E Diel, 1 Nëntor 2026

Figurat madhore kombëtare shteti të mos ua jepë skulptorëve të kukullave - Pjesa e Parë

Intervistë me skulptorin e mirënjohur Ilmi Kasemi C/V e skulptorit Ilmi Kasemi 1983 – përfundon studimet për skulpturë në ILA 1984 – në ILA si asistent pedagog 1993 – themelon atelierin e pluriteknikave 1998–2005 - emigron në Itali 1984-2009 autor i veprave në eksterier, pjesëmarrës dhe fitues i çmimeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit 2009 – autor i monumentit të At Gjergj Fishtës në Lezhë Autori i monumentit të GjergjFishtës, skulptori imirënjohur Ilmi Kasemi, në një nga intervistat e rralla, ekskluzivisht për “55”, shpalos arsenalin e tij artistik, idetë për shoqërinë, artin, skulpturën. Intervista Para pak kohësh u përurua monumenti kushtuar At Gjergj Fishtës në qytetin e Lezhës, autor i të cilit jeni ju z.Kasemi. Me pak fjalë na thoni ju lutem, cila është karriera juaj si skulptor? Flori, po e filloj përgjigjen me dilemën: të hyj në garë, apo jo. Sepse ka 60 vjet që në Shqipëri dëgjohet e njëjta kambanë, dihet se kush do të fitojë. Ne artistëve shqiptarë na ka zënë ky virus i një influence (influenca - grip me temperaturë të lartë), dhe na ka frenuar gjithmonë në momentet kur duhet të marrim pjesë në ekspozita apo konkurse. Fatkeqësisht këtë virus e mora me vete edhe në Itali, ku emigrova pas vitit 1998. Një miku im, skulptor italian, më thotë: “Mikele (kështu e kishin ata më lehtë të më quanin, mbasi ua sugjerova unë emrin familjar “Mike”, dhe që atje u bë “nome d’arte” – emri im në art), është një konkurs internacional skulpture. Bëj edhe ti një bocet dhe shkojmë bashkë e marrim pjesë”. “Jo – i them – jam i lodhur nga albanezët e mi në gara e premio dhe nuk dua të zhgënjehem në vendin e Mikelanxhelos. Më lër ta shijoj parajsën...”. Në darkë kthehem në shtëpi. Varfëria apo gjendja emigratore më bëri që të rimerrja edhe njëherë në shqyrtim gjykimin aprioristik të disa orëve më parë. Një nudo (tors i Afërditës), në bronz, që e pata realizuar krahas disa skulpturave të tjera me idenë e një ekspozite personale, më nxiti që bashkë me një dyjare, të cilën e kisha marrë me vete, dhe që e pat modeluar me sojak (biçak) babai i mikut tim, skulptorit E. Koko, të kompozoja bocetin që do të paraqisja në konkurs. Instrumenti dyjare dhe torsi i Afërditës krijuan “Polifoninë”, me të cilën unë u paraqita në këtë konkurs. Realisht nuk kompozova dyjaren, por 5 fyej në formë kolonash, duke krijuar një valle burrash rreth bukurisë hyjnore. Pasi vajta në Itali, për të evokuar Albaninë time, siç ua thashë mora me vete një dyjare, së cilës i bija gati çdo ditë, dhe tingujt e saj më zbukuronin shpirtin e i jepnin atij dritë. Unë natyrisht s’jam muzikant, por të kesh në dorë një instrument të tillë magjik, thua se ke konservatorin pellazgjik në shtëpinë tënde, në familjen tënde. Fëmijët e mi të vegjël dëgjonin çdo mbrëmje pak tinguj të një bote të largët dhe të panjohur për ta, tinguj të cilët unë i modeloja më shumë për ta. Po atë mbrëmje vendosa të mos jem ai Mikele albanezi, që kish marrë me vete krromën e frikës e pasigurisë, por ai i dyjares pellazgjike, tingujt e së cilës krijuan këtë kompozim. Vendosa të marr pjesë në konkurs me idenë që edhe nëse s’fitoja, boceti në bronz mendoja se do të sugjeronte veneracion e kështu së paku të mundesha ta shisja. Kështu, në të dyja rastet, unë do të isha i fituar. Por ndodhi vërtet që të dyja u realizuan, dhe boceti u pëlqye apo u klasifikua për ta realizuar në sheshin e propozuar. Gjithashtu edhe nudoja u shit. Kështu brenda një viti në Itali, unë u gjenda me 60 milionë lireta në dispozicion. Do të thotë se, nga i mjerë, i raskapitur, që mezi shtyja 15 ditëshin e famshëm (quindiçinën), me familjen time në Tiranë ndër vite, u shndërrova në një skulptor që do bëja veprën e fituar me konkurrim. Fitova në këtë mënyrë edhe dinjitetin moral, profesional e financiar, sepse njëkohësisht do realizoja veprën, do të mbaja familjen dhe gjithashtu do të hapja studion time të punës, e cila vërtet u bë realitet. Në ato momente përjetova, jo rilindje, por lindje. Për kuriozitet të lexuesit, të njëjtin bocet, madje me materiale më të çmuara dhe natyrisht me kosto më të lartë, e solla në Tiranë në ekspozitën “Onufri”. E solla jo për të fituar, e as për ta shitur (sepse edhe çmimi i parë nuk e arrinte koston e veprës...), por për të thënë se jam gjallë edhe unë skulptori i diasporës “arbëreshi i ri”, ish anëtari i jurisë së parë në ekspozitën e parë në demokraci “Onufri”, ku merrnin pjesë krijues nga të gjitha trevat shqiptare e diaspora, pjesë e së cilës më vonë u bëra edhe unë. Me këtë pjesëmarrje mendova gjithashtu të motivoja profesionalisht edhe marrjen e titullit “Profesor i Skulpturës” në Akademinë e Arteve të Bukura, ngaqë krahas veprimtarisë dhe kontributeve akademike e artistike 16 vjeçare, sillja edhe një krijim të vlerësuar në konkursin ndërkombëtar të Italisë, për të cilin fola më lart. Po vazhdoj edhe pak me gjenetikën “mburrje” të komunikimit. Do të veçoja dy emrat më të shquar të jurisë së konkursit në Itali, i cili quhej “Il premio internazionale di scultura terzo millennio”: Pjerre Restany – president i jurisë, kritik arti i njohur botërisht me kontributin e tij në studimin dhe lançimin e neorealizmit; Mario Botta – arkitekt me famë botërore i postmodernizmit dhe jo vetëm... I citova këto emra për faktin e rëndësisë dhe vlerësimit që kishte kjo garë artistike, e cila edhepse kishte si destinacion veprat fituese në një oborr privat, kishte karakter publik. Me këtë rast dua të them se evenimente të tilla nuk i organizon vetëm shteti por edhe filantropë, sikurse industrialisti Vittorio Moreti, sipërmarrës i këtij konkursi, i cili për të rritur nivelin e përzgjedhjes midis konkurrentëve e veprave të tyre, angazhoi personalitete të shquara të fushës, të cilët me 13 skulptura monumentale të përzgjedhura garantuan zbukurimin dinjitoz të kopshteve të tij, duke ndjekur në këtë mënyrë traditën e Mediçëve fiorentinë. Për të vlerësuar vizionin prej Mecenati të z.Moretti, këtij “Mediçi” të kohëve moderne, presidenti i jurisë Restany, u shpreh: “Ai (pra Moretti), dëshmon mendimin humanist të këtij sipërmarrësi, dëshmon optimizmin e tij drejt së ardhmes, dhe, mbi të gjitha, besimin tek arti”. Skulptura ime në mermer Karrare bën pjesë në këtë kopësht. Gjej rastin edhe njëherë të falenderoj për këtë z.Moretti, si dhe anëtarët e kësaj jurie, që më radhitën si “fitues special” të konkursit dhe, për më tepër, me gjestin e tyre konfirmuan se “albanez” nuk do të thotë “barbar”. Ngjarjen në Itali e theksova për t’i bërë lexuesit sadopak me dije se cili është skulptori Ilmi Kasemi. ç’do të thotë për ju fakti se një mysliman do të ngrejë monumentin e njërës prej ikonave të klerit katolik? Po e them që në fillim: unë jam besimtar dhe besimi im është arti i sektit të skulpturës klasike. Me siguri që ju niseni nga emri dhe mbiemri im, të cilët nuk ekzistojnë në Fjalorin e gjuhës shqipe, dhe me sa di unë nuk janë as biblikë, as kuranorë. Unë kam lindur në një fshat pranë Urës së Mifolit, pranë deltës së lumit të Vjosës. Urën e Mifolit e konsideroj si monumentin skulpturor me një hark në formë ylberi dhe harpe, ndaj të cilit unë jam pozicionuar estetikisht, përveç natyrës së shkëlqyer bregdetare. Ky imazh arkitektonik mbeti i vetmi në mendjen time deri kur shkova në Liceun artistik. Fshati im s’ka pasur emër. Kur i referoheshin, thuheshe më shumë “tek Ura”, pasi ura monumentale e ndërtuar prej italianëve në kohën e Mbretit Zog, qe i vetmi objekt imponent në mbarë fushën e Myzeqesë së Vlorës. Babai im emigrant me familjen: nënën, dy vëllezërit dhe motrën e madhe, i detyruar nga rrethanat e kohës, u vendos në një fshat të pabanuar, të braktisur, në vitin 1953, vit në të cilin prindërit e mi u bënë, ose më saktë i bënë shtetas shqiptarë, ndërkohë që ata ishin shtetas grekë që jetuan në çamëri deri kur u përzunë barbarisht. Pra në vitin 1953, familjarët e mi ishin pothuajse “banorët e parë” të këtij fshati, edhe pse para luftës pikërisht aty ka qenë një shkollë fillore, një mulli shumë interesant, një postë policie, tre-katër vila dhe një kapanon i madh. Sigurisht që të gjitha qenë ndërtuar në kohën që u ndërtua Ura. Vilat, më kujtohen mirë, qenë me mermer karrare dhe të pikturuara me afresqe. Ky vend ndoshta funksionin e ka pasur si “fshatrat” e sotëm turistikë, po me një karakter të tipit “doganor”, apo si qendër grumbullimi e produkteve të zonës përreth... ç’desha të thosha? Më interesoi kjo renditje objektesh arkitekturore, prej të cilave asnjëri nuk qe objekt kulti, kishë apo xhami. Bëj fjalë për vitin 1953, kur besimi fetar ishte i lirë në Shqipëri dhe unë s’kisha lindur akoma. Unë u linda pas shtatë vjetësh, isha fëmija i shtatë dhe pas shtatë vjetësh të lindjes sime Shqipëria u proklamua “vend ateist”. Me ç’më ka thënë nëna ime, kur ajo, sipas rastit, ishte në ditët e fundit të lindjes së katër fëmijëve të tjerë, dilte tek “Ura e Mifolit” dhe bashkë me tim at priste kur të kalonte ndonjë makinë. Nëse vinte nga Fieri, lindja do të bëhej në Vlorë, dhe anasjelltas. Në rastin tim rastisi që makina të vinte nga Vlora dhe unë u linda në Fier. Kjo tragji-komedi ndodhte sepse Partia e kohës kishte filluar të hiqte Mamitë e fshatrave. Me sa duket i quante si institucione me ngarkesë mistike, që do të thotë se para se të hiqej feja, pastrimi kishte filluar me figurën më të lashtë të mjekësisë. Im at ishte mysliman si edhe nëna, dhe ata si edhe unë natyrisht kanë emra të cilët nuk i njeh leksiku i gjuhës shqipe. A nuk është tragjike kjo dhe fati i tyre gjithashtu, që të detyruar me dhunë greko-ortodokse në fund, dhe turko-myslimane më përpara, të mbeteshin si plaçkë tregu prej “besimit fetar”, i cili prej xhahilëve ballkaniko-europianë identifikohej me atë etnik, çka për rrjedhojë ka prodhuar monstruozitete, figura të të cilit bashkë me ateizmin, apo më saktë deizmin komunist, janë njolla më e errët e humanizmit të demokracisë si të Lindjes, ashtu edhe Perëndimit, ku që të dy po bëjnë “gallatë” me ne. Prandaj ne jemi tolerantë fetarë, paqësorë ndaj shoqi-shoqit, se nuk e kemi nga vetja, edhepse duhet të kërkojmë prej vetes shumë gabime historike. Dhe që jemi kështu mirë bëjmë, se s’bëjmë dot ndryshe: veçse të jemi tolerantë dhe në harmoni. Mbase e zgjata pak, por para meje duheshin pyetur çamët e mi. Të pyeten ata që janë gjendur në vapor në detin Jon për t’i çuar në Turqi, qysh në dekadën e parë të shekullit XX... dhe shqiptarët e mi që u gjendën po ashtu në anije, por tashmë në detin Adriatik, kësaj radhe në vitet ’90-ë, po të shek. XX, dhe jo për në Turqi, në Lindje, por drejt Italisë, në Perëndim. U bëmë gazi i botës, jemi bërë si lavjerrës, jemi akoma si në kohën e Kostandinit. Madje edhe 1555 vjet para tij duke bërë shëtitje, nga Ilioni (Troja), në Romë, dhe invers. Tre mijë e dyqind vjet me tokë e det po bëjmë xhiro. Mbase s’më takon të flas për fushën e religjionit, pasi nuk jam ekspert, por për ndërtesën time që e njoh, së paku mund të jem. Prandaj unë i besoj asaj që s’më pengon. I besoj harmonisë dhe, për rrjedhojë, shkoj ditë-natë në faltoren e saj. Dhe siç e shikon unë jam besimtar, jo ateist. Unë kishat dhe xhamitë i kam shtëpi të artit, të harmonisë dhe bukurisë. Hyj në to dhe mrekullohem. Falem, lutem, lexoj, dëgjoj, shikoj, dhe Perëndia që është e njëjta por me emra të ndryshëm, nuk më pengon. Prandaj unë jam me atë që nuk më pengon, që nuk më zë dritën. Por nëse në aktivitetin tim, të cilit i besoj, do të isha klerik i artit, atëherë do ta pranoja pyetjen tuaj që i drejtohet një skulptori shqiptar (jo të huaj). Dhe së fundi edhe Fishtën s’e kam parë si klerik katolik por si klerik i artit të poezisë. Se nëse do të qe ndryshe, atëherë edhe unë “myslimani” s’do të bëja Fishtën..., madje mendoj se edhe Fishta katoliku s’do të bënte Lahutën. Sepse nëse do të qe siç thoni ju, unë në vend të Titanit që mban Lahutën do të bëja Krishtin, që edhe mund të rrinte bukur. Por Krishti le të mbetet për një herë tjetër. Edhepse unë myslimani, në një rrugë në qytetin Salo pranë Breshias në Itali, kam një skulpturë (reliev) me subjektin e Ringjalljes. Meqë Ringjallja më frymëzon gjithmonë, si tek Kostandini dhe Doruntina, unë e bëra atë skulpturë me kënaqësi dhe pa paragjykime. Atje nuk ndesha komplekse të tilla të tipit që unë myslimani po bëja Krishtin. Përse ne t’i kemi këto komplekse, që i ngjajnë mentaliteteve të epokave paleokristiane dhe paleoislame. Me sa di unë “Islam” në një kuptim do të thotë “bindje”. Në të shenjtin vendin tim të origjinës, çamëri, është një mal që quhet Pind, vargmal në të cilin gjendet Dodona pellazgjike. Ky është mal i bind(ur), në të cilin rri tempulli i parë i besimit europian dhe ndan vendin e origjinës sime, vend që është po aq larg nga Dodona sa edhe nga Olimpi. E si të jem i “bindur” unë, kur shtëpitë e prindërve dhe varret e gjysh-stërgjyshërve i ngjajnë Dodonës si aisberg i gurtë, teatri i së cilës pret aktorët dhe spektatorët e vet autentikë, dhe meqë ka 20 mijë vende, le të pushojnë atje paksa europianët, Brukseli bashkë me albanezët, meqë tani do të liberalizohen edhe vizat. Le të bëjnë ca seanca plenare, se thonë që në këtë teatër akustika është fantastike. Mesa di unë “kristian”, në një kuptim do të thotë “mëshirues”. E ç’mëshirë të kem unë kur më kanë marrë besën, kulturën, skulpturën, fenë, fustanellën, atdhenë, ullinë, shtëpinë, lirinë. Më ka mbetur gjuha, se e morëm me vete. Na mbeti gjuha, se fustanella u gris e u përgjak rrugëve të atdheut. Edhe kënga u ndërpre. 40 vjet vetëm një çelo Mezan. Edhe vallja “Pirrike” apo “çamiko” u ndërpre, dhe u la vetëm një Osman Takë. çudi, Osmani kërcen para osmanëve, të cilët e lanë të plotësonte dëshirën e fundit para litarit. Dhe sigurisht shpëtoi se kërceu vallen e Pirros. Ka qëndruar Gluha-(gjuha) e pellazgëve të mij paganë, e katragjyshërve të mi kristianë, gjyshërve të mi myslimanë, prindërve të mi emigrantë. Pjesa prindërore, siç e shikoni, përveçse ruajtën gjuhën, kishin problem ekzistencën. Mesa duket ekzistencializmi qe feja e tyre. Mëshira dhe bindja u zunë e u marrosën më 1945, por harruan gjuhën, e cila ka qenë edhe para zënkës, dhe rrojti edhe pas saj. ç’bindje i kërkon birit të autoktonit, t’i bindet kujt, të ketë mëshirë për kë..., për nomadët që kultet e tyre i shembin në atdhenë e tyre të ri dhe mua më quajnë “nomad”..., dhe kanë të drejtë(!!!), se kështu më katandisën, sepse jam bir emigranti. Babait tim mysliman i thane “je turk”, edhepse fliste pellazgjisht. I thanë nomadët kristiano-orthodhoksë të Hellespontit, që edhe pse flisnin turqisht duhet të flisnin greqisht dhe të flisnin në shtëpitë e gurta të etërve të mi. Dhe besoj se me vështirësi i ka zënë gjumi, ngaqë shohin gjithmonë ëndrra sikur janë në çadra. ëndrra në çadra do të shohin, deri në ditën e qametit apo kataklizmosë, se janë në shtëpinë e babait tim. Të shpresojmë pra pas qametit apo kataklizmosë, edhepse Da Vinçi e vinte në diskutim mundësinë e kataklizmës së përbotshme (Frojd). Kur të bëhet gjyqi i fundit, po rrojta, do të shoh e do të vendos..., dhe po u binda do të kem edhe mëshirë. Hë për hë do të vazhdoj të modeloj skulpturën me stekën time. As me shpatën e drejtë dhe as me atë të harkuarën, që presin mish njeriu, por me daltën time që pret gurë, formon e lind njerinë e harmoninë, edhepse ato bashkë me njerinë unë nuk hezitoj t’i modeloj në skulpturat e mija në duar heronjsh për lirinë (harmoninë – njerinë). Nëse do të pranoja t’i përgjigjesha ndryshe pyetjes suaj, do të isha i pasinqertë, i pabesë, “non credent” ndaj Hyut. Së fundi kjo do të thotë se unë, së pari, ta konvertoj emrin, nga Ilmi ta bëj “dij”, sepse duke qenë i interesuar për përmbajtjen e tij, del se në shqip do të thotë “dituri, njohje”. Dhe mesa e njoh unë të shkuarën dhe të tashmen time, s’di ç’të them për të ardhmen. Nëse disa punë të botës janë duke u rregulluar dhe nëse rregullohen edhe këto të miat, edhe unë nuk do pretendoj për “më shumë”. Im at u nda nga jeta ditën e premte pasdite. Nëse kjo është dyfish “e premtja e zezë e vajtimit” ku, “në të gjithë Evropën, popuj të shumtë po vajtojnë për vdekjen e një njeriu që ka vdekur në lindje” (Da Vinçi), edhe unë do t’i shoh mirë gjërat, jo si deri tani. Dhe nëse ndodh një ditë që të kuptohet se ne njerëzit gabojmë e ngatërrohemi me njëri-tjetrin, kjo nuk duhet të ndodhë me Zotin. Ne dialogojmë indirekt me Perëndinë atëherë kur këtë dialog e kemi me vete dhe njëri-tjetrin, për të ndërtuar dhe jo për të shkatërruar. Perëndinë e kemi në anën tonë, gjithmonë nëse jemi me të drejtën dhe të mirën, sepse ne s’jemi veçse shembëlltyra e Tij, sipas librave të vjetër e të rinj. Sepse edhepse kemi emra qiellorë, ne njerëzit jemi tokësorë. Dhe duke vazhduar dialogun human tokësor, nëse nuk vazhdojmë betejat për supremaci fetare, po e mbyll me tokësorët e mi duke u thënë se suprem është Hyu, i cili do më ndihmojë edhe mua, bashkë me çamët e mi që të kthehen në Itakë, sepse edhe ajo është po aq afër sa edhe Dodona, nga vendi i prindërve të mi. Pastaj do ta kem më të lehtë të flas e do t’i kem gjërat më të thjeshta. Jo siç u shpreha deri më tash me hiperbolira, sepse hiperbolitë dalin nga tragjeditë. Dhe si artist ato më kanë ndihmuar shumë. Si njeri më lejnë të vuaj, të lutem e të luftoj përballë urrejtjes dhe hakmarrjes. Dhe kështu po përpiqem që me artin tim të shëroj këtë sëmundje njerëzore, brenda vetes sime dhe fëmijëve të mi. Nuk e kam me grekët e rinj se nuk janë grekët e vjetër. Por mua nuk më shërohet sëmundja e urrejtjes, kur dëgjoj metekët grekë në qytetet shqiptare, që dalin e thonë “çfarë duan çamët...”. Dhe unë u them “hani byrekë Shqipërie, dhe jo skordham (tarator) Greqie”. Jeni ju që nuk po e lini të mbyllet plagën time. Duke qenë kështu, po përpiqem të gjej e homologoj fjalët në gjuhën time. Kështu Flori, kur unë të bëj monumentin tjetër të një kleriku “mysliman”, Hasan Tahsinit, të shohim se si do ta formulosh pyetjen, përgjigjen e së cilës unë e thura me fijet e së vërtetës sipas meje, duke u kërkuar së fundi falje dy besimeve monoteiste funksionale dhe të nderuara e respektuara prej meje..., edhe grekëve të pafajshëm, se “grek” nuk do të thotë “i keq”. Greku i lig është i keq. Këto i them sepse paraardhësit e mi, gjenerata të tëra të fisit tim, kanë jetuar paqësisht me këto religjione dhe me grekët. Cili është Ilmi Kasemi për kolegët, këtu në Shqipëri, para dhe pa emigrimit? çfarë do të shtonit për veten dhe kolegët? Mendjet e ndritura thonë se modestia e tepruar është mediokritet dhe injorancë. Duke pohuar të vërtetën e mësipërme në dimensionet reale, që dëshmohet nga kualiteti edhe sasia e madhe e pjesëmarrësve, e për më shumë nga juria autoritare - i kundërvihem me vetëdije nihilizmit të “kompetentëve” të dalë nga revistat e modës. Nihilizmit dhe nihilistëve të modës, teknikave e teknicienëve të imazherisë gjysëm shekullore. Këtu në vendin tim shumë miq më thonë “s’të njeh njeri”. Dhe mendoj se kanë të drejtë, sa kohë që punohet për të më fshirë apo fshehur nga publiku, nga kritika e artdashësit, me teknikën e manipulimit sistematik të biografisë sime në laboratorin e megamakinës metamorfike e figurë-transformuese të djeshme e të sotme. Do t’ju lodh me numra, por jam i detyruar të përdor teknikën moderne të mburrjes. Në parantezë, në konkursin e zhvilluar për monumentin e Fishtës, ishin rreth 30 pjesëmarrës dhe 737 kontestime. Edhe 1737 sikur të ishin pjesëmarrësit në Itali, akoma më thjeshtë akoma do ta kisha. 30 konkurrues janë këtu dhe shqyejnë njëri-tjetrin. Në një bisedë të lirë me anëtarët e jurisë, të tmerruar nga sharjet, fyerjet, kërcënimet fizike, letrat pas shpine etj., kur i pyeta se cilët janë takëmi i atyre që kundërshtojnë vendimin e tuaj si juri, m’u përgjigjën se “dihet..., janë ata që kontestojnë gjithmonë...”. Atëherë unë që kuptova se cilët ishin sherrxhijtë e paktë të listës së 9 humbësve, (nga 10 të përzgjedhurit në fazën e parë), i thashë njërit prej tyre: “po ç’duan piktorët dhe ‘profesor’-amatorët në këtë kacafytje luanësh, që nuk është garë lepujsh këmbëshpejtë?”. Me këtë dua të them se kam qenë, jam dhe do të jem mbrojtës i të drejtës së pjesëmarrjes dhe konkurrimit, pa paragjykim, të të gjithë krijuesve, nëpër ekspozita e konkurse, por kjo nuk nënkupton injorimin e cilësisë, përkundrazi... Kur them garë luanësh, nënkuptoj specifikisht konkurrimin e fortë midis maestro-ve të skulpturës monumentale, e cila del e rri në sheshe kombëtare, për figura dhe ngjarje të mëdha kombëtare, pra jo për oborre private, studio apo ekspozita personale. (Në këmbënguljen time prej pellazgu, për të riatdhesuar fjalët e lashta të gjyshërve tanë, po shpjegoj se verbi “maestro” ka në rrënjë emrin “majë-maja – e malit, e aristokracisë, etj..”, si dhe cilësorin “i madh – prej këtu vjen madhështi – madhëri – majesta”). Për sa më sipër, po e përmbledh kuptimin e simbolit “luan”, që është “mbreti - madhëria e pyllit”. Për analogji të përballjeve që dijnë të bëjnë luanët-maestro, po sjell në vëmendjen tuaj faktin e mëposhtëm... Në kohën e monizmit, një grup studiuesish të huaj u mrekulluan nga vepra “Motra Tone” e piktorit çam Kolë Idromeno, dhe deklaruan: “Ju paskeni këtu një Xhokondë, çfarë kërkoni...?!”. Paskëtaj, me vrap lepuri, këta tanët u kujtuan se “Motra Tone” qenkesh kryevepër, dhe po me vrap u turrën t’i fshijnë “ikonës” pluhurin dhe mykun. Sot e gjithë ditën pyes veten, përse mbetëm tërë jetën duke ndërtuar dhe zbukuruar botën..., përse 5 fyejt pellazgë që rrethojnë Afërditën pellazge dhe krijojnë “Polifoninë” pellazge, të mos jenë në sheshet dhe parqet e “Civilta albanese” - qytetërimit tonë të lashtë, kultura e të cilit duhet përkthyer sa më parë në vepra arti skulpturore? Jo më kot, më lart analizova situatën e garës së Italisë dhe jurinë kualitative. Këtë analizë e bëra për dy qëllime: për të kuptuar fenomenin..., që s’është vetëm artistik por edhe kulturor, si dhe; të shpreh keqardhjen që ndjej se përse kopja e ripropozuar në “Onufri” nuk u rikonsiderua nga komisionerët “kompetentë” e “përzgjedhur” nga populli krijues i polifonisë, apo presim që të na e thonë, sikurse për “Motra Tone”, ata të UNESCO-s?! Pra pyes përse “Polifonia”, jo vetëm ajo e imja, të mos jetë në sheshet dhe parqet e Vlorës e të Tepelenës, si dhe në lulishtet e Shkodrës, Durrësit, Beratit e Tiranës?çfarë mendoni se do të frymëzonin, sipas jush, muzat tek skulptorët tanë, aktualisht ? Vetëm në Eposin e Kreshnikëve, që është maja e mitologjisë shqiptare, si dhe në mbarë traditën tonë gojore, ka aq lëndë frymëzimi sa nuk do mjaftonin as 100 vjet për t’u angazhuar e punësuar breza të tërë studiuesish e skulptorësh në rindërtimin e “Civilta albaneze”, dhe në këtë mënyrë do të vlonte jeta artistike në punishtet e gurit të “Shqipërisë së gurtë”. Mandej do të kemi edhe ne më shumë zë për të folur e për t’u mburrur me qytetërimin tonë pellazgjiko-ilirik. E kësisoj do të na rikthehej pozicioni i humbur si brinjë e tretë, krahas dy të tjerave tashmë të njohura, (helene e romake), të trekëndëshit të famshëm kulturor qytetërimor mesdhetar. Dhe jo të trekëndëshit revolucionar, që ende na mban të kllaposur brenda brinjëve të tij. I propozoj ish studentit, ish kolegut dhe ish mikut tim Edi Rama, që, meqë e filloi kryebashkiakllëkun me pastrimin e Lanës, dhe kaq, ta vazhdojë me zbukurimin me skulptura të urave të saj, (sikurse në të gjitha qytetet e botës që përshkohen nga lumenj), duke e filluar nga “Ponte vechio” e Tiranës – Ura e Tabakëve. Le të fillojë një projekt “Urat me skulptura”. Cilat mendoni se do të ishin projektet prioritare në skulpturën eksterierë për sheshet tona sot? Mirë Polifonia dhe Eposi i Kreshikëve, po kur do të vijë dita që monumentet e Skënderbeut dhe Nënën Terezës, (me të cilët mburret sot mbarë qytetërimi botëror), të realizohen nga skulptorët shqiptarë në të gjitha qytetet e Shqipërisë etnike, sikurse monumentet e Garibaldit, (siçilianit që bashkoi Italinë e coptuar), janë ngritur në çdo qytet dhe qytezë të Italisë. Për të kuptuar më qartë dhimbjen e krahasimit që bëra më lart, do të mjaftonte fakti që, në qytetet e Italisë ka më shumë monumente të Skënderbeut sesa në qytetet e Shqipërisë etnike, për të cilën ai shkriu gjithçka. Kanë të drejtë miqtë e mi kur më thonë se s’duhet me qenë gojëkyçur në këtë Albaninë tonë, që është i vetmi vend ish ateist në botë ku sot e gjithë ditën shitet pordhë, mall të cilin nuk e njeh asnjë literaturë e ekonomisë së tregut të lirë, përveç literaturës satirike dhe literaturës së tregut të planifikuar e centralizuar. Për fjalën e pakëndshme, në vend të ndjesës për lexuesin, “Naturalia non sunt turpia”-(E natyrshmja nuk është e turpshme). Me keqardhje po ndërmendësoj se, për 3 gjëra njihemi për keq në botë: shembëm pronën; mohuam Perëndinë dhe u bëmë “tregtarë të zot”. Gjithsesi kërkoj ndjesë për fjalorin jo të përshtatshëm, por s’kam ç’ti bëj argumentit.çfarë mendoni se nuk shkon në veprimtaritë kulturore që lidhen me skulpturën? Për të mos mbetur vetëm me propozimin për Lanën, po i rikthehem edhe njëherë “Onufri”-t, që sot është katandisur në okazion për të huaj nga bota dhe për pak të “huaj” të mëmëdheut. Si ish anëtar i komisionit të parë të këtij kompeticioni, (asokohe krahas piktorit G. Leka), mendoj se “Onufri” duhet të rikthehet, ashtu sikurse fillimisht u ideua, si aktivitet vjetor vetëm për shqiptarët, si një arenë ku të gjithë artistët, pa përjashtim, të kenë mundësi të ekspozohen. Kur them “të gjithë, pa përjashtim”, e kam fjalën për profesionistë e amatorë. Sepse edhe këta të fundit, të “dashuruarit-amatorë”, e të pashkolluarit si Xhakomo Manzu (Giacomo Manzoni), apo Odhise Paskali ynë (i cili nuk pati fatin të mbaronte një akademi skulpture), duhet të respektohen duke iu dhënë nga 1 metër katror secilit, që të gëzojnë frytet e punës, pasi taksapagues janë të gjithë, si VIP-at, ashtu edhe rripat, si amatorët ashtu edhe “dashnorët”. Në këtë mënyrë edhe shteti bëhet baba i mirë e i drejtë, duke vënë në dispozicion ambiente adekuate e duke krijuar tek shtetasit e tij frymë gare dhe barazie, pa paragjykim. Kësisoj shteti nuk do të përbuzë e mohojë kontributin financiar të taksapaguesve shqiptarë, ndërmjet syresh edhe të mbi 2 mijë profesionistëve akademistë e amatorë. Shkurt ky aktivitet duhet të kthehet në një panair gjigant arti i popullit shqiptar, paguar prej tij për artistët e vet. Dhe nëse hazërxhevapët do të përgjigjen “s’ka vend në GKA për 2 mijë e kusur “injorantët e modernizmit në art”, (nga të cilët, me statistika, 1700 janë me akademi, sikurse hazërxhevapët), atëherë unë po ju kujtoj ambientet e mjaftueshme të Pallatit të Kulturës, atij të Kongreseve, Muzeut Historik Kombëtar, QK “Pjetër Arbnori”, Galerisë së Akademisë së Arteve, etj.. Përveç pjesëmarrjes dhe hapësirave të mjaftueshme, një tjetër element që sugjeroj, është ai i rishikimit të statusit të kuratorit, i cili mesa di është në krye të një jurie që e përzgjedh vetë dhe të gjithë sëbashku ecin me një platformë të tipit “ekspozitë me tematikë”. Kjo lloj ekspozite mund të realizohet vetëm në raste analoge me “Bienalen e Venecia”-s apo atë të “... Tiranës”, po kurrsesi në një aktivitet ku organizator dhe financues është shteti demokratik, i cili në ndryshim nga ai monist nuk “ndriçon rrugën” e artistëve të lirë dhe nuk programon apo imponon drejtime artistike, (sikurse socrealizmi), qofshin këto edhe “moderne”. Dhe kjo sepse arti nuk hyn në politikat e integrimit dhe ka lindur para politikës. E vetmja pikë e lidhjes midis artit dhe politikës janë politikat artistike të shteteve dhe qeverive. Dhe e vetmja pikë e lidhjes midis artit dhe integrimit është respektimi i lirisë krijuese, pa paraprogramim, pa “temë dhe ide” të dala nga një mendje, sado e ndritur të jetë ajo. Mbi të gjitha është “integrimi” i artistëve shqiptarë brenda “Onufri”-t shqiptar, ku për fat të keq, pas ndryshimit arbitrar të destinacionit nga “kombëtar” në “ndërkombëtar”, janë integruar ca të huaj nga bota dhe ndoca shqiptarë. Nëse prishen kulisat e vendimmarrjes, artistët ekspozohen lirisht një herë në vit, debatojnë e kritikojnë natyrshëm, dhe kësisoj s’ka më vend e as nevojë për denigrime, përveçse për kritika konstruktive, sikurse vepron ajo e specializuara, e cila na mungon, dhe këtë nuk jam unë i pari që e konstatoj.Nga përvoja juaj në Perëndim, çfarë do të sugjeronit si zgjidhje konceptuale? Në ekonominë e tregut të lirë shitet mendja e lirë dhe e mirëfilltë kritike. Por këtyre njerëzve e kësaj strukture vitale e të institucionalizuar, qëkurse filozofia e artit u quajt estetikë – sot i është zënë fryma. Shikojeni mirë botën e civilizuar, e cila ka edhe studiues e kritikë kuzhine. Italia për shembull, kuzhinën, këtë laborator mbi të gjithë laboratorët e tjerë, e ushqen me tituj, grada, botime, libra, me studime, receta e foto fantastike, si të jenë libra arti. Dhe e quan “Arti i Gatimit”, apo “Arti i Kuzhinës. Ndërsa ne artin dhe veprën e krijuar nuk e pasurojmë me fjalën apo komentin stimulues, si për vetë artistin, ashtu edhe për publikun, pasi nuk kemi kritikë të specializuar por vetëm opinion-shpërndarës dhe kritizerë kafenesh. Për kuriozitet të lexuesit, cila ishte shtysa zanafillë për monumentin dhe në çfarë kushtesh e kompozuat bocetin? Meqë u bëra trim në Itali, thashë ta provoj edhe njëherë të hyj në garë në Shqipëri. Kisha një vit që isha kthyer në Shqipëri dhe po ndërtoja një shtëpi, të vetmen, pa leje, si shumë shqiptarë të pafat për të siguruar një leje ndërtimi. Arrita dhe e ndërtova shtëpinë mbi ish mini-studion time të dhuruar me dekret nga ish presidenti Berisha, të cilin e falenderoj tani, pas shumë vitesh, sepse së paku më njohu një të drejtë si të gjithë artistëve të tjerë, por me një ndryshim tek unë, ngaqë të tjerët, të vjetër apo më të rinj se unë qenë bërë me studio qysh para viteve 90-të, ndërsa unë skulptori dhe ish pedagogu i skulpturës mezi “përfitova” këtë studio, e cila ishte sa banjot me aneks të ish studiove të diktaturës. Edhe pse unë i thirrur në apel prej kësaj diktature si profesionisti “shpëtimtar” i monumentit të diktatorit (për të cilin do të flas më poshtë), pra edhe unë që “kontribuova” për diktaturën, u gjenda deri në vitin 1993 pa studio e pa shtëpi. “çudi, delja e zezë, qumështi i bardhë!?” – e thoshte shpesh im at-pellazgu, tashmë i ndrittë shpirti. Ma ka rithënë me zë të ulët rreth 15 ditë para se të ndërronte jetë, kur unë i provokoja kujtesën që ai të ma thoshte edhe në greqisht. Po i ikte zëri dhe unë gëzohesha se nuk i kish ikur kujtesa, dhe shkruaja shpejt në greqisht me gërma latine. Gëzohesha se dëshiroja që ai të shkonte 100 vjeç, pasi të nëntëdhjetat i mbushi..., e në këtë mënyrë të vërtetoja se pellazgët hyjnorë rrojnë gjatë. E ndërtova pra pa leje këtë shtëpi, mbi studion e coptuar si Shqipëria më 1913-ën, si shumë shqiptarë të tjerë, pa leje ndërtimi. Në këtë kohë u shpall konkursi i monumentit të At Fishtës. Nga fundi i rifiniturave u ndodha përsëri me virusin e rishfaqur në formën e dilemës: të hyj apo jo në garë. Bëra një bocet dhe fitova, duke përjetuar tashmë, jo lindje, por rilindje. Në retrospektivë po ju them se At Fishta gjithmonë më ka trazuar shpirtin dhe në këtë frymë, para 10 vjetësh pata realizuar një bocet për një konkurs tjetër që u bë asokohe. Nuk fitova, por nuk u rebelova, dhe mirë bëra. Dhe po them atë që kam thënë dikur: “Më mirë që nuk e bëra atëherë, ngaqë më mungonte përvoja që kam sot, e marrë në shkollat e mjeshtërisë brilante në Itali. Krahas përvojës profesionale, një tjetër përvojë më e plotë për jetën më shtyu në konkluzionin se shtëpia, fëmijët dhe arti, bëhen pa leje. Thatë që shtëpinë e ndërtuat “pa leje”, po monumentin, porosi shtetërore, përse e konsideroni “pa leje”? Përse u bë “pa leje” monumenti i Fishtës? U bë sepse paskam vendosur në kohën e duhur dhe sepse asokohe kur u zhvillua konkursi, sipas perceptimit tim mendoj se ekzistonte një situatë konfuze. Dhe kjo ata që dukshëm, prej dekadash kanë dominuar vendimmarrjen dhe marrjen e fitoreve nëpër konkurse, ndofta nuk e kishin mendjen, ngaqë ishte sezon plazhi dhe i nxehtë i madh, dhe mbase kishte gjasë të ishin duke pushuar në vilat e ndërtuara mbi tokat tona, buzë detit tonë Jon. Jam i bindur se ata gabuan, ngaqë menduan se, në Tiranë, komisioni do të bënte atë që ka bërë gjithmonë, pra do të zbatonte listën e famshme... Por nuk ndodhi ashtu siç prisnin, sepse komisioni harroi me dashje dhe zbatoi kriteret profesionale me ndershmëri dhe paanësi. Nga ky moment lepujt filluan turravrapin nëpër zyra, por ishte vonë. Ndërmjet dy fitoreve në konkurset e Italisë dhe Tiranës, a ka të përbashkëta dhe ndryshime, dhe nëse ka, cilat janë? Mendoj se të dy juritë, në objektivitetin dhe paanësinë, janë të ngjashme. Nëse në Itali emigrova dhe që në vitin e parë fitova e u integrova, po ashtu, invers, nga Italia, kur emigrova në Albani, po në vitin e parë fitova. Por me një ndryshim esencial, sepse këtu jo vetëm nuk jam integruar akoma, ndonëse kanë kaluara 4 vjet, por edhe sepse, nëse atje u pasurova, këtu u varfërova në limite të tilla që, nëse në janar nuk filloj punë, do të jem i detyruar t’i drejtohem sportelit të asistencës sociale. Unë nuk them se në Itali “u pasurova”, sikurse rëndom thuhej në mënyrë jokorrekte, se “me një monument, në botë, siguron jetën”. Nuk mund të thuhet se e siguron. Më saktë do ishte të thuhet se “jetën e vë në binarë”. Ndërsa në vendin tim, pas monumentit që bëra, mora si shpërblim një rrogë më të vogël sesa ajo e punonjësit më të thjeshtë të ministrisë më të thjeshtë në botë. Nëse në Itali në 6 muaj punë dëgjova vetëm fjalën “bello, bello”, (se italianët e kanë pa pagesë këtë fjalë), këtu ç’të të them. Të të rrëfej ndjekjen penale të vendimmarrësve, që më rrinte mbi kokë si shpata e Demokleut? Po le ta lëmë ndjekjen penale e të gjitha të tjerat, sepse shërbeu si mjet presioni ndaj meje, pasi kush e di se ku e kishin hallin!!? Më shumë më hidhëron mentaliteti i elitës që e konsideron fitoren time si dhuratë të dhënë prej saj, e se unë artisti duhet ta ndjeja e ta ndjej veten borxhli e njëkohësisht të privilegjuar, prej tyre e ndaj tyre!? Pra në Shqipërinë time vendimmarrësit i konsiderojnë aftësitë, talentin dhe përpjekjet e profesionistëve si pronë të tyren, sikurse në të shkuarën e afërt. Ai i dini dhe a i keni dëgjuar ndonjëherë këto që thashë unë? Besoj se i kanë thënë dhe ua kanë thënë edhe të tjerë. Por ngaqë këshilltarë për këto punë nuk ka, këta “zotër të mendjes”, ashtu si dhe kritikët, zëvendësohen me opinionistët klepto-modernë, që i rrijnë “lopës”-shtet nga prapa, nën bisht, dhe durojnë edhe ndonjë goditje me “kamxhikun”-bisht, si dhe bajgat që shërbejnë për tonimin e bazyreteve të tyre (se kështu tonoheshin bronzet në antikitet, me bajga). Dhe paskëtaj ulen në gjunjë dhe thëthijnë sisët plot, e pasi ngopen bëjnë një “dush” nga halli.Në një kuptim, ekzistencën e jurisë “objektive” në Tiranë, a e konsideroni fat? Po jua sqaroj përse mendoj se më ndihu fati për të bërë monumentin e At Fishtës dhe përse i dhashë kuptimin e bërjes pa leje të gjërave kardinale. Thonë se dardha e ka bishin prapa. Për koiçidencë, pasditen e gushtit 2007, sapo kisha filluar të haja një dardhë, duke e mbajtur sigurisht nga bishti. Gushti i atij viti ishte shumë i nxehtë. Isha shtrirë dhe dardha po përgjysmohej, kur një telefonatë e z/v drejtorit të atëhershëm R. Shima të GKA më bëri që gjysmën e dardhës me gjithë bisht ta lija mbi krevat. Unë nuk e dija se atë ditë do të mblidhej komisioni i konkursit për monumentin kushtuar At Gjergj Fishtës, i zhvilluar në dy faza. Dhe sigurisht më shkoi në mendje se diçka lidhej me këtë konkurs. Shima më pyeti nëse isha në Tiranë, apo jo, duke menduar se ishte sezon plazhi, dhe nëse po, a mundesha të shkoja në galeri, ku ishin grumbulluar të gjithë anëtarët e jurisë, të cilët dëshironin të bisedonin me mua. Po vij shumë shpejt – i thashë – sepse shtëpinë e kam afër me Galerinë. Shkova pra atje dhe më tej nuk e di si shkoi fati i gjysmës së dardhës me gjithë bisht, sepse u ktheva në shtëpi si fitues i një konkursi kombëtar, dhe për mua si profesionist, pas shumë vitesh pune dhe eksperience, kjo do të thoshte shumë. I dobësuar nga rruga e gjatë prej “Odiseu” u çfaq “Itaka”. Mendova se edhe krroma (kroma), ngjyra e pistë, sinonim i zhulit, u pastrua edhe në “Koloseun e kuq”. Unë shkova në GKA dhe pasi u përshëndeta me secilin anëtar të jurisë u ula, dhe natyrisht i pyeta se për çfarë më kishin thirrur. Ata më thanë se kishin vendosur të nxirrnin fitues variantin tim, porse nuk e kishin firmosur akoma, meqë ai ishte jashtë kornizës së kritereve e kërkesave të parashpallura në platformën e këtij konkursi, ndaj edhe kishin nevojë për disa sqarime, apo komente, rreth bocetit që kisha paraqitur, sepse i kish intriguar më shumë kompozimi dhe simbolika. Madje më thanë se rasti im qe i veçantë, sepse ishte hera e parë që një konkurrent thirrej nga komisioni në mënyrë kaq civile, kaq antiburokratike dhe antikonformiste, dhe kjo ishte një ngjarje për t’u shënuar në historinë e konkurrimeve. Ata kishin të drejtë që më kishin thirrur, pasi boceti kishte disa probleme që kërkonin përgjigje. Jo përgjigje për “14 gabimet” e famshme, të cilat u amplifikuan më vonë, për të rrëzuar pa dijeninë time projektin tim. Unë u njoha pas dy vjetësh me “gabimet...”, pra vetëm pasi mbarova monumentin. Duket açik mse kur unë punoja, ata numëronin “gabimet” gjatë dy verave të nxehta dhe të një dimri në mes. Pasi mësova nga interneti se paskësha pasur mbi kurriz 14 gabime, si akademik që jam mësuar gjithë jetën të jap dhe peshoj argumente për çdo veprim, u interesova për të mësuar se cilat ishin gabimet e skulpturës sime, pasi në art nuk ka dhe nuk njihen “gabimet”. Nocioni “gabim” është i fushës së moralistikës. Më në fund u kujtova se e kisha dëgjuar dikur fjalën “gabim” në zhargonin e kritikës së socrealizmit, por me një ndryshim, se edhe kjo kritikë përdorte, si fjalën “gabim” në konotacionin ideologjik, ashtu edhe sinonimin e zbutur “shkarje ideologjike”. Akoma nuk e kam të qartë se cilët janë 13 gabimet e mbetura. Përveç këtyre “gabimeve”, çfarë peripecish konkrete keni hasur gjatë rrugës deri në realizimin e monumentit? T’i lëmë gabimet dhe të merremi me problemet. Problemi i parë ishte ai i sasisë së parave që ishin vënë në dispozicion për një statujë jo më shumë se tre metra të lartë. Ajo që i preokuponte anëtarët e komisionit ishte se a mund të realizohej me këto para tashmë një ansambël skulpturor, i cili përbëhej nga statuja e At Fishtës, e shoqëruar me një kolonë që do të ishte 5 metra e lartë dhe e imagjinuar në një prej dy materieve, mermer dhe bronz. Me të dy këto materie si dhe me një dimensionin jo të vogël, unë paraprakisht kisha bërë një llogaritje, nisur nga përvoja që kisha fituar referuar kostos dhe çmimeve të fonderive dhe mermereve, me të cilat punova në Itali. Llogarita se duke mundësuar një fond shtesë prej 30 milionë lekë të vjetra nga sponsorizimet, shtuar shumës prej 70 milionë që kishte akorduar shteti për monumentin, ajo në total do të shkonte në 100 milionë lekë të vjetra. Me këtë llogaritje në kokë unë e garantova komisionin se ky ansambël realizohej, duke përfshirë këtu edhe shpërblimin artistik prej 13.5 milionë lekësh, të cilin nuk do ta ndaja për vete e familjen time, por do ta vija në dispozicion të monumentit, dhe në fakt kështu bëra. Nuk trembesha se kur të shkoja në Lezhë ditën e inaugurimit do të merrja lekë borxh për biletën e autobusit. Nuk po vazhdoj më tej se pastaj do më zërë “kriza globale”. Problemi i dytë që më doli ishte sërish dalja jashtë kritereve, sepse nga 70 cm. që kërkohej boceti, unë bashkë me kollonën e çova në 2.5 metra, pra sa gjysma e lartësisë së origjinalit që unë pastaj realizova. Duke patur përballë njerëz të artit që do të më kuptonin, nuk e pata të vështirë të argumentoja prioritetin e idesë dhe kompozicionit në raport me centimetrat e kritereve të konkursit. Natyrisht ashtu ndodhi dhe ne respektuam gjykimet e njëri-tjetrit. Dua të them se centimetrat s’kanë vlerë përpara risive apo elementëve të tjerë jo të zakontë që një artist prezanton në një garë idesh të shprehura plastikisht në një bocet, që në gjuhën e skulpturës quhet faza e parë e konturimit në vija të trasha të idesë që formësohet dhe evolon në vazhdim në realizimin definitiv, deri në fonderinë e bronzit. Prandaj sugjeroj që artistët t’i vejnë centimetrat në shërbim të idesë apo zgjidhjes kompozicionale, siç bëra unë, edhe pse kam respekt, si për kriteret në përgjithësi që porositësi propozon, ashtu edhe për këtë njësi matëse. Problemi i tretë ishte ai i simboleve të përdorura tek kolona. Dhe më i rëndësishmi ishte ai i figurës mitologjike të Titanit Atllas, dhe për të cilin më së shumti u thirra nga komisioni për sqarime. Kjo figurë ishte, është dhe do të mbetet një simbol i “paqartë” në hierarkinë plastike, dimensionale, hapësinore e morfologjike. Paqartësi e cila do të mbetet për aq kohë sa ky simbol të mos njihet historikisht, kulturalisht, funksionalisht, do të thosha edhe moralisht. Pikërisht për këtë arsye (edhe për të tjera, sigurisht), në shkollë duhet të mësohet edhe mitologjia. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›