Borxhi shqiptar, në dorë të britanikëve
Borxhi 300 milionë euro që do të merret në maj të këtij viti do të menaxhohet nga një kompani londineze, falë marrëveshjes së lidhur me Ministrinë e Financave. “White&Case” është gjigandi amerikan me histori 100-vjeçare në tregun e konsulencës ligjore dhe financës, me degë në 35 vende, mes tyre edhe në Angli. Pikërisht ky filial ka fituar të drejtën e konsulencës për emetimin e eurobondit me vlerë deri në 350 milionë euro, tenderi i së cilës u zhvillua në javën e fundit të muajit shkurt, por që Ministria e Financave e publikoi këto ditë. Për këtë shërbim, shoqëria do të paguhet me rreth 135 mijë dollarë, nga 170 mijë që ishte vlera fillestare në tender, ndërsa kualifikimi i britanikëve të “White&Case” erdhi pas fazës së dytë.
Sakaq, Ministria e Financave ka mandatuar dy banka që do të udhëheqin eurobondin e parë shqiptar.
Ato janë amerikanët e “JP Morgan” dhe gjermanët e “Deutsche Bank”, kompanitë lider në tregjet financiare. Pas një procesi vlerësimi që kaloi në dy faza nga 15 banka pretendente, u përzgjodhën këto dy banka për emetimin e eurobondit në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. Ministria gjithashtu i ka kërkuar “Rafeissen Bank” të suportojë transaksionin, në rolin e mbështetësit (Co-Lead Manager). Ministria e Financave ka sqaruar dje se interesimi i institucioneve ndërkombëtare për këtë proces ka qenë i jashtëzakonshëm. Një numër befasues bankash (15 të tilla) me shumë reputacion në tregjet e kapitaleve, paraqitën ofertat e tyre shumë agresive për të udhëhequr transaksionin. Në fazën e dytë kaluan 6 banka (“JP Morgan”, “Deutsche”, “Raiffeisen”, “HSBC”, “BNP Paribas” dhe “Credit Suisse”), të cilat konkurruan me njëra-tjetrën përmes një testimi të zhvilluar në Ministrinë e Financave.
#