E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca spanjolle e BE dhe ish-diplomati Solana premtojnë vendim të shpejtë për heqjen e vizave

Ministri i jashtëm spanjoll, vendi i të cilit ka presidencën e BE-së, si dhe ish-kryediplomati Havier Solana deklaruan në fillim të vitit se vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë do merret shumë shpejt, meqë ajo i ka përmbushur të gjitha kriteret e paracaktuara
 
Viti i ri 2010 që sapo ka hyrë, do të jetë viti i liberalizimit të vizave për shqiptarët. Ndërkohë, që ky proces tashmë është fakt i kryer dhe çështje kohe, garancitë që vijnë nga kancelaritë e BE-së dhe ato Perëndimore, janë një garanci më shumë për liberalizimin e vizave, në një kohë të shpejtë, që nënkupton 6-mujorin e parë të këtij viti.
Për vitin 2010, deklarimi i parë optimist për Shqipërinë, ka ardhur nga BE-ja, ku Havier Solana, është shprehur për një proces të shpejtë të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Ndërkohë, më herët, garancitë i dha disa ditë më parë, Ministri i Brendshëm spanjoll Alfredo Perez Rubalcaba, gjatë një takimi që pati në fundin e vitit 2009 me homologun e tij, Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha.
BE - Havier Solana
Së shpejti pritet miratimi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Deklaratën e parë optimiste për vitin 2010, e ka bërë ish-shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë në BE, Havier Solana. Ish-zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Havier Solana, ka vlerësuar se bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi në Ballkan janë me rëndësi vendimtare, ndërsa forcë nxitëse paraqet integrimi evropian.
Solana ka përshëndetur vendimin e BE-së që banorëve të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë t’u hiqen vizat për zonën “Shengen”.
Ai ka shfaqur bindjen se i njëjti vendim do të miratohet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe ka shtuar se BE-ja po shqyrton rrugët e përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të regjimit të vizave.
Sipas Solanës, Ballkani ka vendin e vet në Bashkimin Europian, por duhet ti japë fund konflikteve dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal.
Solana ka vënë në dukje se, “me forcimin e lidhjeve mes vendeve në këtë rajon, ideja për luftërat dhe konfliktet bëhet e pamundur”.
Ish-shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë në BE, Havier Solana tha se tre vende fituan liberalizim vizash, së shpejti ky vendim do miratohet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjen, ndërsa BE po shqyrton përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Solana ka deklaruar gjithashtu, se bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi në Ballkan janë me rëndësi vendimtare për integrimin e rajonit. Ai ka pohuar se perspektiva evropiane e Ballkanit po bëhet gjithnjë e më e prekshme për Ballkanin dhe se zgjidhja për këtë hapësirë nuk është te ndarjet dhe ndasitë e mëtejme, por integrimi në Bashkimin Evropian. Në vitin 2009 vendet e Ballkanit Perëndimor patën një afrim edhe më të madh me BE, veçanërisht me liberalizimin e vizave me tre shtete, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë, dhe dorëzimin e kërkesës për kandidat në BE nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.
Spanja - Alfredo Perez Rubalcaba
Ndërkohë Spanja, vendi që kryeson presidencën e Bashkimit Europian për 6-mujorin e parë të vitit 2010, ka siguruar se do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Garancia është dhënë nga Ministri i Brendshëm i Spanjës Alfredo Perez Rubalcaba, gjatë një takimi që pati ditët e fundit të vitit që lamë pas me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Ministri Rubalcaba e ka siguruar Ministrin Basha se në funksionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, ai do të angazhohet maksimalisht për shqyrtimin pa vonesë të propozimit formal të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo të kenë përfunduar misionet e monitorimit.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha informoi Ministrin e Brendshëm të Mbretërisë së Spanjës Alfredo Perez Rubalcaba mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumenteve të identitetit dhe të sigurisë së kufijve. Basha i bëri të ditur homologut spanjoll se brenda një kohe të shkurtër janë pajisur me pasaporta biometrike mbi 400 mijë qytetarë shqiptarë, e ndërkohë Shqipëria zotëron sot një sistem tërësor të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufirit sipas standardeve të vendeve “Schengen”.
Basha informoi gjithashtu në takim mbi rezultatet e larta të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Basha u shpreh se goditja e mbi 200 grupeve të krimit të organizuar gjatë katër vjetëve të shkuar, tashmë pasohet me një fazë të re të goditjes së kriminalitetit që synon bllokimin e burimeve financiare të krimit të organizuar, nëpërmjet paketës ligjore “Antimafia” dhe ligjit për konfiskimin e aseteve. Në të njëjtën kohë zgjatja e moratoriumit për mjetet e shpejta të lundrimit në det dëshmon se qeveria shqiptare ka vullnetin e hekurt për të mos lejuar përdorimin e territorit shqiptar për trafiqet e paligjshme.
Gjatë vizitës në Spanjë, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u prit në një takim edhe nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Politikave të Territorit të Spanjës, Manuel Chavez....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›