Figurat madhore kombëtare shteti të mos ua jepë skulptorëve të kukullave - Pjesa e Dytë
Ju evidentuat disa “probleme”. Si i trajtuar dhe zgjidhët ato, bashkërisht me jurinë?Juria i dëgjoi shpjegimet e mia, të cilat i kam bërë të ditura edhe në komunikimin për gazetat e ndryshme që më kanë intervistuar gjatë kohës së realizimit. Sigurisht që pati diskutime të ndryshme. Një mendim ishte që figura e Titanit të futej në një optikë folklorike, sepse në bocet kjo figurë ishte me një tunikë (më shumë se tunikë qe një fustanellë dekorative). Në parantezë, në atë kohë as që diskutohej për nudizëm në figurën e Titanit dhe zanave mitologjike. Diskutimet më tepër përqendroheshin në rolin dhe domosdoshmërinë e simbolit mitologjik të Titanit. Si dhe në atë, nëse figura do të vishej me kostum kombëtar malësori, apo si Muji tek Eposi i Kreshnikëve. Këto hulli të trajtimit të problemeve, mua nuk më kënaqnin, sepse ma zvogëlonin alegorinë për fuqinë, e cila rrezikonte të minimizohej. Sepse nëse Muji mban një shkëmb ose një mal mbi kurriz, Titani mban qiellin, pavarësisht se në aparencë do të plotësoheshin dukshëm elementë folklorikë kombëtarë. Mirëpo këto elementë, shumë-shumë, do ta çonin kuptimin e përmendores deri në mesjetë, dhe kjo sigurisht që nuk do të ishte në të mirë të idesë universale: atë të gjithëpërfshirjes së vlerave shpirtërore kryesisht, si dhe atyre historike në veçanti, të etnogjenezës për të cilën Fishta kish marrë pendën në dorë qysh ditën e parë që filloi të shkruajë e derisa ndërroi jetë. Njëri prej mendimeve qe më kategorik: të hiqej fare figura e Titanit. Këtë propozim kategorik e kundërshtova edhe unë po kategorikisht, duke i thënë komisionit: “meqenëse ju nuk e keni formosur akoma fitoren time, keni edhe nëntë konkurrentë të tjerë, jepjani ndonjë tjetri dhe mbylleni këtë diskutim”. Unë nuk doja të bëja një lapidar, sikundër u propozua, sepse edhe propozimi i heqjes dhe zëvendësimit të Titanit me shkrime, ishte edhe më banal, sepse kështu do të ndryshonte krejtësisht përmbajtja, duke e kthyer këtë skulpturë në një skulpturë të tipit të memorialeve të viteve ‘60-’80. Periudhë kjo e bum-it të lapidaristikës, e cila glorifikonte dëshmorët e Luftës Nac-çl. Këto “lapidarë-skulptura” gjykoj se u ngritën, jo thjesht mbi bazën e parimeve të metodës së realizmit socialist, por edhe të ndikimeve të disa metodave mbi formën, të shkollës së Bauhaus-it, që sigurisht nuk kishin lidhje direkte me skulpturën apo lapidarët në fjalë, por me një koncept të dizajnit, sipas të cilit duhej të krijohej prototipi. Në rastin konkret, prototipi i dy vëllimeve drejtkëndore, të cilat nëse vendoseshin, njëra vertikalisht dhe tjetra horizontalisht, donin të thonin respektivisht, në rastin e lapidarëve: glorifikim dhe prehje. Emri i shkollës Bauhaus u bë i ditur vetëm pas viteve ’90-ë. Në fillim si shitmendje prej të shkolluarve jashtë shtetit, dhe pastaj si i përdoruri me tepri, si metodë e referim, në shkollën tonë të artit. Tashmë i përdorur me tepri jo thjesht në kuptimin e lapidaristikës së socrealizmit, por në kuptimin e “modelistikës kontemporane”, mbi të cilën predikuesit u mbështetën në një pjesë të mirë të veprimtarisë konceptuale të tyre. Dhe kjo tepri u bë neveritshme deri aty sa, aktualisht, në Akademinë e Arteve, për rrjedhojë, është krijuar një konfuzion konceptesh. Megjithatë, nëse Bauhaus-i ishte shkollë dizajni, pretendimet qenë që ajo të mos konsiderohej vetëm një shkollë funksionaliste, por edhe shkollë arti. Kjo sigurisht është një vlerë e shtuar për një shkollë dizajni industrial. Por në kushtet e ekonomisë dhe industrisë sonë, shndërrimi i të vetmes Akademi arti thjesht në një shkollë dizajni, është absurd dhe retrograd, si në planin akademik, ashtu edhe në rrafshin praktik e dobiprurës, teksa gjendja e industrisë shqiptare është akoma në fazën post-artizanale. Si akademik e pranoj si një nga drejtimet akademike apo jetësimin në ndonjë atelier, si përshembull për përgatitjen e specialistëve në dizajnin urban, atë të grafikës publicitare, apo të qeramikës. Për sa më sipër, edhepse diskutuam e dialoguam, unë bëra të qartë se më irritonte riciklimi i konceptit të lapidaristikës edhe tek kolegët, e jo më tek monumenti im. Paskëtaj u kuptuam, dhe mandej qeshë i lirë e i pacensuruar. Me kaq mbaruan diskutimet me jurinë, dhe nuk keni më çfarë të sugjeroni? Në përgjigje të pyetjes suaj gjej rastin të bëj edhe një vërejtje tjetër, që ka të bëjë me humbjen e figurës së porositësit. Sepse m’u duk se iku në “drejtim të paditur”, (s’e kam fjalën për komisionin). Institucionalisht, porositësi duhet të vazhdojë në përgjegjësinë e vet: të ndjekë problematikën deri në inaugurimin e veprës. Pra rrugët e komunikimit s’duhen mbyllur me dhënien e certifikatës së fituesit dhe të parave. Vërtet s’jemi në diktaturë, në kohën e censurës, po në demokraci ka disa rregulla të tjera. Vërtet lipset të mos cenohet liria individuale, por edhe unë natyrisht s’duhet të cenoj lirinë kolektive të publikut taksapagues, (siç thuhet sot), i cili me delegimin e përgjegjësive në institucione, duhet të jetë prezent dhe i përgjegjshëm për çfarë paguan dhe çfarë dëshiron realisht. Duket pak si sofizëm, sikur, edhe dua të jem i lirë, edhe jo! Unë pra desha, jo të isha i harruar dhe i braktisur, ngaqë kjo prodhon opinione dashakeqe, këndej e andej... Dhe realisht u konsiderova unë sikur kisha “ikur”, madje në Itali, në “drejtim të paditur”. Kjo prodhoi atë që unë fillova punë, u pagova, pa marrë certifikatën e fituesit, të cilën e kërkova me insistim, por që e mora një vit e gjysëm me vonesë. Më tej unë nuk kam ç’të them.A mund ta sqaroni me fjalë të thjeshta konceptin e Titanit, aq shumë të kundërshtuar? Po e sqaroj për herë të tretë simbolin Atllas (që mund të jetë “At i lashtë”, ose “At i lartë”). Kësaj radhe po e sqaroj në gazetën tuaj, sidomos tani që vepra bën jetën e vet në sheshin historik të qytetit të vogël por shumë të bukur Lissus. Dhe mbase jo shumë për ty Flori dhe gazetën tuaj, sesa për njerëzit e interesuar, ose jo, kur edhe rastësia i çon tek ky ansambël skulpturor. Pra e bëj për lexuesit tuaj, për “profesionistët e fushës” e sidomos për “kritikën e artit”, si dhe “kritikën popullore”. Tek kjo e fundit kam parasysh qytetarët e Lezhës, të cilët ndofta kanë më tepër nevojë të dinë edhe më shumë nga ç’shikojnë. Qytetarët e Shkodrës i sugjeroj modestisht që të lexojnë “Momin” e Fishtës, dhe pastaj të gjykojnë për Titanët që kam bërë unë. Thënë shkurt dhe thjeshtë: Titan do të thotë imazh i një figure mashkullore, të mbinatyrshme për nga fuqia fizike. Titani Atllas apo birTitani është njëri prej figurave më tipike mitologjike të krijuara prej mendjes njerëzore mesdhetare, i destinuar të mbajë... Të mbajë mbi shpinë kupolën qiellore, ose rruzullin tokësor (në një variant tjetër). Titanin unë nuk e lashë të pushojë e të çlodhet, por menjëherë e ngarkova me një tjetër barrë, Lahutën, që për Fishtën është po aq e madhe dhe e rëndë sa edhe “rruzullimi”. Lahuta është arma e shpirtit që lufton. Unë, duke e njohur rëndësinë dhe fuqinë e tij simbolike, të njohur universalisht gjithashtu, ia hoqa Titanit tim kupolën qiellore dhe nuk e lashtë të pushojë e çlodhet... Më tej unë nuk e ndjej të nevojshme të shpjegoj gjenealogjinë e tij, pasi mua Titani më shërben vetëm për këtë qëllim. Për etimologjinë dhe shpjegime të tjera rreth figurës së Titanit, të interesuarit për më shumë le të hapin fjalorët e mitologjisë antike. Kam parasysh këtu kritikën profesionale, të pashpallur, së cilës do t’i kujtoja se simbolet lindin edhe nga individë, edhe nga tribu, edhe nga etni, edhe nga kombe. Ato janë kryesisht në moshë të vjetër, dhe për rrjedhojë Titani duhet të jetë simbol i pellazgëve hyjnorë. Por ka edhe simbole moderne që popujt i krijojnë në laboratoret e mendjes dhe shpirtit të tyre. Të krijosh një vepër të re mbi parimin e origjinocentrizmit, mua më duket se është një utopi, si gjithë tentativat egocentriste dhe origjinaliste, kryesisht të shek. XX. “Kritika profesionale”, fatkeqësisht ka mbetur në nivelin e kritikës “Mendikantiste”. (Mendicant – “mendtë i ka” - i varfër që jeton me lypje, me lëmoshë. I varfër por me mend. Kjo, në mesjetën italiane, qe një figurë analoge me tellallin oriental me daulle. Por ky perëndimori ishte qorr, i vetmuar, i palarë, i pangrënë, dhe shperndante gjithandej lajme si media mobile, sikurse edhe homologu i tij tellalli). Mendikanti dhe tellalli këtë lloj gazetarie e bënin nga halli, nga nevoja për bukë. Njerëzve u shtohej kurioziteti, u jepnin lëmoshë, dhe kështu mësonin se ç’kishte ndodhur në fshatin tjetër. Këta të sotmit s’e ka hallin vetëm tek skulptura, por edhe tek autori, apo autorët. Duke qenë në gjendjen mesjetare, oriento-tellallore, kjo kritikë harxhon frymën duke shpërndarë “lajme e opinione”, pa dalë në piacë, sikurse mendikanti i varfër, apo homologu i tij lindor, Tellalli. Le ta mësojë edhe kjo lloj kritike se simbolet janë universalisht të përdorshme në art prej artistëve, edhepse ato kanë etnicitetin e tyre (në rastin konkret, Titani i përket një epoke shumë të largët, asaj pellazgjike). Edhepse Kapiteli korintik e ka një autor “Kalimakos”, ai përdoret gjerësisht si vlerë estetike planetare, jo vetëm në Greqi e Korinth, por edhe në Angli. Jo vetëm në tempuj paganë, por edhe nëpër kisha e xhami. Natyrisht jo identik, por i përpunuar. Ky ndryshim marrëdhëniesh, nga Atllas-botë, në Titan-lahutë, u bë prej meje që jetoj në një epokë tjetër të quajtur “moderne”, dhe jo prej një skulptori “kontemporan” me brezin e njerëzve që krijuan “Titanin” si religjion, si filozofi, si botëkuptim, etj.. Nëse Titani do të ishte një person historik, p.sh. si Aleksandri i Madh, dhe jo një fenomen i personifikuar, ose më saktë i antropomorfizuar, i bërë pra me trajta humane, dhe nëqoftëse do të qe në një rast tjetër një figurë biblike si Davidi, atëherë ky do të ishte monument i Titanit, jo i simbolit të vendosur në rolin e vet për të fuqizuar idenë dhe përmbajtjen e figurës së At Fishtës. Dhe për më tej, nëse Titani do të qe impostuar kompozicionalisht në momentet e çlodhjes apo në gjeste të tjera që s’përkojnë me simbolikën e tij, atëherë “antilakuriqët” do të kishin të drejtë ta vishnin me “braghe”-(në dialektin çam do të thotë “vraka - brekë”), apo ta kontestonin me forma të ndryshme. Jo vetëm kaq por sigurisht që më duhet ta përsëris se ky monument nuk i dedikohet Titanit. Hë për hë, kështu siç është monumenti, me dy masa komplementare, njëra “normale” (statuja), dhe tjetra “anormale” (kolona) dhe aplikimi i kompozicionit që është i karakterit paratatik (paratatico - tip kompozicioni ku elementët, figurat, objektet, simbolet vendosen në një tregim të vazhdueshëm, që në shumë raste nuk kanë lidhje kohore dhe hapësinore me njëra-tjetrën), është komportimi më i drejtë (gjithmonë sipas meje), që unë mund të mbaja ndaj këtij monumenti. Për sa i takon gjestit që unë kam bërë me paraqitjen nudo të një figure mashkullore, (të munguar për më shume se 1555 vjet), ky gjest është titanik. E them këtë ngaqë premtova të flas sinqerisht dhe pa modesti. Por në kontekstin e historisë së skulpturës shqiptare, detyrohem ta konsideroj këtë gjest, “të vogël” për historinë e skulpturës botërore, ndonëse detyrohem ta quaj “të madh”, madje “olimpik” për nga rëndësia, në kontekstin e agonisë së gjatë të skulpturës arbëroro-shqiptare. Nëse simboli i Titanit nuk do të kuptohej siç edhe e shpjegova më sipër, atëherë “antilakuriqëve do t’u lindte e drejta ta vishnin figurën e tij me “braghe” (brekë), sikundër edhe ndonjëherë ka ndodhur në historinë e artit botëror. Ju thatë që keni bërë një “gjest olimpik”, duke bërë një nudo në një skulpturë eksterieri (publike). Ku qëndron “olimpizmi” i gjestit tuaj? Siç ju thashë më lart, këtë koncept e referova me historinë e skulpturës shqiptare, edhepse në historinë e artit botëror, ky gjest është një normë. Por edhe kjo histori botërore ka ngjarje të keqkuptimeve që janë konsideruar deri edhe “blasfemi”. Kam parasysh këtu tragjedinë që ndodhi në pikturën më të madhe për nga dimensioni dhe vlerat, atë të “Gjyqit universal”-(Giudizzio universsale), të Mikelanxhelos. Një muaj para se të vdiste mjeshtri, u mblodh Curia (Gjykata supreme e Vatikanit), dhe vendosi që figurat e tij lakuriqe e pagane të visheshin me “braghe”. Kështu u bë dhe kjo ndodhi 500 vjet më parë. Por më vonë, mençuria e Kishës e korrigjoi atë, siç di ajo të veprojë. Pra “Il Giudizio univerzale” u zhvesh nga “braghet” dhe E Vërteta Universale e pikturës triumfoi. Duke vazhduar më tej, jam i detyruar t’i përgjigjem keqkuptimit: ku ndryshon një njeri i çveshur nga një skulpturë e një “njeriu të çveshur”? Nudo nuk do të thotë “turp”, sepse mesa di unë, në asnjë fjalor, kuptimi i saj nuk është “turpi”. Përshembull në shqip, “nudo” ka kuptimin “lakuriq”, që do të thotë “lëkurë – hiq”. Në skulpturë ne e përdorim termin latin “nudo” për një figurë të xhveshur. Pra për një figurë të një njeriu “pa lëkurë”. Pra pa lëkurë dashi, ariu, zebre, etj., apo kapotë, këtë “lëkurë” të famshme në skulpturën e realizmit socialist, të mbërthyer me rrip, po prej lëkure.Po deri ku shtrihej dhe deri në ç’masë u manifestua ky keqkuptim? Në fakt projekt-bocetin tim të mbrujtur me pikëpamjet që shpreha më lart, s’e kish parë askush, përveç tre-katër shokëve të mi. Unë nuk e dija cili ishte apo cili do të futej në juri në fazën e dytë të konkursit, dhe kisha disa vetëfrenime dhe mëdyshje, të cilat i kam biseduar atëkohë me miqtë e mi. Sigurisht edhe unë jam shqiptar, e për më shumë skulptor me 1555 vjet boshllëk. Ndaj edhe autocensura është më e madhe tek unë që po pozoj një “realitet fiktiv”. Tek unë skulptori që po guxoja të bëja një skulpturë publike me imazhe të ndaluara për moralistikën, kritikën tonë të brishtë, dhe jo estetikën (filozofinë e artit). Po shënoj disa prej problemeve të autocensurës sime, e që i përjetova në fazën e bocetit, në të cilën shpesh herë, dhe pothuajse tek të gjithë vepron autofrenimi. E para – a do të kuptohej drejt se ky monument nuk ishte i Titanit, por i At Fishtës, i cili kërkon vazhdimisht ndihmë tek fuqia hyjnore, siç u shpreha më sipër? E dyta – a do të gjykohej drejt, në sistemin e trashëgimisë së paqartë e të kufizuar nga mesjeta e tëhu, ky simbol? E treta – a do të degradohej gjykimi për të si personazh jo real, simbol apo koncept dhe produkt puro i mendjes, apo do konsiderohej si i aplikuar, parë vetëm në arkitekturë si tra-mbajtës, në oxhaqe, në rol kollonash, mbasi sipërfaqësisht është e kollajtë të kundërargumentohej si një imazh i konsumuar artizanatisht, brenda kodit të një lloj folku të tregut urban!? E katërta – a do të kundërshtohej klasiciteti i trajtimit, pa e menduar dhe gjykuar thellë. E pesta – klasiciteti, a do të përkthehej si “mediokritet”, si “vulgaritet”, si “antimodernitet konceptual e formal”, si një “richiamo, eco-jehonë, apo si thirrje e ringjalljes, e rilindjes së tradicionit antik, për ripohimin e tij me dinjitet. Për ripohimin e tij jo si hamall, por si një figurë e modeluar në hijeshinë e bukurisë fizike, dhe jo vetëm e fuqisë fizike. Si imazh i bukurisë - simbolikë kjo aq e thjeshtë dhe e kuptueshme për çdo qenie njerëzore... Edhepse gjesti që nuk ka nevojë për fjalën shpjeguese, është i një njeriu që mban lart me durim një objekt të shenjtë, në rastin tonë, Lahutën? Por për fat të mirë ndodhi që dyshimet e mia për keqkuptime të Jurisë, ranë, dhe kësisoj edhe ajo ndihu në shërimin e autocensurës time... Sikundër edhe unë bëra, jo vetëm për jurinë, por edhe për mentalitetin anikonik (anikonik - mospranim i imazhit të formave të qenieve të gjalla, ku në shumicën e rasteve përfshihet edhe bërja në skulpturë e hyjnores në trajta antropomorfike), apo në rastin e nudos së imazhit të sëmurë për moralin. Ky kompozim skulpturor u kuptua dhe u pranua në totalitetin e vet, në rolin e vet dhe së fundmi në morfologjinë e vet “alla clasico” prej jurisë, të cilën e falënderoj për gjestin antikonformist që bëri me nënshkrimin e konfirmimit si fitues të bocetit tim, pavarësisht paragjykimeve, edhepse ndonjëri qe i trembur. Do t’i falënderoj edhe njëherë anëtarët e komisionit: Pashk Përvathin, Agron Gjekmarkajn, Rubens Shimën e Perikli çulin, të cilëve u jam mirënjohës ngase kuptuan drejt rëndësinë e ngjarjes, të memorialit për poetin kombëtar At Fishta, thyen disa tabu apo dogma, skllevër të të cilave bëhen shumë herë artistët, apo edhe ata që gjykojnë. Do të doja që ndër firmatarët e jurisë të qe edhe piktori Ali Oseku, firma e të cilit ende mungon. Dhe nëse ai është disponibël, e ftoj të pimë një kafe në sheshin e Lezhës. Madje nëse do të jetë dakord, mund ta hedhë firmën në ministrinë e Kulturës. Do të jetë në nderin tonë, e të dyve, mbasi abstenimi i tij (mungesa e firmës), jo në lidhje me bocetin tim, se ai, siç më thanë, nuk e kishte parë, do të mbetet gjithmonë i paragjykuar, ndërkohë kur kjo punë mund të korrigjohet pa komplekse edhe tani.Tashmë monumenti e fitoi të drejtën e qytetarisë. Si autor i këtij monumenti me “kleçka”, çfarë do t’u sugjeronit për ardhmërinë kolegëve dhe institucioneve? Unë nuk operova mbi norma e kanone, sepse kam ecur dhe do të vazhdoj me moton se “artisti dashurohet me natyrën e artin, dhe veprën e krijon vetëm në këtë aleancë”. Përgjegjësia është e atyre që pohojnë ditë e natë se zbatojnë “rregullat”..., ndonëse ndodh të mos fitojnë. Dhe kur ndodh kështu, menjëherë shndërrohen në ankimtarët më të rrezikshëm. Qofshin artistë të rinj apo gjysëm të vjetër. Ky takëm, meqë gjithmonë, në çdo kohë, veçse ka zbatuar rregullat për të qenë korrektë me ligjin, mendojnë se kanë të drejtë të thyejnë tavolinat, të rebelohen, të shajnë e fyejnë kolegët fitues apo juritë që i thyen rregullat burokratike, me argumentin se duhet të privilegjohen thjesht për arsyen se kanë zbatuar “rregulloren” sipas tyre, dhe se kjo është e mjaftueshme, pavarësisht cilësisë. Artistët s’janë oficera, dhe gara artistike s’është militare. Në fushën e monumentalistikës lipset një vëmendje më e madhe nga ana e shtetit, për të shmangur rënien e porosive shtetërore në duart e të paaftëve, me “argumentin”, e votave, në dëm të cilësisë. Në sistemin e ri, i cili është i ndryshëm në raport me lirinë, ekonominë, kapitalin, etj., artistët nuk duhet të organizohen në banda, sapo e ndjejnë se janë të dobët dhe të rrezikuar nga humbja në garë. Apo në klane që cënojnë lirinë krijuese, duke krijuar reaksion zinxhir në të gjitha hallkat vendimmarrëse të shtetit, në institucione artistike e akademike, të cilat në dukje janë të pavarura nga pushteti, por që në fakt lëvizin e veprojnë mbi principe, sa mafioze, aq edhe spontane, në bazë të interesave momentale të parasë, e cila patjetër, sikurse edhe fitorja, sipas tyre duhet të kalojë patjetër tek të shumtët-turmë, apo tek të “fortët”. Bandat në art janë të ndryshme nga grupimet vullnetare të artistëve që bashkohen mbi bazë konceptesh, vokacioni të përbashkët prirjesh stilistike, të cilat funksionuan në shek. XX në formën e avangardave. Nëse ato kanë bërë jetën e tyre privatisht, këtu grupimet kërkojnë të qethin, të rruajnë, madje të rjepin lëkurën, si të shtetit, ashtu edhe të individëve të tjerë jashtë tyre, që mund dhe me siguri janë më të aftë e të talentuar, por s’janë as berberë e as kasapë. Sepse dy kategori bërtasin më shumë: pushtoartistët (artistët me pushtet), dhe amatorët. Të dy këto kategori mediokrish dhunojnë lirinë e kompeticioneve. Dhe kur fitojnë, siç ka ndodhur rëndom deri më tash, marrin paratë e shtetit (tonat, sigurisht), plotësojnë C/V-të dhe për pasojë figurat kombëtare në skulpturë i bëjnë të ngjashme lugetërit, nuselalet, apo ninxha-kukullat, për nga gjestet fizike dhe plastike. Pas vitit 1997 unë emigrova në Itali, por kur u ktheva në vitin 2005 gjeta një atmosferë antiartistike e antikulturore më të rrezikshme nga ajo e mëparshmja. Gjeta një mungesë respekti e sensibiliteti për vlerat dhe aftësitë krijuese të artistëve shqiptarë, të cilët nuk janë pak. Si skulptor jam i prirur për modelimin më të mirë të shtetit tim, dhe jo vetëm të skulpturës sime. E pranoj hapur se, për 2 vjet kam pasur aq shumë zemërim, saqë: o duhet ta lija monumentin në dorë të djallit; ose të zgjidhja rrugën e konfrontimit publik me burokratët, gjë të cilën nuk e bëra, por po e bëj tani, ndonëse jo me inatin e atëhershëm. Për një gjë jam i bindur: në fund të fundit, ishte qeveria demokratike që bëri të mundur realizimin e përmendores së poetit të madh. Ky rebelim i vonuar rezulton t’i drejtohet të njëjtëve personazhe që kanë imunitet institucional dhe po t’i vësh në radhë i ngjajnë një grumbulli që ka një komandant si Shën Bartholomeu në Cappella Sistina, me thikën në dorën e djathtë dhe imazhin, në formë lëkure, të Mikelanxhelos, në dorën e majtë, që edhe pse inferior ndaj Krishtit, maja e thikës gati sa nuk prek pulpën e këmbës së majtë të Tij, si për ta kujtuar se duhet bërë kujdes, pra “se jemi edhe ne, dhe s’jemi pak”. Mikelanxhelo e vuri veten në qendër të kompozimit të afreskut gjigand, në formën e lëkurës së rjepur, sikurse Marsijasi muzikant – Satiri pafajsisht i talentuar, të cilit shërbëtori i Apollonit, si dënim, ia ropi lëkurën pas fitimit të garës, edhepse i gjori Marsijas nuk donte ta konkurronte Apollon-Hyun me harpë, me anë të tingujve magjikë të fyellit. Athua Mikalenxhelo ka dashur të bëjë Satirin? Duke njohur moralin e fabulës së lartpërmendur zgjodha rrugën e durimit, duke u përballur edhe me sakrifica financiare. Pse ndodhi kjo? Gjykoja në fund të fundit se ç’është idealizmi, kontributi për atdheun, për kulturën dhe civilizimin shqiptar, qytetërim për të cilin jam bërë edhe më i ndjeshëm në Itali, në komunikim me kritikë arti të këtij vendi, të cilët e thonin pa droje, e jo si këtu, togfjalëshin kuptimplotë “civilta albanese”. Ne këtu jemi mbledhur një tufë katunarësh që po hamë njëri-tjetrin, që fyejmë e dhunojmë hapur në emër të “qytetërimit”, “katunarimit”, apo “fshatarimit” albanez. Me këto që thashë nuk dua të fyej katunarët, por të tërheq vëmendjen e qytetarëve të “kulturuar”, sepse në fund të fundit edhe vetë jam një “katunar”, apo më saktë një “fshatar” (fushatar), sepse në fushë kam lindur. Por kam të drejtë të quhem qytetar antik sepse lashtësinë brilante të stërgjyshërve të mij e kam në qenien time, në ADN-në time. Meqenëse etimologjia e fjalës “fshatar”-(banor i fushës), doli, ajo e fjalës “katunar”, sipas meje duhet të jetë “kodrinar”-(banor i kodrës), dhe ajo “malok”–(banor i malit). Kemi dhe detarin, dhe qiellorin... Po meqë banimi i tyre është i përkohshëm, jo rezidencial, nuk përbëjnë vlera të akumuluara për referencë, sepse detit kemi kohë që i kemi kthyer shpinën edhe pse kultura navale antike në brigjet tona ka qenë brilante. Mjafton fjala pexhorative “pirat”, që ma merr mendja ka dale prej “epirot”, e që nuk përse të na turpërojë përballë kulturave të tjera, që kanë edhe ato periudhat e piraterive të tyre. Ky kompleks është arsyeja përse ne shqiptarët, kur shkruajmë historinë, kemi tendencën për ta pastruar nga negativizmat, pasi patjetër ne duhet të dalim të kulluarit e kësaj bote!!? Qytetërimi shqiptar - “civilta albanese”, është uniteti kulturor i këtyre gjendjeve gjeografike, të cilat figurojnë unitetin kulturor kombëtar. Sa për qiellorët nuk di ç’tju them, hë për hë të mbetet vendi i perëndive dhe i zogut të shenjtë shqiptar - shqiponjës. Siç e shihni zgjodha fjalën “katunar”, (që për nga niveli në referencë me detin është i ndërmjetmi i fshatarit dhe malokut), për të thënë se a nuk kanë qenë katunarë edhe Leonardo Da Vinçi, Mikelanxhelo Buonaroti, njëri nga Vinci dhe tjetri nga Capri, dhe që të dy, as nga Roma e as nga Firence. A nuk kanë qenë dhe janë megjithatë, gjenitë dhe prekursorët e qytetërimit italian, evropian e botëror? Sa më sipër desha të thosha se njeriu në përgjithësi, por sidomos ai i artit dhe i kulturës në veçanti, në Shqipëri s’duhet gjykuar: as nga niveli i detit; as nga niveli partiak apo politik; as nga niveli krahinor apo religjioz, e për më tepër nga ai biografik, por vetëm nga niveli artistik, talenti i tij. Së fundmi edhe një detaj tjetër torturues, se s’paskam mbaruar së ankuari për piratët. Në mesin e punës jam përballur psikologjikisht edhe me kërcënimin e çuditshëm për “ndjekje penale”. Teorikisht kisha imunitet, sepse e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Fidian dhe Mikelanxhelon. Përveç të tjerave që theksova më lart, lipset që ministria e Kulturës të mos i konsiderojë galeritë e arteve e muzetë e ndryshme të artit si toka ku kultivohen groshë, por të nxisë e inkurajojë ekspozita si “Onufri”... Dhe të mos lejojë që në bienalet për të cilat ka detyrim shteti dhe jo ato private, të bëhen përfaqësime fiktive të artit kombëtar nëpër botë, me elementë të zgjedhur kushedi prej kujt, e të cilët shkojnë atje siç i kemi parë deri tash, të na përfaqësojnë me tenxhere të mbushura me lëng groshe. Bota nuk do të shohë neo-Duchamps, apo artistë që pretendohet se janë më të aftë se të tjerët për të demonstruar abilitet majmuni, që me patjetër të integrohet në Europë me bravura të gjuhës internacionale, me pretendimin se kështu edhe në art bota e civilizuar do të na pronojë. Nëse abiliteti i tyre (aftësia, zotësia), konsiderohet debilitet në Tiranë, imagjinoni se ç’ndodh me ta në Romë, Paris e Londër.Cilët ka qenë mbështetja dhe mbështetësit në këto beteja cfilitëse? Në këtë kohë kam pasur afër, shumë afër, miqtë e mi, të cilët më lehtësonin barrën e rëndë dhe luftën psikologjike që më bëhesh. Ndër ta, skulptorin dhe mikun tim Anesti Shuraja, njeriun që ka duruar dhe s’është lodhur asnjëherë duke më dëgjuar vazhdimisht hallet e mija, më shumë se mik e shok. Dhe shfrytëzoj rastin që t’i sugjeroj bashkisë së Përmetit që t’i marrë seriozisht në gjykim projektet e shumta që ky skulptor ka bërë për qytetin e lindjes, projekte të cilat unë i kam parë dhe gjykoj se Përmetin, këtë qytet gati të harruar, ai do ta rilindë e zbukurojë me skulpturën “Vjosa”, uji i së cilës ushqen natyrën dhe njerëzit deri në deltën e Pishporos. Do të veçoja në konsiderim edhe dy asistentët e mij në realizimin e këtij monumenti, Ilmi Lalën dhe Bujar Vanin, skulptorë të talentuar të pluriteknikave e materieve, pa të cilët unë do të vonohesha e s’do të mundja dot i vetëm të arrija një rezultat që, së paku teknikisht, qe jo i lehtë; piktorin e madh Naxhi Bakalli, i cili zëvendësonte figurën e humbur të ish profesorëve të mij të skulpturës me vizitat në studio (së bashku me muzën e tij, bashkëshorten, zonjën e nderuar Violeta), duke krijuar me biseda e sugjerime figurën e njeriut të afërt, dashamirës të autorit, dhe më shumë akoma të Gjergj Fishtës, duke dashur me gjithë shpirt më të mirën e mundshme. Ajo që më kujtohet ndër të tjera prej tij ishte sugjerimi “kujdes nga fotografitë që tregojnë një njeri të rrumbullakosur, imazh prej babaxhani”; skulptorin Fatos Kola që s’pushonte së foluri për monumentin, duke ardhur gjithmonë në studion time “me nivel, pe-plumbçe dhe mastar, jo si ato të ndërtimit, por si ato të mendjes, shpirtit, estetikës”, mjete pune këto të skulpturës, që pak i njohin e përdorin; skulptorin Emanuel Koko, skulptor i talentuar i pluriteknikave e materieve, të cilin gjej rastin ta falenderoj për ndihmën konkrete e të pakursyer... E që, si në rastin e dyjares, i kërkoi babait të tij të therë një dhi nga kopeja e vet në Picar të Labërisë, e ta sjellë kokën e saj në Tiranë, në studion time, që unë të mundja të bëja një kokë dhie autentike. Emanueli e solli kokën e dhisë në trastë, dhe me këtë rast pranoi formulën e lashtë shqiptare të mirënjohjes: “Faleminderit o ati ynë pellazg, që në male rrin e na ushqen...”. Mirënjohje gjithashtu djemve të Lezhës, intelektualëve, artistëve, poetëve, piktorëve, studiuesve. Mbi të gjitha, humanistëve lezhjanë Agron Gjekmarkaj, Pashk Përvathi e Preç Zogaj, pa të cilët, e them publikisht, ky monument nuk mund të bëhej. Dua me këtë rast t’i zhvesh ata nga kostumi i korrupsionit, t’ua heq atyre baltën e hedhur nga mafiozët, të paaftët e mediokrit, kostum të cilin e veshin vetë dhe denigrojnë e dhunojnë të aftët, të talentuarit, madje edhe patriotët me armët e tyre të çuditshme, të zëshme e të pazëshme, të cilat nuk mbushen me barut, por me baltë e pare. Unë kështu i kam njohur këta njerëz këto dy vite. Nuk kam asnjë paragjykim politik a krahinor, dhe siç e shihni i referova vetëm për këto dy vite, në përpjekjet e përbashkëta për të nderuar “Danten” e Lezhës, At Gjergj Fishtën. Pra të gjithë këta njerëz bënë që unë të mbetesha autori i këtij monumenti, mbas “ndjekjes penale”, dhe jo ai radhës, “sklupturisti pirat”, i listës së kastës kulturore, e cila figuron edhe tani, me keqardhje, në sirtarët e shtetit tim. Për kontributin e tij që në fillimet e miratimit dhe çeljes së fondit për monumentin e Fishtës në Lezhë, gjej rastin të falenderoj edhe ish ministrin, z.Bujar Leskaj, i cili ka meritën fillestare dhe kryesore, si shtetar, në këtë projekt, që nuk qe vetëm artistik, por edhe atdhetar. Vlerësoj gjithashtu edhe gjykimin profesional të piktorit të mirënjohur, “Idromenos së Lezhës” Pashk Përvathi, që ndryshoi me guxim intelektual e profesional rrjedhën e ngjarjeve që, ashtu si nisën, mund të degjeneronin deri në anullim të projektit. Ashtu si Agroni, edhe Pashku, me emocion mori në krahë bocetin e Fishtës dhe pasi e vendosi në krah bocetit të kolonës, deklaroi: “Ky është monumenti..., tash statujën e At Fishtës baje si të dush...”. Nga dëshira për të bërë më të mirën e mundshme për monumentin, Pashku me Agronin më kanë qëndruar pranë në të gjitha momentet, deri në inaugurim. Madje po në këtë ditë, meqenëse pushtetarët tanë, si gjithmonë, harrojnë autorin në raste të tilla, Pashku më kapi për shpatullash duke më shtyrë ndërmjet ish ministrit dhe kryebashkiakut, me fjalët: “ty të takon të rrish këtu”.çfarë ka të veçantë kjo vepër, krahasuar me pararendëset në krijimtarinë tuaj? Fola pak me tepri, apo hiperboli, më lart. Megjithatë në përgjigje të pyetjes suaj, kjo skulpturë në raport me të kaluarën time profesionale nuk përbën asnjë risi nga pikëpamja formale dhe stilistike, pra në raport me të ashtuquajturin stilin tim alla clasico, të skulpturave të mija. Për ta bërë më të qartë për lexuesit: ky stil nuk është i imi. Ai bën pjesë në tre stilistika të shprehjes në artet figurative, të dy gjinive të ashtuquajtura magiore: skulptura dhe piktura. Pra ky stil (jo manierë – mënyra si e aplikon konkretisht e materialisht, teknikisht apo hapësinorisht), quhet stile sublime, që do të thotë “shprehja më e lartë e perfeksionit në art, nga i cili lind admirimi dhe surpriza, që ka më shumë nga forca dhe madhështia”, (che forse alcuno non si aspetterebbe di vedere – që për ndonjërin do të qe e papritura e paparë, apo - ndoshta për dikë do të ishte e papritur ta shihte” (G. Ronchetti)”. E bukura dhe harmonia gjenden në forma e trajta natyrale përshembull, por superohen me ndërhyrjen subjektive të artistit i cili, edhe kur ndodhet përballë bukurisë së gjallë, e ngurtëson dhe e fut në kurthet e veta, duke ndryshuar përpjestimet por jo esencën. Në këtë mënyrë artisti krijon bukurinë ideale, që i ngjan asaj reale, por s’është ajo. Të dyja janë të kërcënuara: si ajo reale, ashtu edhe ajo artistike. Bukuria artistike e kërcënon pa mëshirë bukurinë natyrale, kur ajo tenton t’i ikë me shpresën se do të jetë e pavdekshme dhe e pakonkurrueshme. Monalizës pikturë përshembull, nuk i vjen keq se Mona Liza Gerardini e gjallë s’është më, sepse realisht ato janë e njëjta gjë, por me jetë të ndryshme, me kohë të ndryshme. Dhe nëse kjo e pikturës është edhe e jona sot, dikur s’ka qenë e jona, ka qenë gruaja e Francesco del Giokondo dhe modeli i Leonardos. Xhokonda e vërtetë duhet të ketë qenë e bukur, por jo sa kjo që njohim ne. Ajo mundet të ketë pasur profilin më të bukur, por mjeshtri e ka integruar edhe atë në ballorin që rreket të spostohet në gjysmë profil. Edhe sikur ajo të ketë qenë po kaq e bukur dhe e hijshme sa edhe piktura, prapë do të kishte xhelozi për imazhin, shembëllesën e saj, dhe duke dashur të ishte edhe më e hijshme, edhe më e bukur. Sepse ajo ndryshonte në sytë e saj, kur mjeshtri e punonte. Fundi i saj ishte i sigurt, që do të fiksohej në një pllakë druri, dhe s’do ndryshonte më. Do të lindte për të mos vdekur kurrë. Dhe Mona këtë nga xhelozia nuk e kuptonte, përveç kreatorit të ri, që e mbajti me vete si një “bibël” dhe nuk ia dha burrit të saj. Kujt nuk i ndodh që, nëse është në karrigen e modelit, dhe para aparatit fotografik, kushdoqoftë, e bukur apo jo, të mos bëhej kurioz për imazhin e ri që do lindë. Sepse çdokush mbërthehet, sa nga xhelozia, aq edhe nga dëshira për të qenë më i bukur. Mesa duket, natyra që s’mund të kopjohet, tenton të jetë model imperfekt, dhe, në këtë mënyrë, duke shërbyer si model, ka nevojë të ndryshojë, “të pastrohet akoma”, të modifikohet më tej, pasi mpiksja e imazhit pra është edhe fiksimi i shumës së marrëdhënieve që ka qenia me të tjera qenie, me ambientin, kohën dhe, mbi të gjitha, me autorin vetë. Kur një portret a një figurë njeriu kthehet në vepër arti, ai apo ajo s’është më në kondicionet reale, por në ato ideale, përfshirë këtu laboratorin subjektiv të artistit. Në këtë mënyrë arti e ka thënë fjalën e vet dhe vepra e fiksuar në imazhin perfekt – rëndom flet “sikur të jetë e gjallë”. Fidia e kishte shumë për zemër këtë ekspresion. Po kështu edhe piktorë të tjerë klasikë helenë, veprat e të cilëve, sipas studiuesve kanë qenë më të arrira krahasuar me skulpturën. Ky ekspresion kishte për matricë Mimesin (imitimi lëndor dhe ngjashmëria e sendeve). Aq shumë respektohej asokohe ky koncept, saqë tashmë është bërë e famshme anekdota për piktorin e madh Zeuxis, që kur pikturoi një vile rrushi, e mashtroi zogun dhe ky shkoi ta çukiste. Unë mesa duket jam lindur të parapëlqej perfeksionin si një realitet mbi realitetin. Dhe kur them “jam lindur...”, do të thotë që konstitucioni gjenetik i ndjesive, perceptimeve dhe reagimeve të mia ka këtë kahje. Unë punoj ngadalë dhe me shumë pushime. Jam në një ankth të vazhdueshëm në veprimtarinë time krijuese. Unë s’edi pse më ndodh kështu. Jam “i pakënaqur” aqsa monumentin në fjalë do të doja akoma ta punoja, madje po aq kohë sa edhe punova mbi të. Madje do të doja ta derdhja në bronz në fonderitë italiane. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Mesa duket ne shqiptarët jemi akoma të dënuar të mos kemi qetësi në punët tona. Edhe vizat po u hoqën me Europën, në mos gabofsha, në kokat tona do të na mbeten akoma materie trunore që do të lëvizin me viza.Meqë shprehët preferencën për konceptin klasik, a mos keni ndonjë rezervë për artin modernist? Dikujt mund t’i dukem edhe jashtë kohe, ngaqë jam “klasik” dhe jo “kontemporan”. Si ta bëja unë Fishtën të jetonte në kohën time, apo unë të jetoja në kohën e tij, kur kemi gati 100 vjet diferencë?! ç’t’i bëja unë ideve të tij në veprën monumentale “Lahuta e Malcisë”. ç’ti bëj unë rrufesë së Zojzit (Zeusit), ku ta gjej e ta modeloj si kontemporan, si modern?! Ku t’i gjej unë muzat, gjigajt, katallajt, s’ka në kohën time! Unë kam përballë meje kohën time, kohën e Fishtës, artin e së shkuarës, artin modern, poezinë, fotografinë, biografinë e Fishtës. Por më tepër nga këto kam tablonë e kryeveprave të skulpturës monumentale, e cila jo vetëm s’më të gaboj, por më fut në nevojën e Xhokondës-ikonë në pikturë, për të perfeksionuar bukurinë e vet jo perfekte krahasuar me Xhokondën-model, të cilën e konsideron rivale në bukuri dhe pa të cilën nuk bën dot. Duke u shpjeguar më qartë, me këtë dua të them se jo vetëm natyra dhe historia shërbejnë si modele, por si i tillë, edhe arti shërben si model dhe ushqen vetveten. Mesa duket koha i ngjan natyrës model dhe artisti që jeton kohën e vet është i papërsosur, i mungon diçka. Materialisht i vuajtur apo me shumë preokupime, i paplotësuar dhe nën ankthin e jetës që i duket e shkurtër. Dhe kjo e nxit për të hyrë në marrëdhënie edhe me kohët e kaluara, dhe pasi magjepsaet prej tyre, teksa sheh t’i bjerret para syve jeta e vet, kërkon ta kompensojë atë duke jetuar edhe kohën e shkuar, dhe në këtë mënyrë tenton të hyjë edhe tek koha eterne. Dhe kjo mesa duket bën që edhe koha jonë e shkurtër të jetë pjesë në kohën eterne, (të amshuar). Ars longa – vita brevis, pra “arti është i përjetshëm, jeta është e shkurtër”, aforizëm i Ipokratit ky, përkthyer e cituar nga Seneka, që në greqishten e lashtë thuhet o bios brachys e de techne machre. Dhe meqë të tri gjuhët krijojnë një trekëndësh kulturor mesdhetar, le të mbetet edhe skulptura ime (jo moderne, jo kontemporane), brinjë e këtij trekëndëshi. Edhe po e panë skulpturën time të bërë në shekullin XXI dhe e quajnë “greke”, apo “romake”, nuk do gabojnë. Por po s’e nuk e quajnë pellazgo-ilire, do të gabojnë nga padija. Unë pra, kontemporanizmit, si atij modern, ashtu dhe atij soc-realist, i kam kaluar pranë pa i konsideruar, por jo pa i studiuar e vëzhguar. Nëse kam gabuar që nuk jam joshur prej tyre, nuk do të bëhesha pishman për gjoja mungesën e ndonjë shqise adekuate që biologjikisht nuk e “paskërkam të trashëguar”, por me kënaqësi preferoj jetën time brevis Stilistikisht unë jam po ai, “klasiku”, “antiku”, “akademiku”, “i tejkaluari”, “i pluhurosuri”, “i mavijosuri”, “i mykuri”, “i helenikosuri”, “i romanosuri – i romanizuari”, “i manier-osuri”, “i barok-osuri”, “i vjetëruari”, “medemek i gjonave të pame...”. Por... unë deklaroj me bindje se s’jam “i papamë”, se s’di të bëj një vrimë në ujë, se s’di të bëj një vrimë në tullë, se s’di të bëj një vrimë në vrimë. Shkurt s’di të bëj gjëra të tilla: s’di as të jap mësime të tilla për “vërrën” si “gjetje” moderne e kontemporane, si “gjetja” e Henri Mur (Henry Moore – skulptor anglez), edhepse vetë Henri pati fatin ta shohë vërrën e sëpatave të gurit të epokës së strallit, por kurrë nuk pretendoi se qe shpikësi i saj. Meqë stralli më kujtoi stallën, unë skulpturën e bëj për njerëzit. Unë popullit tim nuk i jap, as vërrën e sëpatës, as bar, për të qenë medemek modern. I jap atë ushqim që, ndofta, fillimisht “mund t’i bjerë rëndë në stomak”, por më vonë jam i sigurt se do ta pëlqejë dhe do t’i bëjë mirë, madje do t’i shtohet oreksi, sepse kjo lloj skulpture si ushqim shpirtëror i mrekullisë së artit, veç mirë u ka bërë popujve në mijëra vite... Përfshirë sigurisht edhe parardhësit tanë. Madje sa më shumë “myk” të ketë vepra e artit, aq më e preferueshme është, sikurse tempulli i vjetër apo vera e vjetër. Unë jam autori i monumentit të At Gjergj Fishtës. Mos u trembni nga idhujtaria që kam krijuar, se atë e gjeta në kulturën e pellazgëve, pasardhës të të cilëve janë shqiptarët. Shikoni kostumet shqiptare sa të pasura janë në ngjyrë, ornamente, linja elegante. Shikoni skulpturën time dhe do të thoni sa i shëmbëllen zbukurimit trupor dhe gjenialitetit të kostumografisë shqiptare, pasurisë së gjuhës, pasurisë së folkut, pasurisë së natyrës, morfologjia e së cilës është unikale. Gjeomorfologjia shqiptare, antropomorfologjia e veshjes është gjeniale, e mahnitshme. Këtu dhe vetëm në këto që ju thashë, skulptura ime mund të quhet realiste, bashkëkohore..., se është pasqyrë e kozmosit shqiptar. Skulptura që unë bëj është e pasur. Format dhe volumet e saj nuk agjërojnë ... nën emrin e interpretimit “modern”, që ka prodhuar konceptin “minimalitet” dhe “seleksion darvinian volumetrik”. Unë veproj në të kundërtën. Forma e skulpturës sime është skajshmërisht e pasur me volume, sepse mua më pëlqen pasuria e vendit. Nuk kam kult varfërinë. Natyrisht këtë konceptim realist të Shqipërisë së pasur, nuk e konsideroj opozicion ndaj ndonjë ideologjie a frymëzimi antimodernist, antiminimalist, as edhe si pjellë e moralit të fabulës “Dhelpra dhe rrushtë”. Sepse për të bërë “skulpturë moderne, forma moderne” apo “kompozime moderne”, si ato që prof-doktorët këtu tek ne propozojnë, është gjëja më e kollajtë që ka mundësi të bëjë një skulptor si unë, ashtu si zogu cicëron pa pretenduar për art. Sepse “modern” nuk do të thotë vetëm të jetosh modën e kohës që krijon. Këtij i thonë “kontemporan”, ndërsa midis foljes “modernizoj” dhe asaj “ndjek modën”, më duket se ka një dallim esencial. Kur kam parë Davidin apo Laokontin, as që më ka shkuar në mendje se ato janë të kohëve të shkuara, apo të ndryshme, por vetëm të një kohe, që realisht është një e vetme, e amëshueme. Natyrisht askush të mos fyhet prej pozicionit tim, sepse s’kam asgjë me ata që bëjnë skulpturë moderne apo kontemporane, sepse dhe vetë jam brenda. Kush mendon se mund të më kundërshtojë sa thashë më sipër, mund t’i them se e mbyll replikën me përgjigjen “non ce peggior sordo di chi non vuol sentire” – nuk ka pra shurdh më të keq se ai që nuk do të dëgjojë. Ky është artikulli që do të shikoni në vazhdim. “Beati monoculi in terra caecorum” – (i lumtur çakërri në tokën e të verbërve). Thënë më shkoqur edhe mediokri duket gjeni nëse është vendosur krahas atij që është më keq se ai. ...