Figurat madhore kombëtare shteti të mos ua jepë skulptorëve të kukullave - Pjesa e Katërt
Si artist si e ndjeni veten në këtë realitet politik, artistik e social të Shqipërisë së 2009-s? Si ta ndjej, ç’tju them akoma. Më mirë është të denoncoj gjendjen time përballë shtetit, se gabimet e mija i di. Kam një familje relativisht të madhe, që duhet mbajtur me bukë e kulturë. Veten time e shoh në kurthe të çuditshme, dhe për këtë nuk di përse! Nëse kjo vjen ngaqë nuk jam politikisht i integruar, ky është një defekt i madh i demokracisë shqiptare. Nëse vjen prej paragjykimesh krahinore, aq më keq. Nëse vjen prej biografive të fisit, më keq akoma. Nëse vjen nga mafia dhe injoranca, kjo është skandaloze. Nëse vjen prej sekserizmit spiunor e falsifikator biografish e opinionesh, ky është një neodinozaur apo “Goliath”. Atëherë..., koha kërkon patjetër një “David”. Po e konkretizoj situatën në të cilën jetoj. 1.Jetoj në një shtëpi të palegalizuar, ngaqë e kam bërë pa leje mbi studion me leje. Dhe kjo sepse kontestator-konkuistatori rri gjithë ditën te zyrat e ALUIZNI-t, dhe gjithë natën ruan shtëpi-studion time! 2.Punoj në një studio të palegalizuar, edhepse është me leje, por është coptuar si Shqipëria më 1913-ën. Dhe kjo sepse kontestator-konkuistatori rri gjithë diten në gjykatë, dhe gjithë natën ruan studio-shtëpinë time! 3.Kam një titull “Profesor” të palegalizuar, ngaqë nuk është përcjellë dosja e miratuar nga Akademia, në ministrinë e Arsimit, dhe askush nga administrata e Akademisë, çuditërisht, s’ka patur kohë për 10 vjet rresht të bëjë një shëtitje në bulevard, nga sheshi “Nënë Tereza”, tek “Rruga e Durrësit”, (pa vajtur tek “Zogu i Zi”). Dhe kjo sepse kontestator-konkuistatori i zë pritë dosjes si “semafor i kuq”, tek “Sheshi Skënderbej”! 4.Kam një monument të palegalizuar, sepse KRRT e bashkisë Lezhë nuk ka nxjerrë lejen e ndërtimit, ngaqë këshilltarët e partive janë në antagonizëm, dhe sepse kontestator-konkuistatori rri ditën te sheshi i monumentit dhe nuk lë askënd ta shohë, “se Fishta asht lakuriq, asht grek, asht romak, asht çam!!!”. 5.Kam një punë të palegalizuar, sepse jam regjistruar për t’u legalizuar me NIPT që figuron si “biznes i vogël”, dhe asgjëkundi si aktivitet i madh krijues në fushën e skulpturës dhe pikturës. 6.Kam prona të trashëguara, të palegalizuara, sepse kontestator-konkuistatori... pretendon se unë çami nuk ekzistoj. 7.Kam një histori (akademike) të palegalizuar. Kam punuar 15 vjet si pedagog në Akademi..., por kontestator-konkuistatori të del para dhe të thotë: “Mund të kesh punuar këtu, un s’di gjo. Po e do për pension ina dakord. Si e do vërtetimin? Po nuk ta japim dot si profesor(!!!), se ti ke qen ktu por reformën e bomë ne, ti s’ke bo gjo plako!”. 8.Kam tre fëmijë që ndjekin shkolla arti, me programe formuese të palegalizuara e staf pedagogjik që s’është, as në Bolonjë, as në Tiranë, ngaqë kontestator-konkuistatori ka qysh në vitin 1959 që s’lëviz nga vendi. 9.Kam idealin për atdheun dhe artin të palegalizuara, ngaqë kontestator-konkuistatori po e bën atë TELEF me media e marifete të tjera. (Telefi - personazh mitologjik, biri i Herkulit, i cili e merrte me vete djalin në betejat e tij të tmerrshme dhe në këtë mënyrë i biri u bë trim. Trimëria e tij bëri që të kundërshtonte me forcë zbarkimin e akejve në brigjet e Mizisë, për në Trojë. Luftoi dhe vrau heronj me emër. Në këtë betejë ai plagoset rëndë në kofshë nga Akili, por ky i fundit, duke e ditur që pa ndihmën e Telefit Troja nuk pushtohej, shkoi dhe i shëroi plagën atij, me anë të ndryshkut të shigjetës së tij. Paskëtaj, Telefi i telefosur nga plaga që s’i mbyllej, por që më në fund Akili e shëroi, (ngaqë vetëm ai e dinte destinon prej orakullit), në shenjë mirënjohjeje i gjori u tregoi akejve rrugën për t’u futur brenda në Trojë). 10.Kam një histori tragjike gjenocidi, të palegalizuar, ngaqë kontestator-konkuistatori fjalën “tragjedi” e përkthen “komedi” dhe fjalën “gjenocid” e përkthen si “pastrim territori”, dhe kjo i takon bashkive e komunave! Pas këtyre që thashë, të dalë dikush të më thotë a jam qytetar i lirë, apo jo!? Po e largoj vëmendjen nga vetja, familja, fisi. Krahina e origjinës sime, në hartën gjeopolitike të Europës shkruhet “Thesprotia”. Të gjitha librat e rinj e të vjetër thonë se kjo krahinë që nënkuptonte më pas Epirin, e që me këtë emër nënkuptohej gjithë bota pellazgjike-“barbare”, ka qenë “e para – proto(s)”. E para në raport me kë? Me Theo(s) = Zot(?), apo e para tokë (the-dhe-dheu), apo i pari popull, apo e para gluhë (gjuhë)??? Meqë e para ishte fjala, pra “gluha”, i madhi Naim shkroi: “Eni (a mos po) vjen prej çamërie, me atë gluhë Perëndie”. Kam një histori kombëtare të pa legalizuar. 11.Kam mbretër e mbretëri të palegalizuara, qysh nga Geryoni legjendar i Thesprotisë (me shqiponjën në shqyt dhe stemë, me stemën e parë heraldike të gjithëpranuar botërisht dhe quajtur “Stema e Geryonit”) e deri tek Gega-Mbreti Leka i Parë. 12.Kam Aleksandrin e Pirron (më të mëdhatë figura legjendare të antikitetit), ende të palegalizuara. 13.Kam Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, ende të palegalizuar. 14.Kam Nënë Terezën, ende të palegalizuar. 15.Kam shkollën e Artit të Apollonisë (ku u shkolluan për arte perandorët e Romës...), ende të palegalizuar. 16.Kam “Stilin e Prishtinës” (skulpturë e famshme primitive), ende të palegalizuar. 17.Kam folklorin ende të palegalizuar. 18.Kam një gjuhë para indo-europiane, ende të palegalizuar. 19.Kam besime fetare të palegalizuara. Si mundem të jem i qetë në atdheun tim, kur kozmopolitët dhe medemek modernët integrimsa, dashurinë për të e quajnë “atavike”. Më vjen keq, por me çfarë kam lexuar nga Fishta kohët e fundit që më ka lidhur puna, kjo plagë është realitet edhe sot e kësaj dite realitet. Athua se 100 vite s’kanë lëvizur fare. Cili do të ishte mesazhi juaj për kolegët, për lexuesin? Sa për kolegët, atyre u them të bëjmë durim derisa “Kisha” e skulpturës të bëhet “autoqefale”. Pra ky art të ketë organizmin e vet vital, i cili fillon nga shkolla. Por edhe kështu, në këtë gjendje institucionale të lemerishme, në të cilën janë skulptorët shqiptarë, mbërthyer prej kompromizmave, le të bëjnë kompromis për bukën e gojës në arredimin e lokaleve, pabeve dhe kafeneve, por kurrsesi me sipërmarrje, kur pozicionohen në kryerjen e një skulpture publike, që ballafaqohet përditë me publikun, e kam fjalën kryesisht për monumentet, apo skulpturat eksterierë në përgjithësi, sikurse parqet, fasadat etj.. dhe në një pozicionim të tillë t’i harrojnë, edhe vuajtjet, edhe bukën e gojës, sepse fytyra e skulpturës që ata bëjnë është edhe e tyrja, dhe jo vetëm... Sa për lexuesin, nëse pati durimin dhe më lexoi e kuptoi deri në fund, i them faleminderit. Po ashtu dhe gazetës suaj. Edhe ty Flori, se ti që më gjete mua, ty të gjettë e mira. Sepse theve heshtjen mediatike vrastare. Faleminderit të gjithëve dhe gëzuar vitin e ri 2010. Se 2009-a na la me kutinë (vazon) e Pandorës pa hapur. Ndërsa lexuesit idhnak e bjerraditës, i them edhe atij gëzuar Vitin e Ri dhe të mos nxehet me mua, se kutinë e mistereve dhe të të fshehtave që thashë më lart, s’e hapa unë, por Pandora, nga “PADIJA”.Vlerësime nga kritika Giannetto Valzelli – kritik arti Skulptura “Polifonia”..., e zgjedhur në më shumë se 700 aspirantë, në mermer të bardhë Karrare..., pesë fyej kolona rrethojnë shkëlqimin e një torsi femëror (2 metër e lartë, në bashkësimin e marrëdhënies së formës me hapësirën, e cila do t’i kish pëlqyer edhe Henri Mur-it). Kjo vepër... është pagëzim i një koncerti monumental.Fatos Kola – pedagog dhe kritik arti Me veprën ansambël-skulpturor në bronz, skulptori Ilmi Kasemi ringjalli At Gjergj Fishtën me një gjuhë plastike të lartë e të përkryer, duke shënuar kësisoj realizimin e kryeveprës së parë të skulpturës eksterierë qytetëse shqiptare të shekullit XXI, pas dy kryeveprave të shekullit XX: “Luftëtarit kombëtar” të O. Paskalit, Korçë; dhe monumentit “Skënderbeu” të J. Paços, Krujë....