Filiali i Ekonomikut të UT-së, me 300 studentë
Edhe për rreth 300 studentë të filialit universitar të Fakultetit Ekonomik të Tiranës në Sarandë, 13 tetori ka qenë dita e parë e vitit të ri akademik 2008-2009. Megjithëse kjo ka qenë një ditë promovuese e vitit të ri akademik, për të gjithë studentët e filialit, që sivjet e ka vitin e tretë të funksionimit të tij, ceremonia e rastit është zhvilluar vetëm me praninë e atyre që janë regjistruar në vitin e parë. Arjan Qepali, pedagog i menaxhimit në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, ka sjellë përshëndetjet e dekanit Omer Stringa, dhe tha se sivjet programet mësimore janë në përputhje me Kartën e Bolonjës, duke iu përshtatur sistemit 3+2 të studimeve. Është zyrtarizuar se në auditorin e filialit të Sarandës, në këtë vit akademik, do të vijojnë studimet 157 studentë në vitin e parë, 106 në vitin e dytë dhe 53 në të tretin. Por në fakt, numri i 65 studentëve të parë që e nisën rrugën universitare në Sarandë tre vjet më parë, nuk i kaloi dje 16 vetët, pasi në shumicë ata kanë rezultuar mbetës. Vendet nga kanë ardhur sivjet studentët e filialit të Sarandës, formojnë hartën e Shqipërisë, duke mos përjashtuar edhe studentë nga kryeqyteti. Ky vit i ri akademik gjen në këtë filial edhe disa pedagogë nga qyteti i Sarandës, jo thjesht të jashtëm, por të përhershëm, të cilët kanë konkurruar dhe kanë fituar këtë status. Por 13 tetori nuk ka qenë dita e parë edhe për degën e re të gjuhës angleze, e cila u tha se do t‘u shtohet degëve të këtij filiali brenda muajit tetor. Ajo do të mbyllet pasi nuk ka të regjistruar. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, bashkë me urimet për studentët e rinj, ka garantuar për vazhdimin e politikave mbështetëse të bashkisë për studentët nga rrethet e tjera veç Sarandës e Delvinës, duke përballuar nga të ardhurat e qeverisjes vendore 3 mijë lekë për qiranë e banesave të tyre. Gjoka tha se trajtimi financiar i bashkisë do të shtrihet edhe për studentët e pedagogët më të mirë.