E Diel, 1 Nëntor 2026

Figurat madhore kombëtare shteti të mos ua jepë skulptorëve të kukullave - Pjesa e Tretë

Nga përvoja juaj në Perëndim, çfarë rrëfenje pikante do të sillnit për lexuesit, në mbështetje të parimeve dhe afeksionit tuaj për artin klasik, tradicional? Për ilustrim të pyetjes suaj, po ju dëftej se në Itali prodhohet një lloj djathi që konkurron parmigianon, që quhet gorgonzola, myk i gjallë, por është i shkëlqyer. Natyrisht mua, konsumatorit të djathit me çaj të epokës së artë të bollëkut dhe “çmimit të parë të Meksikos për ushqimin...”, gorgonzola më dukej klasik dhe i tejkaluar, sepse qeshë mësuar me “djathin” e realizmit socialist, këtij prodhimi të unifikuar në shije, shëllirë dhe këllirë. Por ja që italo-antikët e paguajnë shtrenjtë, si gorgonzolën e parmigianon, ashtu edhe pikturën e Peruxhinos. Si gorgonzolën, ashtu edhe Gorgonën e B. Celinit apo Vitruvianon e Da Vinçit, që s’është veçse një pëllëmbë vizatim, një copë letër me myk, që s’ka as peshë dhe s’është as letër floriri, por është imazhi i një njeriu të zhveshur brenda rrethit dhe katrorit. Nëse nga vizatimi i Leonardos do të hiqnim njeriun e zhveshur, (siç m’u tha mua nga njeriu i veshur me lëkurë), do të mbeteshin vetëm rrethi dhe katrori, dy forma gjeometrike këto që “modernët” po i bëjnë telef... Por edhe këta të fundit nuk kanë faj, sepse a mund të shahet gjeometria!? Mendoj se bëjmë mëkat që, në emër të modernizmit, t’i turremi kollajllëkut e t’u biem pambarimisht në qafë simboleve unikale e universale të katrorit e rrethit, të cilat Leonardo i martoi në harmoni perfekte me njeriun, këtë kryevepër të natyrës. Më thirri një i pasur që bënte vilën e tij pranë Liqenit “Garda” në Breshia dhe më tha të dekoroja portën hyrëse monumentale me simbolet familjare. Vila ishte moderne, ndërtuar mbi konceptin e “rrethit dhe katrorit”, por me simbole antike të strukturës, muraturës dhe rifiniturës. Ishte moderne për nga funksioni i sotëm i hapësirave, të cilat arredohen me objekte moderne, ngrohen me gaz ose korent, por oxhaku me dru qe modeluar me gur të latuar në formë groteske. Ndër to më bëri më shumë përshtypje dyshemeja e shtruar me tulla të vjetra, me fuga të mëdha, me llaç. Hyra në soxhorno dhe për fat muratorët po e shtronin dyshemenë e saj, jo me pllaka moderne qeramike, etj., por me blloqe guri të vjetëruara, me sipërfaqe shumë të lëmuara, vende-vende edhe të gërryera e çukitura gati-gati me “kazma” guri, apo të thyera me sëpatë. Padronin që më shoqëronte, e që më kish marrë mua për profesor, me shpresën se mund t’i jepja unë ndonjë mendim artistiko-estetik më të avancuar nga ato të tijat, e pyeta - përse kështu këta gurë qiklopikë në dyshemenë e soxhornos, kur qe më e kollajtë të vendoseshin pllaka më të holla dhe të imitoheshin këto bravura?! Jo - më tha – këto janë gurë të vjetër shkallësh, trotuaresh, oborresh dhe muresh, të cilët janë shkelur prej gjeneratave të familjes sime, dhe kështu siç janë më pëlqejnë dhe do t’i lë me fuga, sigurisht. Po mirë – i them unë, ish profesori i Akademisë së Tiranës – si do të pastrohen, se do të mbajnë myk e pisllëqe? Pastrohen, pastrohen - më tha padroni, dhe dolëm jashtë tek porta. Unë i hipa makinës, shkova në studion time ku i bëra skulpturat e portës, ndërsa ai jo vetëm më pagoi, por më mësoi ato gjëra që asnjë akademi s’ti mëson kurrë. Prandaj stilistikisht unë jam po ai, por me një keqardhje..., për shkak të formimit të mangët profesional që e kemi peshqesh nga shkolla shumë e nderuar, për çka m’u desh të emigroja që ta kuptoja. Tashmë them me bindje se e kam temperuar edhe më shumë konceptin tim për skulpturën dhe kam kuptuar sesi s’duhet të bëj. Stili sublim, dhe akoma më shumë koncepti mbi skulpturën, të cilin e demonstrova më lart, është konsekuencë e formimit tradicionalist të familjes time, e respektit për prindërit, familjen, shokët dhe miqtë e mi, që i kam zgjedhur..., i literaturës gjithashtu, i dashurisë për antikitetin dhe detyrimit kulturor e atdhetar për idhujtarinë tribale, etnike, kombëtare, shqiptare. Edhe pse jam çam, adhuroj antikitetin grek, rrënjë të të cilit janë edhe në Thesprotinë e prindërve të mi. Kam admirim për kulturën dhe artin romak e atë të Rilindjes italiane. Ndihem i qetë në stilin, konceptet, filozofinë e jetës dhe artit mesdhetar. Nuk dua që skulpturën time ta çojnë në ndonjë kontinent tjetër në hartën e kulturës dhe artit botëror. Të vënë gishtin në Mesdhe dhe po thanë për artin tim “grek” apo “romak”, s’ka gjë, nuk kanë gabuar, por duhet të shtojnë edhe atë “pellazg” se mbase nuk e njohin. Kjo për mua do të qe një gjë e madhe. Unë nuk mund të bëj si actekët apo inkasit, afrikanët, kinezët apo indianët, nuk shprehem dot as si keltët edhe pse jemi në një kontinent..., ndonëse jam i bindur se thesaret e tyre kulturore dhe shprehjet e tyre artistike të mrekullueshme, përbëjnë korpusin e vlerave planetare. Por ndjehem mirë në mesin e dheut (Mesdheu-n tim).Sa mendoni se do t’u sigurojë sukses në karrierën tuaj prirja allaclasico? Përsa i takon karrierës sime, nëse e keni fjalën për skulpturën, jo për tituj e grada, po ju them se kam bërë shumë skulptura dhe aktualisht kam një mori porosish dhe mjaft skulptura që mezi pres t’i përfundoj. Suksesi mbetet për t’u parë, se unë nuk jam profet të parashikoj të ardhmen në profesion. Shumica e skulpturave të mia janë në Itali, në koleksione private dhe ambiente publike. Pak syresh kam lënë këtu në Galerinë Kombëtare, por që çuditërisht nuk i shoh të ekspozuara. Përshembull, skulpturën në gips të realizuar para viteve ’90 “Marko Boçari”, kur e kam parë në fonderi, gati sa nuk e kam njohur, aq keq është përkthyer në bronz. Janë edhe të tjera skulptura, si “Hasan Tahsini”, “Pritja”, apo ndonjë reliev me frymëzime rinore, jo në brezare, në mermer, etj., të cilat nuk e di ku kanë përfunduar. Këto punime ishin antimediokre, për të mos thënë, siç premtova për modestinë, se ishin “disidente dhe antireal-socialiste”, edhepse disidenca varet sesi gjykohet nga studiuesi i hollë, ndonëse dashakeqët i quanin “klasike”, koncept i cili ishte në antitezë me parimet e socrealizmit. Unë asokohe shpëtova nga padija e censorëve, të cilët çuditërisht sot na dalin të ditur. Por përderisa unë nuk kam një katalog të veprave të mija, ato s’janë të njohura, kështu që nuk ia vlen të flasim në erë. Disa prej tyre kanë qenë në Galerinë Kombëtare dhe më kanë thënë se jo vetëm s’janë të ekspozuara, por s’dihet a janë aty apo jo, teksa unë “mburrem” si shumë të tjerë artistë, se kam vepra në Galerinë Nacionale (Ufizzi, apo Luvri ynë). Bëjmë sikur dhe gënjejmë të tjerët që janë të interesuar për historinë e skulpturës. Natyrisht formula mistiko-historike që funksionon në Shqipëri: s’ke vepra – s’ke histori, është arma më efiçiente e mediokritetit. Do të sjell në vëmendje edhe njëherë periudhën e monizmit, për të mos i anashkaluar një 5 vjeçari që koinçidon me fillimin e krijimtarisë sime dhe fundin e Perandorisë së Kuqe. Po në këtë 5 vjeçar unë realizova ato punime që përmenda më sipër. Do ta përshkruaj siç e kam ndjerë unë dhe sesi jam komportuar, pa krijuar ndonjë iluzion nihilizmi të formës “disidento-persekutive”, ashtu siç përdoret rëndom në retorikën e tranzicionit, nga njerëz të ndryshëm, kur shpërfaqen sikur nuk kanë ekzistuar para ’90-ës. Do të kujtoj disa skulptura që, siç thotë populli, “do të mbeten të shkuara e të harruara”. është një periudhë jo më shumë se 5 vite, kjo është periudha e “kuqe”, si ajo “blu” e Pikaso-s. Unë në këtë periudhë të viteve ’80-’85 isha në kapërcyell të Akademisë, e cila asokohe quhej “Instituti i Arteve”. Në vitin 1980 kam qenë në vitin e dytë të studimeve dhe për herë të parë në programin e kompozimit u vendos “figura e Enverit në Luftën Nac-çlirimtare”, me detyrën “tors” në skulpturë. (Më duhet të shpjegoj se tors do të thotë gjysëmfigurë e një njeriu, më saktë quhet pjesa e sipërme e tij). Nuk mund të them sot që desha apo nuk desha ta bëja këtë figurë, se problemi është i thjeshtë, ngaqë po të mos doja, nuk do të hyja fare në atë shkollë. Sepse si Enveri, si historitë, filozofitë, teoritë, ishin kryekëput ideologjike dhe të një drejtimi – pra pa alternativa. çfarë të bëje në atë shkollë e çfarë të mos bëje, çfarë të studioje e çfarë të mos studioje, gjithçka qe seleksionuar mirë..., për të formuar artistin propagandist, teknicienin e imazheve të supermenit, që quhej “Njeriu i Ri” në mitologjinë lehonë të komunizmit. Meqë nuk bëj pjesë në soj mashtruesi, po ju them që unë dhe shokët e mi bëmë nga një bocet. Ish profesori vendosi që ta realizoja unë, ndërsa të tjerët bënë shokët e tij, pra të tjera figura të “shquara” të Luftës... Pra desha-s’desha, nuk e di, e bëra këtë detyrë klase, që pati një rëndësi të jashtëzakonshme tek unë. Sepse deri atëherë ne dinim se “atë ditë kur lindi Partia, po atë ditë kish lindur edhe Dielli”. Dhe kështu jeta jonë, formimi ynë, qe i lidhur me këtë koncept dogmatik. Në këtë moment ra kulti i Enverit dhe mua m’u duk vetja më i zoti se ç’isha. Po rrëzohej një nga pilastrat e kësaj shkolle. Frika që është e para ndjenjë primitive e trashëguar tek njeriu, e cila synonte ushtarin e bindur të ideve, filloi të perceptohej nga unë, tashmë edhe në dimensionin e tretë të saj, thellësinë. Ajo që frenonte instiktin – forcën e dëshirës - motorin e parë të tërë veprimtarisë njerëzore (Frojd), plagoste dita ditës dashurinë dhe pasionin e lirë, më në fund u kuptua si kurthi i madh, prej të cilit duheshin gjetur mjetet për t’u shmangur. Unë në këtë mënyrë isha skulptori parahistorik brenda shpellës, e që duhet të bëja imazhin e kafshës që do të gjuaja me shigjetë mbasi ai të fiksohej në paretet e saj..., e në këtë mënyrë të dilja nga kjo shpellë e lyer me të kuqe... dhe për këtë gjendje unë atëherë kam qenë i paqartë. Deri atëherë nuk lejohej që kjo figurë të trajtohej as nga artistë e skulptorë që kishin kryer studimet, e jo më nga një student siç isha unë. Qenë të pakët ata, për të mos thënë vetëm Odhise Paskali, që e kishte trajtuar së paku me mjeshtëri. Regjimi vetë si bartës i ideve primitiviste kishte frikë ta linte këtë figurë të trajtohej në artet plastike, se nuk kishte siguri. Bërja keq do të thoshte karikaturë, sikurse kishte ndodhur deri edhe me Pikason... Mesa dukej arti i socrealizmit dhe shkolla përkatëse po gjunjëzoheshin, po u dilte kallaji dhe po bëheshin bajatë subjektet që ajo impononte nga punëtoria, ushtria, fshatarësia. Idetë nuk ishin më frymëzuese dhe lufta që qe zhvilluar kundër liberalizmit në art në vitet ’70-’73, po shndërrohej në të kundërtën e vet. Huqet dhe buxhardot në skulpturë po stigmatizoheshin nën zë e mbi zë. Enverin të cilin s’më shkonte ndonjëherë mendja se do ta bëja skulpturë, tashmë “e vura nën vete”, sepse skulpturën ne skulptorët e shohim edhe nga sipër kur hipim në skelë. Në klasë filluam jo ta quanim “shoku Enver”, por “Veri”, falë të madhit Gjin Varfi, humori proverbial i të cilit në çdo rast çmontonte dogmatizmin dhe monotoninë e kohës së buxhardistëve e buxhardizmit të kuq, nga ku më në fund u kuptua loja e madhe false. Gjinin nuk e kisha shok klase, se ai ishte një vit poshtë meje, edhepse qe më i madh në moshë. Ai qe “10 vjet para nesh në kohë”, e po përjetonte, jo vitet ’80-ë, si ne të tjerët, por vitet ’90-ë për nga perceptimi i “realitetit objektiv” në politikë dhe në art. Gjej rastin ta falënderoj për dritën që asokohe hodhi mbi mendjet tona..., për bashkëpunimin e shkëlqyer skolastik e akademik kur bashkë përmbysëm themelet e kalbura të shkollës së vjetër dhe futëm konceptet e reja që i plazmuam në programin e atelierit bashkëkohor të Skulpturës së Materialeve të Përziera. Prandaj mendoj se do të ishte në dinjitetin tonë ta shihnim Gjinin “këshilltar për artin dhe kulturën pranë ndonjë institucioni të rëndësishëm të shtetit...”. Por fatkeqësisht, kur u ktheva nga Italia e gjeta atelierin e mbyllur dhe Gjinin në rrugë të madhe. E takova rastësisht dhe në çast m’u kujtua shprehja e tij e kahershme, (që e bëmë tonën), ndaj e përshëndeta si asokohe “O Gjin, a je luan”. Dhe pasi u tokëm e u përqafëm e pyeta si i kishte nga shtëpia e si i shkonin punët. Më tregoi se sapo kishte dalë nga konkursi për mësues Liceu. Shpreha habinë “ti në konkurs për mësues në lice”. Si kishte mundësi që një ish profesor i Akademisë të konkurronte për mësues në Lice, duke qenë mbi të gjitha autori i të parës vepër monumentale “Heraldika shqiptare”. Këtë “Gjeçov” të artit figurativ, e kishin detyruar që, për bukën e gojës, të konkurronte në Lice, ku sigurisht nuk fitoi!!! Përse socrealizmin e quani periudha e buxhardizmit të kuq? Po e sqaroj buxhardizmin që nga etimologjia... Fjala bugiardo, që do të thotë gënjeshtar – pra njeri që nuk thotë të vërtetën, i pasinqertë, përdorej në terminologjinë e skulpturës për të cilësuar sipërfaqen e volumeve e cila nuk është lisho e lëmuar, e kjartë, por e pikëzuar, poroze, e puçërzuar, e gërryer, apo e pullëzuar në mënyrë të rregullt e uniforme, e përdorur kjo më shumë në arkitekturë, në sipërfaqet e gurit, betonit, a suvasë (si një lloj grafiato), u bë bajat. Madje “buxhardon”, (po e shkruaj shqip), e thoshin baçardo, meqë “baci”, do të thotë puthje, dhe duke e përbashkuar më saktë, d.m.th. baci + ardo = puthardo, ose bastardo. Dyzet vjet puthardje, gënjeshtra, mashtrime, mungesë sinqeriteti, skulptura mashtruese, butafori polisterolesh, që përdoreshin në festat e regjimit e përdoreshin si karnavale moderne. Shkurt kohë bastarde, edhepse populli ishte i qetë se s’kishte prostitucion e drogë, siç pranohet sot. Por a ka më prostitucion e opium kur, bie fjala, të gjithë pa përjashtim, do të bënin të njëjtën gjë, me të njëjtën teknikë, me të njëjtat mjete, me të njëjtat materie, në vende të njëjta (të ngjashme), duke imponuar një bindje ideologjike, një drejtim apo rrymë artistike, dhe me diktat e detyrim prej lart, si një fe apo filozofi deiste, duke e bërë jetën dhe strukturën e saj hierarkike, të lumtur dhe me buxhardo. Ajo proklamohej si “demokratike” për “popullin sovran”, e lëmuar dhe pa buxhardo, ku klasat ekzistonin pa klasa dhe lufta zhvillohej kundër ish klasave dhe shtresave të para Luftës Dytë Botërore..., e ku edukimi apo arsimimi bëhej me rregulla ushtarake dhe tendenca prozelitizmi (etje për rekrutë dhe simpatizantë të rinj), për të krijuar thjesht teknicienë të idolatrisë së re, pa mësuar teknikat, pa përdorur materiet e pafundme dhe mjetet respektive, për të krijuar kësisoj në kokat e artistëve të rinj një “vuoto nirvanico” – (lumturi në boshllëk të shuar, një tërheqje nga kjo botë që perceptohet individualisht), për të mos parë, dëgjuar, kuptuar e shijuar në bazë të senseve personale, por të drejtuara, në një regjim të caktuar, prej një regjimi të caktuar, e më në fund të dilej prej shkolle si “lëkurë e regjur”, pa u formuar “lëkura” akoma. Po vazhdoj edhe pak, se bojë e letër keni si gazetë, me një tjetër temë, që pak u prek më sipër, sepse kështu mendoj se duhet shtuar diçka për epokën e kuqe. Pasi u shkollova me lapsin e kuq, (jo sanguin-in), vazhdova e u diplomova, por “Veri” nuk m’u nda, ndofta nga prirja allaclassico në lidhje me suksesin për të cilët më pyetët. Nuk m’u nda deri tek realizimi i monumentit të Enverit në qendër të Tiranës, para MHK, i cili, në mos gaboj, u realizua në vitin 1987. Kjo s’ka të bëjë me krijimtarinë time më shumë se sa me raportin që unë, dhe si unë shumë artistë, kam pasur me regjimin në raportet profesionale. Ky monument pati dy autorë të tjerë, njëri skulptor dhe tjetri piktor. Po ju tregoj disa detaje interesante për kuriozitetin e lexuesit. Edhe ky monument u bë pra me bashkautor, që të kishte më shumë “siguri”.. sepse siç thuhej atëherë, “bashkimi bën fuqi”, parrullë të cilën unë e dija ashtu si edhe për “diellin”, se ky lokucion qe i monizmit. Në fakt qe huazim i maksimës “L’unita fa forza”, që përdorej që në kohët e Romës antike. Dy autorët qenë mbathur edhe me një brigadë ndihmësash në realizim, njëri prej të cilëve u propozova edhe unë, dy-tre muajt e fundit, pasi e njihja mirë buxhardinizmin. Në atë kohë unë isha asistent-pedagog në ILA, dhe meqë njëri prej autorëve u sëmur rëndë dhe praktikisht s’qe i aftë për punë, drejtimi i mbeti piktorit. Për disa muaj monumenti hyri në krizën e besimit, dhe jo se piktori apo bashkëpunëtorët qenë të paaftë, por sepse duhej një “salvatore”. Dhe ky “mesi-a” isha unë. I përshëndes ish autorët dhe bashkëpunëtorët, dhe nëse e lexojnë këtë intervistë besoj se do të bien dakord me mua dhe do t’i quajnë “të shkuara e të harruara”, si edhe unë. Sigurisht që vuajtjet trupore harrohen më lehtë, ndërsa ato shpirtërore, kur lodhet shpirti, vështirë se harrohen kollaj. Dy herë më ka ardhur në ILA ish specialisti i arteve në ministrinë e Kulturës së atëhershme, një miku im, i cili me qetësi më tha se: “monumenti i Enverit, ky i Tiranës ti e di që ka hyrë në krizë, prandaj ka nevojë për dorën tënde”. Të mos e zgjas, i them edhe unë po me qetësi: “ç’të shkoj unë atje. Tani s’është mirë jo vetëm për autorët, por edhe për shokët e mi”. Kështu qe kjo bisedë në formë miqësore, por që në fakt qe ndezur drita jeshile dhe kjo po më shqetësonte dita-ditës. Me një kolegun tim e konsumova këtë muhabet dhe i pata thënë bindjen time, arsyet e vërteta përse nuk doja të shkoja dhe me të qemë në harmoni pikëpamjesh. Ai u çudit kur pas pak kohe u gjenda në studion e realizimit. Por kjo ndodhi se s’isha aq trim, mbasi në fisin tim nuk kisha kurrfarë mbrojtjeje politike dhe kolegu im s’e ka kuptuar kurrë këtë pozicion. Tani mbase e ka kuptuar. Mbas ndonjë jave vjen prapë miku, i cili mbase edhe ai e kishte lakun në fyt, dhe më thotë se të gjithë mendojnë se ti duhet të shkosh, se monumenti s’ka më punë hamallëku, veç ka nevojë për dorën e fundit sepse finesa jote do t’i bëjë mirë. I them prapë, jo. Mos më ngatërro mua në atë mishmash që është gatuar atje, sepse unë e di sesi janë punët. U bënë dy “jo”. U ndez “drita e kuqe”, mbase jo prej mikut tim. Një “jo” e tretë do të thoshte shumë. Më shumë nga genocidi që u ka ndodhur çamëve të mij, dhe për rrjedhojë isha në pritje të urdhrit. Unë nuk e dija atëherë se edhe Pikaso-s në kohë të vet i thanë që të bënte një portret të Stalinit dhe ai i tha “Po”. Nëse do ta dija këtë fakt të cilin e mësova vonë, kur këndova libra të ndaluar, edhe unë do të thosha “po”. E bëri Pikaso perëndimori portretin e Stalin Lindorit, dhe, mbasi e bëri si lugat, e përjashtuan nga partia. Kishte filluar mbrëmja dhe isha në një korridor të ngushtë, që qe studioja ime, në fund i mbyllur, në katin e tretë të fakultetit, në të cilën punoja atëherë figurat e Marko Boçarit dhe Hasan Tahsinit. Këto dy skulptura hapën librin e madh të artit antik, libër ky që s’do të mbyllet deri në skulpturën time të fundit. Por duke qenë pasardhës i Pirros së Epirit, me sa duket po i ngjaj atij me fundin-fitore, me nder, po me humbje të mëdha. Sepse në vend që të vazhdoja punën me statujën e M. Boçarit, urdhri si rrufe digjte çdo marrëdhënie emotive e frymëzimi për të punuar e përjetuar veprën tënde, e jo të dikujt tjetër. Vetëm pas një periudhe relativisht të gjatë i rikapa stekat dhe rifillova të modeloj statujën time të Marko Boçarit tonë... Urdhri zbriti në studion time me trokitjen e derës prej nga hynë dy shokët e mi që punonin tek “Veri”, dhe me zhargonin e kohës më thanë: “E hongre plako, nesër do vish tek ne. Sot erdhi në studio gjysma e Byrosë Politike dhe ata vendosën për ty, pasi pyetën se kush është ky djalë. I thanë se është pedagog në Institutin e Arteve”. Ata thanë dhe urdhëruan “Ta lërë mësimin dhe të vijë që nesër këtu”. Dhe këtë urdhër ia lanë dy shokëve të mi të ma komunikonin. E lashë punën dhe që nga ajo natë e deri më sot unë s’i kam thënë kujt “po”. Se edhe shokëve të mi nuk iu thashë “po”. Nuk i thashë “po” madje as ndonjë urdhri me shkrim apo vendimi. Por megjithatë në atë rast shkova si capi te kasapi. Të mos e zgjas, e mbylla studion dhe bëmë shëtitjen klasike të bulevardit. Hipëm tek kafja në katin e dytë të Pallatit të Kulturës ku pimë kafe e konjak dhe ku unë dëgjova prej tyre çuditë e monumentit. Përballë qe sheshi bosh. Si e përjetuat rrëzimin e këtij monumenti më 20 shkurt 1991? Për koiçidencë ditën e rënies së statujës gjigante, jam gjendur me tim vëlla pikërisht tek kjo kafene, po në të njëjtin vend. Sigurisht nuk po rrinim në karrige e po pinim kafe e konjak, por mbi tavolina, duke parë pas xhamit të madh gjithë sheshin “Skënderbej”, tashmë plot me qyetarë, plot me policë e qen zinxhiri, dhe mes tyre statuja e mënjanuar e diktatorit me litar në qafë. Salla qe plot dhe askush nuk më njihte mua skulptorin që i pata dhënë “dorën e fundit” monumentit që po e rrëzonte “sovrani”, e që tani bashkë me të tjerët po i shikoja fundin. Dhe nga ky moment jo vetëm unë, por të gjithë dolëm nga “shpella”. Nuk po ua them sesi reagova bashkë me tim vëlla, sepse s’është mirë të rrëfej emocionet. Por për një gjë jam i bindur, se u bë mirë që u rrëzua, se “u bë me miell hua”. Dhe për më shumë, ngaqë kjo monstër u realizua me “kalecin”, “spiunin” brenda në studio, i cili rrinte në një kolltuk të vjetër e të pistë derisa ne e linim punën. S’ma merr mendja që ndonjë monument në botë të jetë bërë në prezencën e një njeriu kaq misterioz... Që s’qe as roje, as specialist, as ndihmës i baltës, as marangoz, as saldator. Nuk e di seç qe ky njeri, ky fshatar i rreshkur që e mbanim edhe me cigare. Padyshim që e kanë urdhëruar: “mos luaj vendit..., dëgjo se ç’thonë dhe shiko se ç’bëjnë...”. Ditari i tij, nëse gjendet, do të qe kryevepra e Realizmit Socialist. Para se të rrëzohej monumenti thamë njëherë të zbrisnim poshtë në shesh me tim vëlla, ku sovrani po luftonte simbolin e bronztë. Bëmë mirë që thamë njëzëri “jo”. Sepse nuk donim që të ishim të pabesë dhe që ata të ishin të larë, e në këtë mënyrë të vërtetohej teza famëkeqe të cilën çamët e gjorë e kanë mbajtur mbi kurriz, veç masakrimit fizik e shpirtëror, edhepse u rrëshkiti toka nën këmbë e qielli u ra mbi kokë. Dihet që çamët, megjithatë, nuk lidhën ndonjë kontratë apo besë me komunizmin. Edhe unë nuk nënshkrova ndonjë kontratë me komunizmin, përveçse shkova me urdhër në destinon e fatit. Ndonjë “studiues i vëmendshëm” mund të na thotë se “u shpërblyet me një rrugë në Greqi”. Po studiues, ke të drejtë! Edhe pse s’u pagova, unë i rrëmbeva diktaturës çelësin për të hapur “portën” e artit të madh grek dhe vendit të madh çamëri, pikërisht atëherë kur unë kisha nevojë për to. Dhë nëse diktatura s’më tha asnjëherë “faleminderit”, pas 30 vjetësh po e “falenderoj” unë diktaturën që më akordoi medaljen “Urdhri Naim Frashëri i Klasit II”. Por nuk do t’ia fal kurrë shkeljen e detyruar të amanetit të tim eti, që u gëzua shumë kur mësoi se ne, pjestarët e grupeve realizuese të monumenteve të Enverit, do të shpërbleheshim me një rrugë-vizitë turistiko-kulturore në Greqi. Babai para nisjes më tha: “shko vër këmbën atje ku e kam vënë edhe unë..., shih vatanin dhe varret tona..., dhe ec e më thuaj...”. Por në kthim, duke lënë Peloponezin u ndalëm të pinim kafenë e mëngjesit. Në grupin tonë prej 30-40 vetësh, bënte pjesë edhe miku im, piktori Fatmir Miziri, (si përfaqësues i ministrisë së Kulturës), e të cilit i kërkova që të më ndihmonte që me mirëkuptim grupi të devijonte itinerarin në mënyrë që ne të kalonim nëpër çamëri, që unë të kryeja porosinë e tim eti, të realizoja ëndrën time dhe dëshirën e shokëve të mij që ishin po aq entuziastë sa edhe unë për të parë çamërinë tonë. Fatmiri u tregua i gatshëm dhe mori përsipër që bashkë me mua t’i thoshim udhërrëfyesit grek të na e mundësonte ndryshimin e itinerarit. Ia thamë udhërrëfyesit dhe u gëzuam kur ai jo vetëm nuk refuzoi, por u tregua i gatshëm. Në këtë kohë drejt nesh erdhi njëri nga pjestarët e gjysmës së grupit të bashkudhëtarëve shqiptarë, (që deri në atë kohë ishin prezantuar si punonjës të ministrisë së Turizmit të asaj kohe), dhe më pyeti me zë të vrazhdë: “çfarë problemi kishe, që biseduat”. I them atë që bisedova me Fatmirin dhe udhërrëfyesin grek. Më thotë me ton arrogant dhe kërcënues: “S’ke punë ti të pyesësh atë..., ka të tjerë që pyeten këtu...”. I irrituar i thashë se unë dhe grupi ynë i skulptorëve nuk njoh ndonjë drejtues tjetër përveç Fatmirit, ndaj s’kam asnjë punë me ty. Unë jam çam dhe dua të shoh trojet e mija..., ç’punë ke ti...?”- i thashë më shumë se i irrituar. “Kështu si të them unë dhe mos e zgjat...”, - m’u përgjigj me zë të vrazhdë “vëllai im”, i ashtuquajturi shef i gjithë autobusit. Ky ishte shpërblimi i vërtetë i diktaturës për çamët dhe çamërinë. Nga dëshpërimi kuptova se nuk kishte kuptim të urreja grekun udhërrëfyes, por udhërrëfyesin tonë ideologjik, që po çonte në vend amanetin e siamezit ideologjik Napoleon Zerva. Urrejtjes për çka më ngjau iu shtua keqardhja për faktin se ndër të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e monumenteve, i vetmi që nuk u lejua, për arsye biografike, të shikonte artin e madh grek ishte miku im Fatos Kola, të cilit me dhimbje i tregoja përshtypjet nga ky art, bashkë me zhgënjimin që pësova... Ia tregoja me dhimbje sepse edhe ai, si të gjithë ne kontriboi për diktaturën, por jo vetëm që nuk pa Atin e skulpturës, por mbajti mbi shpatulla një përbuzje klasore poshtëruese. Pas 30 vjetësh gjej rastin ta “falenderoj” gjithsesi diktaturën që më “dha” Naimin dhe të madhin Fidia-“barbari”, që dekoroi Partenonin me eposin pellazgjik, që ishte skllav në Athinë, pra që nuk ishte helen. Siç thashë edhe më lart, ne çamërit, unë dhe vëllai im, në çastet e rrëzimit të monumentit, menjëherë përqasëm medemek theqafjen e masivit të bronztë me fatin tonë tragjik, në të cilin kishte kontribut edhe Enveri. Në ato çaste, më tepër se mungesën e demokracisë, ne çamët vuanim mungesën e atdheut, mëmëdheut, pra dheut të atit dhe të mëmës, dheut dhe varreve të të parëve... Kur thashë më lart se neve na ka rrëshqitur toka nën këmbë, pra dheu..., figurova menjëherë imazhin e Anteut, (antipodi i Titanit). Toka nën këmbë i mohohet. I mohohet njëkohësisht edhe fuqia. Ky do të qe një motiv që unë të bëja një skulpturë monumentale në atë pak çamëri të mbetur (se Zoti s’ti merr të gjitha). Një skulpturë në Butrintin tonë të bukur, në mënyrë që Apolloni (apo Dea e Butrintit), me dritën e tij ta iluminojë atë. Në fund të fundit të dy ne vëllezërit kishim të drejtë, sepse ekzistencializmi paska qenë për ne, në kohët moderne, një filozofi komportuale. Lufta për mbijetesë ka bërë që të zgjedhim rrugën e mundimshme të punës së ndershme. Kjo “sopravivencë”, gati hebraike, jo vetëm për mua, por edhe për artistë të tjerë si piktori i madh Kolë Idromeno, “Da Vinçi i kulturës shqiptare”, edhe pse njëqind vjet para meje paska ka qenë motori që ka vënë në lëvizje shpirtin tonë. Gruaja ime Entela është piktore dhe në shtëpinë tonë është një pejzash i punuar prej saj për qytetin e shkëlqyer bregdetar, Parga. Ka rastisur këto ditë që këtë pejzash ta shohin shumë miq e shokë të cilët më kanë ardhur për ngushëllim për t’im at. Shumë çuditen kur u them se ky është qyteti i babait të Idromenos, pra i origjinës së tij prej çamërie. Shumë shprehin habi! Përse? Dua me këtë rast të shtoj edhe një çështje tjetër që mund të jetë e diskutueshme. Do t’i referohem t’im eti, i cili pati kryer vetëm katër klasë të shkollës greke, por që shkruante e lexonte shumë bukur shqip, pa frekuentuar asnjë ditë shkollë. Ai thoshte (sigurisht me të dëgjuar), se kur ne erdhëm të shpërngulur me dhunën barbaro-helene në kufirin shqiptaro-grek, më saktë në kufirin shqiptaro-çam, ose më saktë akoma “shqiptaro-shqiptar”, në Qafë Botë, më 1945, (po e them ashtu siç unë e kam dëgjuar), u grumbulluam në pritje të një urdhri. Dhe në këtë kohë e kishin pyetur Enverin, çdo bëhet me këta. “Futini, po të keni kujdes se ata janë nacionalistë”, - tha ai. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë vërtetimi i besës së çamëve nuk ka koment. Por dhe tjetra që është po aq e rëndësishme. Se ashtu siç Stalini për hebrejtë u pa si “liberator”, e njëjta gjë çuditërisht paska ndodhur me çamërit në ngjarjet biblike të tyre dhe për pasojë edhe Enveri paskërka qenë “liberator”!!? Veçse ka një ndryshim tek ky i yni, se qe i racës sonë, dhe i takonte ta bënte. Ja edhe një arsye shtesë në një rast tjetër. Në ditën e rrëzimit të monumentit, ja përse s’duhet të ishim në shesh, por në Pallatin e Kulturës. Dhe që të rrish në Pallatin e Kulturës Kombëtare e më gjerë, është shumë e thjeshtë. Mjafton të mos jesh mashtrues e i pabesë i kombit tënd. Sepse dashuria dhe respekti për atdheun është natyrale. Ajo s’i takon vetëm rilindësve, dhe për gjërat natyrale latinët thonë: “Natyralia non sunt turpia - gjërat natyrale nuk janë të turpshme”. Vini re sa shqip tingëllon latinishtja. Patriotizmi i shpërdoruar në kohën e regjimit, e ka dëmtuar shumë psiqikën e një takëmi shqiptarësh. Fola pak për çamërinë dhe atdheun, se dashuria për krahinën e origjinës dhe atdheun po bëhet demode për modernët. është në fakt kompleksi i inferiorit apo skllavit, i cili do më shumë padronin se babain apo nënën e vet. Dhe ky qëndrim alla-neosuditist – (suditët në mesjetë qenë nënshtetas të varur nga padroni, i cili kishte të drejta absolute mbi këta shtetas dhe me ligjin “Ius prima nacta – drejta e natës së parë”). Athua se vetëm për Namin dhe Fishtën vlen dashuria për atdheun? Mendoj se brezat e rinj duhet të lihen të lirë në ngjizjen e dashurisë për vendin, historinë e të parëve, kulturën e tyre, sepse ata nuk mund t’i imponojmë. Nga çka gjykova më lart, del se tingujt e fyellit të politikës, unë, prindërit, vëllezërit e mi, i kemi të brendshëm, nuk i kemi të mësuara me partiturë. Gjykimet mbi çështje të tjera, që i trajtova më lart, dhe sidomos pjesët e eksperiencave personale dhe profesionale, i kam të mësuara me partiturë.Pas kaq peripecish dhe dhimbjesh shpirtërore, si e përjetuat emocionalisht çastin e inaugurimit të monumentit të At Fishtës? Pra ju po më shtyni që të kthehem edhe njëherë tek gjysma e dardhës me gjithë bisht, që më mbeti pa ngrënë kur më thirri sefte komisioni dhe kur u nisa për në Galeri. Fundi i monumentit të Fishtës kishte një pikëpyetje, edhepse unë e gjeta përgjigjen me vonesë. Ky monument ishte me “shfaqje të huaja”, dhe si i tillë u bë i frikshëm për burokracinë, që nuk po dinte nga t’ia mbante. U krijua një konfuzion, saqë nuk po merrej vesh se kush do të ishte institucioni që do të caktonte datën e inaugurimit dhe, për rrjedhojë, cili do të organizonte pjesëmarrjen sipas protokollit. Natyrisht, siç e meritonte, jo thjesht monumenti im, por nderimi për njeriun që të huajt e mëdhenj e quajtën “Homer, Virgjil, Dante... i Shqipërisë moderne”. Më në fund u caktua data. Ditën e përurimit u krijua një atmosferë absurde, abstrakte, pothuajse hënore, e pashembullt në historinë gati 100-vjeçare të inaugurimeve. Një valle fëmijësh me daulle, dy rapsodë me çifteli, që me zërin e tyre sikur donin të trembnin “fajkoin”, që mesa duket atë ditë rrinte tek kështjella e Lissit dhe, më tej, Akrolisit, ku dikur rrinin zanat, orët, shtojzovallet, floçkat... Po pse sheshi i qytetit të Lezhës ishte pa popull, teksa një natë më parë ishte plot dhe një natë më pas u stërmbush prej koncerteve muzikore? Kjo sepse fajkojtë që kishin kaluar si kasnecë të djallit një ditë më parë, një muaj më parë, një vit më parë, shtëpi më shtëpi u kishin thënë “mos shkoni..., se Fishta asht lakuriq”. Gjithë qyteti u vesh me lëkurë, “... sakrilegj, turp..., ku asht ndera...”. Daullet pushuan, rapsodët pushuan, ministri dhe kryetari i bashkisë pushuan, të gjithë heshtën, perdja ra mbi zhavor, sepse sheshi, as atëherë dhe as sot, ende nuk është shtruar me pllakat e famshme të gurit të krahinës së poetit të madh. Zhavori më kujtoi breglumin, eshtrat... Unë që po rrija mes miqve e shokëve, papritur e pashë veten në mes të pushtetarëve. Siç u thashë më lart, dy duar të forta më mbërthyen nga shpatullat e lodhura dhe më shtynë midis ministrit e kryebashkiakut, me fjalët “ty të takon të rrish këtu, kjo është dita jote”. Këtë zë e kisha dëgjuar dy vjet rresht. M’u duk sikur foli Fishta. Zëri i njohur prej dy vjetësh qe i Fishtës, duart që më shtynë qenë të Pashk Përvathit. Një dritë e bukur e diellit të gushtit ra mbi bronz... Ktheva kokën nga kështjella. Fajkoi iku. Iu vranë sytë e fluturoi më në Veri dhe u ndal në kështjellë të Rozafës për me i thanë asaj për me njoftu gratë e Shkodrës të mos i çojnë vajzat në Lezhë, “se asht turp..., se Fishta asht lakuriq”. Sheshi i zhavortë gati u boshatis. U ndjeva i qetë mes miqve të mi. Ata qenë të vetmit që morën pjesë në festën time, pasi pushtetarët u larguan menjëherë. Por heshtja nuk zgjati. Zëra dhe fytyra të panjohura më urdhëruan, “të mos shkelësh më në Lezhë. Ti nuk duhet të hysh më në këtë shesh. Kjo që ke bërë ti është turpi i Lezhës”. E ruajta qetësinë, sepse Fishta do më qortonte nëse unë do të përgjigjesha ashpërsisht. U fola me zë të ulët ngaqë fytyrat e tyre ishin aq afër saqë ulërima do t’i rrëzonte bronzet e sapoinaguruara: “Mirë, ky është mendimi juaj zotni, s’ka rëndësi se ju nuk më lejoni mua të hyj në këtë shesh. Unë po lë Fishtën dhe Lahutën”. Më tërhoqën prej krahu miqtë e mij. Lëviza ngadalë i hutuar, bashkë me ata, me gruan dhe fëmijët. Isha i mpirë nga kjo ngjarje, që më mundoi më shumë se çdo skulpturë që kisha bërë deri atëherë. “Urlani” i bronztë thërriti: “Ndalju! Ku veni burra? / Pashi Zotin lshoni hutat / pse tepër gjak asht derdhun / pse tepër bajtë i kem futat / prej vaj’ na asht marrun zani... / medet qiell, medet / a thue nuk jemi vllazën...” Duke u larguar nga sheshi, u thashë fëmijëve, gruas dhe miqve të mij: “unë baltë do të shes dhe skulpturë s’bëj më”. U kundërshtova nga të gjithë. Kur u ktheva në Tiranë i vrarë shpirtërisht, në heshtje e vetmi me dhimbje shkrova: “Kam da, ta dini / me vjetët sivjetit / me u shporrë Lezhet / artit dhe skulpturet / me kenë i vedit... / Ta dijë Shqipnija / pra shekulli mbarë / se ma mbas sodit / unë s’jam skulptor / A e ndjen zotni / që rrini m’shkam / unë ma me sodjet / skulptor nuk jam / m’thirrni si t’doni / u thom: Urdhno! / zulu ma njitni / skulptor por jo / pse krejt sot jetën / un ndërrue e kam / kam le për s’dyti / skulptor ma s’jam / m’thirrni si t’doni / n’Afrikë mos shkoni / skulptor mos thoni / pse krejt sot jetën unë e kam ndërru / kam le edhe iher / t’mos jem i mjerë / por t’rri n’lluc e të jem i ndjerë / i ndjerë e i nigju dhe i paharru / se kshtu si derri ruhet dhe nderi /. Pasi i lexova e rilexova disa herë në vetmi ato që kisha shkruar, befas m’u kujtua Horaci i madh: “Non homnis moria”-(Jo gjithçka vdes). Më pas m’u kujtuan vargjet lapidare të Bajronit: “Por se kam rrojtur dhe jo kot më kot / mund t’i humbë mendja forcën, gjakun, zjarrin / po kam diçka që nuk ma shuan dot / as vojtja, as koha, dhe që rron pas meje / diçka që s’është e dheut dhe nuk e njohin / por si jehonë e harpës të pushuar / do t’u kujtohet zemërzbuturve / t’u zgjojë zemërgurëve më vonë dashurinë /. Dëshpërimat e shpirtit të skulptorëve ngjajnë me ato të poetëve, por poetët e kanë më kollaj të çlirohen nga kthetrat e tyre. E mori vesh edhe Kadareja, dhe hodhi rrufenë..., më ndëshkoi për mendimin për të hequr dorë nga skulptura. Unë e di që shkrimtarët janë kushërinjtë e skulptorëve, ndaj e falenderoj që më ndihmoi të mos bie në gjunjë. I uroj edhe unë të mos ndalet së punuari drejt çmimit “Nobel”. Më vjen keq, shumë keq, që dëshpërimat e shpirtit ende s’mund t’i ndal dot. Pashku, ky njeri fisnik që jeton në Lezhë, është shndërruar në viktimën e këtij monumenti. E fyejnë, i kanë prishur qetësinë. E detyrojnë të betohet mbi kanun. Në media pasoi heshtja e varrit. Edhe kronika dhe biseda në studion e TVSH me iniciativa private, u tentuan të bëhen pis. Më kujtohet që ato ditë në një media private kronikat jepnin lajme për elefantët në Indi a Pakistan, sesi atyre u vinin proteza në këmbë.Përveç heshtjes së mediave, incidentit, bazamentit dhe tapetit prej guri rreth monumentit, çfarë pengu tjetër ju ka mbetur? Më duhet ta modeloj bazamentin për të cilin bashkia e Lezhës është e vonuar, dhe të shkruaj në ballin e podiumit (bazës së gurtë), vargjet më tipike të poetit, madje edhe emrin tim, të cilin nuk arrita dot ta gdhend. Pres ende përgjigjen e bashkisë. Ndërkohë monumenti në allçi, që shërbeu si modeli për kthimin e tij në boronz, ndodhet i coptuar nga teknologjia e “fjalës së fundit”, që m’u propozua në refuzim të fonderisë italiane. Ky model duhet të përbashkohet dhe të ruhet si çdo origjinal i një monumenti, i cili ruhet për dy arsye: si vlerë historike; dhe për të verifikuar a është përkthyer mirë ky model nga fonderitë e famshme të imponuara... Sepse në vend që ky monumet të derdhesh bukur në fonderitë me tradita më shumë se 2 mijë vjeçare të Italisë, u katandis në ndërmarrjen tonë të Veprave të Artit, së cilës i kanë ngarkuar të punësojë sa më shumë punëtorë dhe të ruajë që valuta jonë të mos dalë jashtë kufijve, sipas parimeve të famshme: “Të çajmë me valutën tonë bllokadën...”, dhe “Të mbështetemi në forcat tona”. Pra megjithëse monumenti nuk ka mbaruar, edhepse perdja ra mbi zhavor, dhe unë ende nuk kam hedhur firmë në akt-dorëzimin përfundimtar, sipas ligjeve, më duhet të mbaroj punët e mbetura dhe të paraqitem me detyrim në studio, që të mos më akuzojnë se jam larguar në “drejtim të paditur”, duke u akuzuar probabilisht se kam “abuzuar me detyrën dhe paratë e shtetit”. Absurdi shtohet kur dihet se përfundimin e bazamentit nuk mund ta bëj në shtëpinë time, sepse studio më refuzohet nga QRA me një letër që nuk m’u dha dorazi por ishte hedhur brenda në studio. Në të urdhërohej që, qysh nga 25 nëntori, brenda tre ditësh, të largoja modelet në allçi të sipërcituara. Komunikova me ministrinë, ua tregova problemin, dhe si përgjigje mora keqardhjen dhe shtyrjen 1 mujore të afatit të skadencës së ultimatumit. çka do të thotë se akoma vendimmarrësit nuk po kuptojnë gramatikën profesionale dhe detyrimet që kanë. Por ajo që më trishton më shumë është vazhdimësia e propagandës dashakeqe për “Fishtën lakuriq”, në emër të “Vox populi...”, në mediat lokale dhe mbarë trevat fishtiane të Lezhës dhe Shkodrës. Dhe në këtë mënyrë opinioni do të ndjekë vetëm gjykimin e djallit, sepse në vend që të pranohet ky monument nga mentaliteti i “brishtë e anikonik” i shqiptarëve, (i imponuar sigurisht), ka shumë gjasa që ky monument të mbetet si një totem i frikshëm e t’i gjuhet me gurë si në Mekë. Them vëllazërisht të mos tutet askush se “ka dal nji burr lakuriq në mes t’Lezhës”. Nuk asht Fishta lakuriq, asht Titani ai që asht lakuriq ndër ndër zana, or e shtojzovalla lakuriqe. At Fishta që nuk po e sheh grigjën në kambë të monumentit, thërret: “... Hej moj zanë ty t’kjosha true... / edhe kapu n’Rozafat / mi at kala t’Shkodrës mizore / ndera e nami i tokës arbnore /... Behma ktu n’kët Lissus të vjetër / ku larg zhurmet e poteret / dola edhe un n’kët buzë prandveret / për me këndu n’Lahutë t”Malsisë / se si u end fati i Shqipnisë /... Jo, po këtu edhe ke me pa / ke me pa po njat kala / qi m’nji kodër titanike / ngreh mbi ledhe ciklopike / për tre mijë e kusur vjet /... eja pra moj sy qershi / moj bel-holla rritë ndër molla / edhe kangën ma fillo / e un këndo mandej ti këndo / si këndon zogu i verës – o”. Ju lezhjanë e shkodranë mos u tutni, po shkoni e knoni bash tek Fishta katolik. Du me ju thanë edhe i gja: “Shumë prej jush ka shkue në Firence. Nuk a turp në shesh të saj, ku Davidi lakuriq ka 500 vjet, e nuk ka ftohtë. Shumë prej jush del edhe në fotografi në këtë lakuriqësi, me gru e fmij, e nuk asht turp n’Itali. Pse asht turp në tonën Shqypni. Në Shqipni asht halli se asht djalli, jo m’shkodran e m’lezhjanë, por tek zotat në Tiranë. Intelektualëve (dhe ndofta edhe klerikëve), profesorëve, akademistëve e kritikëve, po u kujtoj “Habemus Papa – (e kemi Papën)”, thuhet nga dritarja e Vatikanit kur del tymi i bardhë i letrave të votimit që digjen. Dhe a e dini ku është qendra elektorale? është bash në sallën magjike të “Cappella Sistina”, në të cilën është pikturuar “Giudizio univerzale”, me qindra figura lakuriqe. Bash njaty zgjidhet Papa i ri. Dhe a e dini se 500 vjet më parë, kur Mikelanxhelo freskonte muret e Sisstinës, pak më përpara Skënderbeu ynë pikturonte me shpatë malet e Shqipnisë dhe i siguroi qetësinë mjeshtrit të madh. Dhe nuk mjaftuan 500 vjet frikë nga imazhi apo shembëlltyrat sensibile në formë të artit të skulpturës, por bash edhe njëmijë, shto më mbrapa edhe 50 vjet të artit në fund të socrealizmit, përpara se Lissi, Dyrrahu, Apolonia, Butrinti, të binin në dhe. Jam i sigurt se, nëse gërmohet pranë monumentit të Fishtës, do të zbuloni të ngjashmin, shembëlltyrën e kësaj skulpture. Sepse siç dihet, ajo që gërmojnë arkeologët, të jeni të sigurt që është tradita jonë kabala (traditë hebreje) e skulpturës albaneze apo pellazge. Kritika, (nëse ka), duhet të ndajë teorikisht ç’është art dhe ç’është jetë (histori, realitet, natyralitet, e vërtetë). Unë e bëra timen. Unë di të flas vetëm me gjuhën e formës, gramatikën e volumeve, simboleve figurative, edhepse u përpoqa me fjalën me ju ndihmue. Kritika të bëjë të vetën, sepse larg qoftë do mblidhet curia (gjykata)... Ta lexojmë historinë e vërtetë të artit dhe të mos e “çajmë rrugën e historisë së artit tonë me shpatë në dorë”, se e shoh se kështu, me shpata e hunj në dorë, e jo me mend në kry, historia e artit të skulpturës prej 1555 vjetësh errësirë do të mbetet po prapë në terr. Të na bëhet mësim ky qëndrim askulptural dhe të thellohemi në kohën moderne, që edhe ajo ka rreziqet dhe kërcënimet e veta, ngaqë në emër të afigurativizmit mund të precipitojë në shfaqje e demonstrime të dizajnit urban formal, e për rrjedhojë qytetet e Shqipërisë të vishen me kostumin e volumetrisë së kohës dhe mendësive “bashkëkohore”, shkollave e shkollëzave. Mendësi e re që ka edhe ajo pretendimet e veta të natyrshme, por që nuk do të ketë kohën të riparojë e kompensojë këtë këtë boshllëk tragjik të së shkuarës. Sigurisht që nëse do të operonim vetëm kështu, atëherë për mua Shqipëria do të mbetej lakuriq edhe më tej dhe do të agjërojë edhe 1555 vjet të tjera. Nëse s’kemi fuqi kreative, përshembull, të ndjekim një nga shembujt e artit romak... të kopjojmë, që do të thotë të ridimensionojmë disa kryevepra të antikitetit tonë, dhe paralelisht vetvetiu edhe ne do ta shohim veten me pretendime për më shumë. Ky është një model, ka edhe të tjerë.çfarë mendimi keni ju për skulpturën bashkëkohore shqiptare? Në çfarë raporti qëndron ajo me atë botërore? Unë kryesisht gjykoj më së shumti nga ajo që kam parë në Tiranë, apo në ndonjë qytet tjetër, përsa i takon skulpturave publike, të ashtuquajtura “monumente komemorative”, ngaqë mungojnë librat dhe katalogët e specializuar, apo emisione te posaçme televizive në këtë fushë. Me ndonjë përjashtim të vogël, niveli i tyre është për të vënë duart në kokë. Përsa i takon dy shpërfaqjeve të tjera, atyre personale në ekspozita, nuk i njoh mirë, pasi vitet e mërgimit kanë ndikuar, dhe s’dua të nxitohem në adresë të kolegëve të mij. Ndërsa skulptura e varrit (ky aktivitet i nferuar i skulptorëve për njerëzit e thjeshtë), me sa kam parë në Sharrë e Tufinë, është e niveleve më të larta botërore. Nëse më lejohet ta përfshij në pyetjen tuaj kontributin e skulptorëve për Kosovën, e që tashmë quhet ndër ne “fenomeni Monument për Kosovën”, (një tjetër “performancë” kontemporane kjo e 10 vjetëve të fundit), e konsideroj Triumfi i Realizmit Socialist (me temë Luftën...). Niveli i tyre është jo vetëm për të vënë duart në kokë, por këto skulptura, në shumicë, duhet të ndalohen në doganë si “idolatria më e shkëlqyer antiheroike e luftës heroike për liri e pavarësi”. Kjo monstro-skulpturë ka invaduar tokën martire, duke e martirizuar edhe më tej nëpërmjet ushtrisë pushtuese të artistëve mediokër të shtetit amë. Për të shpëtuar nga kjo barbari antikulturë dhe antiqytetërim, deklaroj me bindje dhe përgjegjësi se figurat madhore kombëtare e mbarëbotërore si Skënderbeu e Nënë Tereza, të mos u jepen nga shteti si porosi skulptorëve të kukullave. S’e kam fjalën vetëm për monumentet, por edhe për skulpturën e “vogël” të interierit. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›