E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi i Antiterrorizmit në Britani jep dorëheqjen



Oficeri më i lartë britanik për luftën kundër terrorizmit, Bob Quick, ka dhënë dorëheqjen pas botimit të një fotografie ku ai tregohej duke mbajtur të zbuluara disa dokumente shumë sekrete. Ai u fotografua teksa ai po hynte në selinë e kryeministrit. Të gjithë politikanët në Britani e kanë konsideruar këtë një gabim shumë elementar. Përmes një deklarate, Bob Quick pranon se fakti që ai nuk i kishte mbajtur të mbuluara këto dokumente sekrete mund ta kishte kompromentuar operacion e sigurisë të përmasave të mëdha që policia po përgatitej ta ndërmerrte. Në kushtet që u krijuan, operacioni në disa zona të Anglisë Veriperëndimore, u krye disa orë më herët nga ç'ishte parashikuar ditën e mërkurë. Burime të policisë i thanë BBC-së se besonin se personat e arrestuar ishin në fazën e fundit të planifikimit të një sulmi shumë të madh dhe se në të mund të jenë përfshirë persona që kanë lidhje me Al Kaidën. Deri tani 12 persona janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje. Ende nuk është ngritur padi ndaj ndonjërit prej tyre.

Marina amerikane vëzhgon situatën e tensionuar në brigjet e Somalisë

Marina amerikane po vëzhgon nga afër situatën e tensionuar në brigjet e Somalisë, ku piratët po mbajnë peng kapitelin e një anijeje amerikane transporti. Një luftanije amerikane, USS Bainbridge, mbërriti sot në zonë. Piratët morën për një kohë të shkurtër anijen dje, para se ekuipazhi amerikan të rimerrte kontrollin. Anëtarët e ekuipazhit thanë se katër piratë po mbajnë ende peng kapitenin amerikan në një varkë shpëtimi. Kompania e transportit tha se kthimi i sigurt i kapitenit është përparësia e saj kryesore. Anija 17 mijë tonëshe “Maersk Alabama” po çonte ndihma ushqimore në Mombasa të Kenias. Anija është e gjashta që rrëmbehet në rajon brenda një jave, por e para me flamurin amerikan që merret nga piratët që veprojnë në brigjet e Afrikës Lindore. Piratët që veprojnë nga bregdeti lindor i Somalisë po mbajnë momentalisht dhjetëra anije dhe ekuipazhin e tyre.

Padi për spiunazh kundër një gazetareje në Iran

Autoritetet gjyqësore në Iran kanë ngritur padi për spiunazh kundër një gazetareje iraniano-amerikane, Roxana Saberi. Zëvendësprokurori i Teheranit, Hasan Hadad, tha se zonja Saberi kishte qenë e angazhuar në spiunazh ndërsa po paraqitej si gazetare. Ai po ashtu tha se ajo kishte punuar pa akreditim medial. Një avokat i zonjës Saberi, e cila po mbahet në burg që nga muaji janar, tha se ajo do të dalë në gjyq javën e ardhshme. Ai tha se ende nuk e kishte parë dosjen e zonjës Saberi dhe nuk mund të komentonte akuzën. Zonja Saberi, e cila ka raportuar për BBC-në dhe për Radion Publike Nacionale të Amerikës, u vizitua në burg këtë javë nga prindërit e saj, të cilët udhëtuan nga Shtetet e Bashkuara.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›