E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon strategjia, Albpetrol me koncesion

Plani

Kompania “Albpetrol” mund të jepet me koncesion. Fakti u mësua gjatë analizës vjetore tekniko-ekonomike financiare të kompanisë, që u zhvillua javën e kaluar, ku të pranishëm ishin drejtues të lartë të ministrisë dhe “Albpetrol”. Njëri nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Albpetrol”-it, pasi u ndal te strategjia e privatizimit, tha se duhet parë ideja që kompania të kthehet në shoqëri koncesionare dhe me kapital të përbashkët. Këtë mundësi të dytë privatizimi përfaqësuesi i këshillit mbikëqyrës e hodhi për diskutim te drejtuesit e departamenteve kryesore të “Albpetrol”-it dhe përfaqësuesve të lartë të ministrisë. Qëllimi i implementimit të kësaj skeme privatizimi është bërë për arsye që një pjesë e mirë e industrisë së naftës të kontrollohet nga shqiptarët. Vërejtje të tjera këshilli mbikëqyrës ka pasur lidhur me marrëdhëniet e “Albpetrol”-it me kompaninë private “ARMO”. Gjatë analizës u tha se duhen rishikuar kontratat me “ARMO”-n dhe t’u jepet mundësia kompanive të tjera për përpunimin e naftës. Treguesit tekniko-ekonomikë të vitit 2009 paraqesin një nivel investimi 67.1 për qind, si pasojë e mungesës së likuiditetit shtet me shtet dhe shtet me privat. Me nisjen e implementimit të strategjisë së privatizimit pritet që mbi 1000 naftëtarë të lënë vendin e punës. Aktualisht kompania ka 4369 puse, nga të cilët 2114 puse janë në punë, 1539 janë të fondit të ndalur dhe 716 mbahen nën vëzhgim. Kompania operon në 8 rrethe dhe asetet e saj llogariten në miliona dollarë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›