E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i Albpetrol, rrëzohen ofertat e 6 firmave

Anulimi i tenderit “përplas” METE-n me Avokatin e Prokurimeve

Pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, përmes këshillit mbikëqyrës të kompanisë, hodhi hipotezën e kalimit të “Albpetrol”-it te privati, përmes koncesionit, duke ndryshuar planin e mëparshëm të privatizimit. Duket se tenderi i anuluar nga Agjencia e Burimeve Natyrore ndikoi në ndryshimin e skenarëve. Gazeta “Shqip” mëson përmes një dokumenti zyrtar të Avokatit të Prokurimeve, se në tenderin e datës 11 shkurt 2010 kishin marrë pjesë gjashtë kompani, që interesoheshin të kryenin shërbimin e konsulencës për privatizimin e “Albpetrol”-it, kundrejt shumës 300 mijë dollarë. Por asnjëra nga firmat nuk rezulton me ofertë të rregullt, duke e detyruar agjencinë të anulonte tenderin. çështja në fjalë tërheq vëmendjen e Avokatit të Prokurimeve, i cili është në varësi të Kryeministrit, duke i kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të japë shpjegime rreth anulimit të 6 ofertave. Privatizimi ose dhënia me koncesion e “Albpetrol”-it është kthyer në sfidën e vitit për qeverinë shqiptare, si i vetmi aset strategjik i mbetur pa u shitur. Ndërkaq, ministria jep garancinë se procesi do të mbyllet me sukses brenda vitit, pasi interesimi për kompaninë është i madh.

Shkaqet dhe mangësitë

Tenderi për të përzgjedhur konsulentin e huaj për privatizimin e “Albetrol” është ndjekur edhe nga Avokati i Prokurimeve, sipas të cilit janë kërkuar informacione shtesë rreth shkaqeve që çuan në dështimin e procedurave. Sipas informacionit të dërguar nga autoriteti kontraktor (Agjencia e Burimeve Natyrore), rezulton se në procedurën e prokurimit shprehën interesin gjashtë operatorë ekonomikë, duke dërguar dokumentacionin përkatës në mënyrë elektronike. “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shqyrtuar dokumentacionin e konkurrentëve dhe ka konkluduar se asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ka plotësuar kriteret kualifikuese të dokumenteve të tenderit, prandaj në kushtet e mungesës së konkurrencës, ka marrë vendimin për anulimin e procedurës së prokurimit”, shpjegon Ministria e Tregtisë dhe Energjetikës. Më tej, ministria deklaron se midis mangësive të tjera “është konsideruar mospërmbushje e kritereve kualifikuese fakti që shoqëritë e huaja kanë paraqitur dokumente pa vulën apostile”, ndërkohë që sipas Avokatit të Prokurimeve “një gjë e tillë nuk është e cilësuar si kërkesë në dokumentet e tenderit”. Gjithashtu është konsideruar mospërmbushje e kritereve kualifikuese fakti se disa dokumente nuk ishin origjinale apo fotokopje të noteruara. Por edhe këtë pikë AvP e kundërshton, me sqarimin se “në formatin elektronik dokumentet mund të jenë skanuar pa ngjyra apo shpesh herë nuk dallohet qartë noterimi, prandaj autoriteti kontraktor duhet të kërkojë sqarime nga ofertuesit përpara se t’i refuzojë ofertat”. Duke u bazuar nga çfarë kishte ndodhur në tender, institucioni i Avokatit të Prokurimeve i rekomandon Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, “të analizojë me përgjegjësi shkaqet e anulimit të tenderit, me qëllim që në rihapjen e procedurës së prokurimit dokumentet e tenderit të hartohen me kritere të qarta kualifikuese, duke sqaruar posaçërisht mënyrën e noterimit dhe të vendosjes së vulave apostile në dokumentet e konkurrentëve të huaj, për të siguruar pjesëmarrje të gjerë të ofertuesve të specializuar në fushën e konsulencës për privatizimet”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›