Kreditë e shtetit, ja kushtet për shtëpi
Fabiola Çela
Qeveria ka vendosur që të japë kredi për shtëpi për familjarët e pastrehë. Ministria e Financave dhe ajo e transporteve kanë hartuar një udhëzim, i cili përcakton kriteret që duhet të plotësojë një i pastrehë për të përfituar kredi për shtëpi nga shteti. Së pasi, familjet e pastreha që kërkojnë të marrin kredi nga shteti duhet vërtetojnë se nuk disponojnë banesë tjetër në pronësi. Gjithashtu këta familjarë duhet të vërtetojnë se kanë të ardhura familjare mujore, brenda kufijve që përcaktohen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me bankën. Pra e thënë ndryshe që kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar këstet e kredive. Qeveria ka vendosur që kredia të jetë me terma të buta, niveli maksimal i kredisë do të jepet për banorët e Tiranës, pasi siç dihet çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë më shtrenjtë se në çdo qytet tjetër.
Udhëzimi
Qeveria ka vendosur që masa e subvencionit të interesave të kredisë (subvencioni), për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrit të Financave dhe bankës, me interesin prej 3% në vit që paguan familja mbi principalin e kredisë. Përzgjedhja e bankës ku do të merret kredia do të kryhet nga Ministria e Financave dhe ajo e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në udhëzim është përcaktuar se përzgjedhja e bankës duhet të bëhet nëpërmjet një oferte publike dhe transparente, e cila u vihet në dispozicion të gjitha bankave që kryejnë shërbime në vend, së bashku me kriteret e përzgjedhjes së ofertës fituese. Përzgjedhja e ofertës fituese bëhet nga një komision vlerësimi, që ngrihet me urdhër të Ministrit të Financave me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Bankës së Shqipërisë. Me nënshkrimin e marrëveshjes midis bankës, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kjo e fundit njofton bashkitë për fillimin e projektit, emrin e bankës me të cilën është lidhur marrëveshja dhe procedurat që duhet të ndjekin, duke publikuar projektin edhe me mjetet e informimit publik për palët e interesuara. Për efekt të përfitimit të subvencionit, familjet që kanë aplikuar në bashki për programin e banesave me kosto të ulët dhe kanë të ardhura mesatare mujore të mjaftueshme duhet të paraqiten në zyrat përkatëse pranë bashkive për të rikonfirmuar interesin për pjesëmarrje në projekt dhe për të rifreskuar ose plotësuar të dhënat mbi të ardhurat dhe përbërjen familjare.
Me nënshkrimin e marrëveshjes midis Ministrisë së Financave dhe bankës, bashkitë respektive, do të miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit, të miratuar prej tyre dhe që plotësojnë dy kushte. Së pari që nuk disponojnë banesë në pronësi si dhe që kanë të ardhura familjare mujore, brenda kufijve që përcaktohen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me bankën. Familjet që nuk plotësojnë këto kushte s'kualifikohen nga projekti. Miratimi me vendim të Këshillit Bashkiak nuk e bën familjen automatikisht përfituese. Banka mund të kërkojë dokumente plotësuese për të mbështetur informacionin e dhënë mbi nivelin e të ardhurave të familjes. Ndërkohë, sipas këtij programi mund të përfitojnë kredi nga shteti edhe familjet që banojnë si qiramarrës në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, që përfshihen në germën "a" të nenit 5 të ligjit nr.9232, Lista e familjeve e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak, brenda kuotave që përcakton çdo vit MPPTT, bazuar në buxhetin vjetor, i dërgohet bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe një kopje Entit Kombëtar të Banesave.
Kredia
Në udhëzim përcaktohet se diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton banka, paguhet në mënyrë të menjëhershme nga familja. "Për secilën familje, banka llogarit shumën totale të përafërt të subvencionit për të gjithë jetëgjatësinë e projektit, e cila i njoftohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë" thuhet në udhëzim. Qeveria ka vendosur që për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit që mbulohet nga faza e parë e projektit, sipas strukturës së familjes. Në rast se familja kërkon të kreditohet për një vlerë më të madhe, diferenca e kredisë paguhet me interesin e bankës. Ndërkohë, sipas udhëzimit të qeverisë, e drejta e shlyerjes së kredisë, nuk mund t'i kalojë një personi tjetër. Në rast se familja për shkaqe të papritura nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, njofton brenda një muaji nga krijimi i situatës së paparashikuar bankën dhe bashkinë përkatëse. Për çdo rast bëhet vlerësimi i shumës së shlyer nga familja, subvencionit që ajo ka përfituar nga shteti dhe pjesës së ngelur të kredisë. Në marrëveshje midis bankës, familjes dhe bashkisë, mund të jepet njëra prej zgjidhjeve. Së pari familja mund t'i kalojë të drejtën e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër, që është në listën e bashkisë dhe përmbush të njëjtat kritere për përfitimin dhe shlyerjes së kredisë. Mënyra e kalimit të kësaj të drejte dhe marrëdhëniet mes dy familjeve rregullohen me akt noterial mes palëve të interesuara. Ose mënyra e dytë është që banesa mund të kalohet në pronësi të bashkisë, vetëm pasi nga kjo e fundit merret përsipër shlyerja e detyrimeve që i takon familjes në mënyrë të menjëhershme ose me kredi sipas planpagesave të familjes. Në këtë rast, familja kalon me kontratë qiraje sociale me bashkinë. Në udhëzim është përcaktuar se subvencioni nga Buxheti i Shtetit ndërpritet nëse e drejta për shlyerjen e kredisë i kalon bashkisë. Por në rastin më të keq, pra në rast se nuk gjen zgjidhje asnjëra nga këto mundësi, banesa vlerësohet dhe shitet në ankand sipas procedurave të bankës.
Mbikëqyrësi
Ecuria e këtij projekti do të jetë nën vëzhgimin e entit kombëtar të banesave. Sipas udhëzimit, gisbursimi i fondeve për subvencionin bëhet çdo tremujor nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave. Enti ndjek dhe mbikëqyr zbatimin e programit, bazuar në kontratat e lidhura mes bankës dhe familjeve. Për këtë, një kopje e kontratës së kreditimit i dërgohet Entit Kombëtar të Banesave nga banka. Për këtë shërbim, EKB përfiton 0.5% të fondit të subvencionit për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve operative.
Kufiri maksimal i kreditimit sipas qyteteve dhe strukturës së familjes
Qyteti Struk. Struk. e Kufiri maksimal
(nr. persona) e familjes apartamentit I kredisë
Tirana 2 G 2,751,000
3 1+1 3,275,000
4 2+1 4,061,000
5-6 3+1 5,240,000
Durrësi 2 G 2,371,690
3 1+1 2,823,440
4 2+1 3,501,066
5-6 3+1 4,517,504
Shkodra 2 G 1,664,544
3 1+1 1,981,600
4 2+1 2,457,184
5-6 3+1 3,170,560
Kavaja 2 G 1,907,035
3 1+1 2,270,280
4 2+1 2,815,147
5-6 3+1 3,632,448
Vlora 2 G 1,713,197
3 1+1 2,039,520
4 2+1 2,529,005
5-6 3+1 3,263,232
Korça 2 G 1,509,514
3 1+1 1,797,040
4 2+1 2,228,330
5-6 3+1 2,875,264
Gjirokastra 2 G 1,805,362
3 1+1 2,149,240
4 2+1 2,665,058
5-6 3+1 3,438,784
* Niveli maksimal i kredisë është llogaritur sipas nivelit të çmimit mesatar të shitblerjes së apartamenteve në treg dhe sipërfaqeve të banimit që përfiton familja konform normave të strehimit në fuqi. Brenda këtij kufiri maksimal familja mund të gjejë një banesë me çmim më të ulët