E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sharra, përfundojnë punimet e fazës së parë

Kanë përfunduar punimet për fazën e parë të rehabilitimit të landfillit të Sharrës, njërës nga zonat më të ndotura të kryeqytetit. Tanimë po punohet për fazën e dytë, ndërsa sipas drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, aktiviteti i depozitimit të mbeturinave urbane të kryeqytetit po kryhet në një parcelë moderne. "Tashmë mbetjet urbane në qytetin e Tiranës po trajtohen në fushën e Sharrës sipas kushteve të Komunitetit Evropian. I gjithë aktiviteti që zhvillohet në këtë fushë është transferuar që nga mesi i shtatorit në parcelën e re", është shprehur kryebashkiaku Edi Rama gjatë prezantimit të investimeve të parashikuara për vitin 2009 në njësinë bashkiake nr.6 në Kombinat. Sipas drejtuesve të bashkisë, me mbarimin e parcelës së parë është realizuar rrethimi me rrjetë metalike dhe portë hyrjeje me qëllim ndalimin e hyrjes aty të personave të paautorizuar apo kafshëve, si dhe shmangien e shkarkimit ilegal të mbetjeve. Është përfunduar gjithashtu dhe montimi i tubacioneve, ndërtimi i rrjetit të grumbullimit të ujërave që vijnë nga reshjet atmosferike, si dhe ndriçimi me tre prozhektorë i parcelës. Së shpejti, do të vendoset një vaskë grumbullimi me vëllim rreth 10 mijë metra kub, e cila do të shërbejë për grumbullimin e shllamit.

Në fazën fillestare, hedhja e mbeturinave në parcelën e parë u realizua me asistencën teknike të specialistëve italianë, të cilët i shpjeguan personelit të fushës, jo vetëm mënyrën e depozitimit, por dhe atë të mbulimit të shtresave të mbeturinave kur ato arrijnë një kuotë të caktuar.

Dërgimi i mbetjeve në parcelën e parë realizohet me makina vetëshkarkuese me dy dhe tre akse. Mbetjet shtrihen me fadromën me zinxhir dhe ngjishen, proces ky i cili nevojitet për të pakësuar vëllimin e zënë nga to. Kur arrihet kuota e caktuar e lartësisë së mbetjeve dhe shkalla e duhur e ngjeshjes së tyre, realizohet mbulimi i mbetjeve me një shtresë dheu.

Aktualisht ka filluar puna në parcelën e dytë në fushën e Sharrës. Në këtë fushë, po zbatohet një projekt prej 4.6 milionë eurosh nga qeveria italiane, që synon të kontrollojë situatën mjedisore në këtë vend grumbullimi të mbeturinave urbane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›