përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit nga OSBE-ODIHR se numërimi i votave është bërë keq dhe shumë keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Por mbi të gjitha Rama ka argumentuar se si Kushtetuta, ashtu dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk pengojnë hetimin e zgjedhjeve dhe pikën kyçe, aty ku ndahet opozita nga maxhoranca, hapjen e kutive të votimit për numërimin e votave dhe jo rivlerësimin e tyre. Burime nga takimi pohuan dje se Rama në ekspozenë që i ka bërë qëndrimit të opozitës përballë Parlamentit dhe maxhorancës, ka paralajmëruar për protesta, duke mbështetur idenë se ky është qëndrim që vjen dhe nga populli opozitar.

Takimi, në sfond protesta e 20 nëntorit
Takimi i djeshëm në selinë rozë u zhvillua nën një simbolikë që përfaqësonte krejtësisht qëndrimin radikal të PS, përballë zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre. Në një nga faqet e dukshme të murit të sallës së kryesisë, një poster gjigand kishte të fiksuar pamje nga protesta e 20 nëntorit 2009, ku e gjithë opozita me mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria kërkonin të shihnin votën e tyre. "Ku është vota ime", Dua të shoh votën time", ishin sloganet e dukshme në këtë poster të madh. që përbënte sfondin dominues të sallës dhe klimës nën të cilën po zhvillohej ky takim. "Një herë ne e kemi mbushur bulevardin, nëse kërkesa jonë nuk plotësohet, opozita do të zbresë në rrugë", ishte mesazhi që PS jepte në pamje të parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›