Shtëpia e të Moshuarve, drejt rrënimit total
Shtëpia e të Moshuarve në Fier tashmë nuk është më një qendër sociale. Jo vetëm të moshuarit që kalojnë vitet e fundit të jetës së tyre në këtë azil, por edhe drejtuesit e tij shprehen se është e domosdoshme një ndërhyrje në godinë. Të moshuarit thonë se në korridoret dhe dhomat e azilit gjatë kohës me reshje shiu tavani pikon dhe e bën të papërballueshme situatën që krijon. “Lagështira po na vdes para kohe. Na pikon tavani në shtratin ku duhet të rrimë. Kur bie shi, tavani pikon edhe në dhomë, edhe në korridor”, thotë Zeneli, që ka tre vjet që jeton në këtë shtëpi.
“Urojmë diellin. Jo vetëm për nga i ftohti, por të paktën shiu nuk do të na njomë rrobat dhe shtresat e krevatit. Ja kështu kemi vite që jetojmë”, shprehet Venedikja, një tjetër azilante. Nga drejtuesit e këtij institucioni, mësojmë se prej vitesh nuk është ndërhyrë me ndonjë investim për godinën. “Deri tani janë përballuar shërbimet më të domosdoshme që përkojnë me ushqimin dhe lavanterinë”, shprehet drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve Fier, Vasilika Mëngjezi. Ndërkohë që në Departamentin e Financës së Bashkisë Fier pohohet se fondi i akorduar për azilin gjatë këtij viti ka qenë 15 milionë lekë (të vjetra). Ky fond, që konsiderohet më i vogël se vitet e shkuara, është ndarë në disa zëra dhe nuk premton për ndonjë investim, qoftë ky edhe i vogël. “Shuma prej 15 milionë lekësh të vjetra që është akorduar nga Bashkia e Fierit për azilin është vetëm për ushqimin, parmakët, lulishten dhe ngrohjen në pak raste. Nuk mjafton kjo shumë për investime. Mezi po përballohet ushqimi”, shprehen në Bashkinë e Fierit lidhur me këtë fond.
Vasilika Mëngjezi pohon se azili i Fierit kërkon një investim kapital. Ajo sqaron se rrjeti elektrik, hidraulik dhe sanitar në të dy katet e azilit, është i amortizuar dhe i shkatërruar pothuaj totalisht. Gjithashtu, edhe muret e godinës, si dhe tarraca, paraqiten rëndë për nga infrastruktura, çka kërkon që ndërhyrja në të gjithë godinën të jetë kapitale”, ka thënë drejtoresha Vasilika Mëngjezi. Bashkia është njohur me kërkesat e bëra nga stafi i shërbimit në azil. Po ashtu edhe të moshuarit herë pas here kanë kërkuar si nga drejtuesit e azilit, edhe nga ata të pushtetit vendor, përmirësim të kushteve. Në këtë situatë, kur buxheti i bashkisë për vitin 2010 ende nuk është miratuar, realizimi i ndonjë projekti mbetet ëndërr e largët. Drejtuesit e bashkisë shprehen se për të tilla ndërhyrje duhet ndihma e ministrisë përkatëse dhe e qeverisë. Por, fakti ka treguar se qeveria është kujtuar për azilin e Fierit vetëm në ato raste kur atë e ka vizituar zonja e Kryeministrit, Liri Berisha. Para vizitës së saj (e cila ka ardhur dy vite rresht pranë Shtëpisë së të Moshuarve), me fonde që nuk u dihet origjina, është siguruar lyerja e fasadës dhe një përmirësim i lulishteve.
Punonjës të shërbimit në Shtëpinë e të Moshuarve Fier shprehen se jo vetëm gjatë këtij viti nuk është parashikuar fond për investime, por as gjatë vitit të shkuar. Madje, prej vitesh godina, që është në shkatërrim e sipër, nuk ka parë ndonjë ndërhyrje, e cila të paktën t’i premtonte disa vite më shumë “jetë”.
#