"Fiks"-i dhuron abetare për fëmijët e emigrantëve në Greqi
"Fiks Fare" u çon abetare nxënësve të shkollës së parë shqipe në Greqi. Në një ceremoni të organizuar në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kallabakës, Viron Butinas, prezantuesi i emisionit "Fiks Fare" u dhuroi fëmijëve shqiptarë që jetojnë në këtë qytet librat dhe fletoret shqipe. Kryetari i Shoqatës së Emigrantëve të Kallabakës, Artur Ceka, së bashku me anëtarët e tjerë të kësaj shoqate, kishin organizuar një pritje të veçantë në zyrën e kryebashkiakut Butinas. Në ceremoni mori pjesë edhe prefekti i Tikalës, Ilia Vllahojanis. Mes emocionesh të veçanta, Kodra i dorëzoi simbolin, rrotën e emisionit "Fiks Fare" të dy krerëve grekë për ndihmën që kishin treguar për hapjen e kësaj shkolle, duke iu siguruar fëmijëve shqiptarë ambiente për zhvillimin e mësimit dhe banka. Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i akredituar ne Greqi, Vili Minarolli. Më pas festa u zhvendos në shkollën shqipe, ku prisnin abetaret e tyre 32 fëmijë nga mosha 6 deri 12 vjeç. Një javë më parë, në redaksinë e emisionit "Fiks Fare" erdhën dy emigrantë nga Greqia, vëllezërit Miraka. Ata jetonin prej më shumë se dhjetë vitesh në Kallabakë të Greqisë së bashku me familjet e tyre. Ata kërkuan që nëpërmjet emisionit të gjendej mundësia që të siguroheshin tridhjetë abetare për shkollën shqipe, që kishin hapur si shoqatë në bashkëpunim me bashkinë e qytetit. Kjo për arsye që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën, traditat dhe historinë e popullit shqiptar dhe mos t‘i harrojnë. Kjo shkollë është investuar nga vetë prindërit dhe komuniteti i emigracionit shqiptar. Kryetari i Komunës së Kallabakës u ka krijuar kushtet e mjedisit, si dhe u ka dhënë çanta dhe fletore dhuratë fëmijëve. Në këto kushte, të vetmin problem që kjo shkollë kishte, ishte sepse nuk kishte libra dhe abetare për fëmijët. Nuk kaluan veçse dy ditë që nga kërkesa tyre e bërë publike në emisionin "Fiks Fare" dhe disa biznesmenë erdhën dhe dhuruan abetaret, fletoret e punës, si dhe mjete të tjera për shkollën. Ndërsa kompania "Digitalb" u dhuroi fëmijëve të shkollës 30 karta abonimi satelitore gjashtëmujore si dhe tridhjetë DVD të programit "Të luajmë shkollash". Ndërsa problemin e stafit pedagogjik e kanë zgjidhur vetë emigrantët me mësues shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe që pranojnë të punojnë vullnetarisht. Gjuhëtarët kanë hedhur me kohë alarmin se në Itali dhe në Greqi, aty ku prej kohësh shqiptarët kanë nisur një jetë të re, vihet re dukuria e dygjuhësisë. Pra, fëmijët e emigrantëve shqiptarë, që jetojnë në këto vende, flasin dy gjuhë. Ajo që për gjuhëtarët mbetet problem kryesor është fakti që, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fëmijëve nuk flasin asnjë fjalë në gjuhën shqipe, duke rrezikuar në këtë mënyrë identitetin e tyre.