E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentë të rinj në auditorë të vjetër

Më në fund 13 tetor. Universitetet u hapën. Për të rinjtë e viteve të para, mëngjesi i djeshëm ka qenë vërtet emocion. Oborret e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, si rrallëherë kanë gumëzhirë, janë ngjyrosur e ëmbëlsuar përmes puthjesh e takimesh mes miqsh e mikeshash. Vështrime që rrotullohen nga të gjitha anët. Kush është veshur më bukur, krehjet më trendy dhe natyrisht konkurrencat e vjetra e të reja. Vëmendje e përqendruar në çdo gjë përreth, por shumë pak në mësim. Fundja është dita e parë e shkollës, e çfarë mësimi mund të bëhet sot. Studentët që lanë pas vitin e parë ndihen më mirë. Janë ambientuar. E njohin territorin njëlloj si skutat e shtëpisë. Tashmë kanë pretendime dhe kërkesa të tjera. Në Fakultetin Ekonomik të UT-së, një tavolinë e vjetër druri është fiksuar që në hyrje. Një "komision" të rinjsh fton studentët e vjetër të hedhin firmën. Po nënshkruhet një peticion. "Jemi rreth 1300 studentë që rrezikojmë vitin, pasi është rivendosur stazhi. Kërkojmë të aplikohet vjeshta e vogël", thotë Nardi, një nga studentët e Ekonomikut, që me dy provime të pa marra edhe në sezonin e vjeshtës rrezikon të qëndrojë një vit pushim. Edhe të tjerët kanë të njëjtin hall me të. Presin një përgjigje nga rektori i Universitetit të Tiranës, ish-dekani i tyre i vjetshëm, Dhori Kule. Edhe Fakulteti i Mjekësisë është i pushtuar nga ethet. Fjala provime të mbartura, që të lënë në shtëpi për një vit, shkakton jo pak panik te të rinjtë. Kanë edhe mysafirë të rëndësishëm në auditorë. Vetë Presidenti i Republikës ka shkuar që t‘i urojë për një fillim të mbarë të vitit akademik. Por kjo duket se nuk i ngushëllon aspak. Gerta tregon se është gati të dalë përpara Presidentit dhe t‘i shprehë shqetësimet që ka, por nuk do që ta nisë vitin me ndonjë marrëzi. "Ti e di si janë këta vetëm po të morën inat", thotë ajo dhe tregon me kokë nga dekanati.

Në Fakultetin e Drejtësisë, studentët dhe pedagogët kanë një tjetër shqetësim. Kanë frikë për jetën e tyre. Një ndërtim i bërë keq ose një defekt në punime e sipër, rrezikon krejt godinën e mbipopulluar përgjatë gjithë ditës. Askush nuk mund të japë një përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë. Fjala transferim është më e parapëlqyera, por sërish zgjidhja duket ende larg. Njëra nga sekretaret thotë me nxitim se "diçka do të bëhet".

Godina e vjetër, rrethuar me kangjellat e hekurit, mbledh brezin e ri të atyre që nesër duhet të vendosin drejtësinë. Do të bëhen njerëz të rëndësishëm, ndonëse që në orën 10:00 i kanë kthyer shpinën fakultetit në drejtim të bareve shumë pranë shkollës.

Është ditë e bukur, e ngrohtë. Të gjithë bëjnë parakalimet e radhës, duke treguar veshjet e reja. Dikush harron diçka dhe kthehet ashtu si rastësisht, aty ku ndodhet sërish një dikush që e simpatizon. "Epo shkolla është edhe për këtë", pohon duke qeshur Erisa, studente në vitin e tretë në Shkencat Sociale. Vajzat duken të gjitha të gjata, kjo falë takave të larta që shpesh i tërheqin me mundim. Atletet apo veshjet sportive nuk janë të preferuara. Madje duket as kompjuterët portabël, që në disa zona aty afër të garantojnë edhe lidhje me internetin falas. Moda e veshjeve të stinës dhe takimeve e bisedave të gjata në baret pranë fakulteteve kanë zënë "vendin e merituar".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›