Fierza, sërish në rrezik
Niveli i Fierzës vijon të mbetet në shifra shqetësuese. Nga të dhënat më të fundit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, mësohet se uji shënon nivelin 293.97 metra, pra mbi nivelin kritik të sigurisë së digës, ndërsa është më pak se 3 metra nga pika maksimale e lejuar. Ndërkohë, prurjet ne Fierzë janë aktualisht 500 metra kub për sekondë. Kurse në hidrocentralin e Komanit, ku prurjet shkojnë në 130 metra kub në sekondë, niveli i ujit ka arritur në 171,74 metra, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 176 metra. Ndërkaq, në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës niveli i ujit ka arritur në 75,07 metra. Por ndryshe nga sa është vërejtur në momente të tjera kur uji ka shënuar një nivel më të ulët se sa ai i tanishmi, Ministria e Energjetikës njofton se nuk po bëhen derdhje nga asnjë prej HEC-eve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, prodhimi i energjisë ka arritur në 28,1 milionë kilovat/orë. KESH-i eksporton dhe shet 14.4 milionë kilovat/orë energji, ndërsa konsumi është 22,9 milionë kilovat/orë energji.
#