Hapësirat publike, bashkia në gjyq me shumë pronarë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në njërën nga dëgjesat publike në njësinë nr. 6 në kryeqytet, u shpreh i shqetësuar për mungesën e hapësirave publike në dispozicion dhe pamundësinë për t‘i vënë ato aktualet në shërbim të komuniteteve. "Ajo që ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve me kthimin dhe kompensimin e pronave, është arsyeja themelore pse në shumë raste e kemi të pamundur tw ndwrhyjmw nw hapësirat publike që duheshin vënë në shërbim të komunitetit, pasi në një mënyrë apo në një tjetër, me të drejtë, por shpeshherë edhe pa të drejtë, në mënyrë ligjore, por shpeshherë edhe në mënyrë abuzive, këto hapësira janë kthyer te pronari, gjë që ka bërë që kryeqyteti, komuniteti, fëmijët tanë të humbin shumë në këtë drejtim", u shpreh Rama. Ai shtoi se "flitet shpeshherë për nevojën e më shumë hapësirave publike, por për fat të keq nuk merret në konsideratë fakti që aty ku ju të shikoni një fushë, aty është një pronë dhe aty ku ka një pronë është e pamundur të ndërhyhet, pasi edhe për disa hapësira që ne kemi riadministruar e që sot janë lulishte apo kënde sportive në funksion të komunitetit, ne jemi në gjyq me pronarë realë apo të propozuar, pretendentë pronash e kështu me radhë dhe që kanë pretendimet e tyre".