Fillim i ri, Xho Bajden viziton Beogradin
Blerina Olldashi
Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Xho Bajden ka vizituar dje Beogradin me shpresën e dhe dëshirën për një fillim të ri mes dy vendeve, mbështetur në dialog dhe mirëkuptim. Bajden u takua me presidentin serb Boris Tadiç të cilit i komunikoi se vizita u zhvillua për të dhënë mesazhin e qartë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë dhe se Uashingtoni mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Sipas Bajden, Kosova nuk do të jetë parakusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. “Shtetet e Bashkuara nuk presin që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky nuk është parakusht për mbështetjen tonë për Serbinë për t’u bërë pjesë e BE-së. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të insistojnë që serbët në Kosovë të kenë mbrojtjen më të gjerë të mundshme dhe presin nga Serbia që në Kosovë të bashkëpunojë me BE-në dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë”,- ka thënë nënpresidenti Bajden. Ndërkohë dy autoritetet e larta komunikuan se nuk mund të ketë pajtim rreth çështjes së Kosovës megjithatë Sercia duhet të bëjë çështë e mundur për të arrestuar të akuzuarit e Hagës. Ndërsa
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pas takimit, ka deklaruar se bisedimet kanë qenë shumë të “hapura dhe produktive” dhe ka shfaqur bindjen se ato do t’i kontribuojnë hapjes së “etapës së re në formimin e politikës amerikane ndaj Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor”. “Nënpresidenti Bajden dhe unë ramë dakord se ky është momenti i përshtatshëm për vendosjen e një niveli komunikimi ndërmjet dy vendeve tona. Jam i bindur se me dialog, që është i bazuar në respektin e ndërsjellë, mund të arrijmë shumë”,- ka thënë Tadiç pas takimit. Tadiç me këtë rast ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe ka vënë në pah se “Serbia nuk e njeh Kosovën” dhe “këtë nuk do ta bëjë kurrë”. Menjëherë pas takimit me Tadiçin, filluan bisedimet me delegacionin e Serbisë, në të cilin gjendeshin ministra dhe bashkëpunëtorë tjerë të afërt të presidentit. Pasdite, nënpresidenti amerikan u takua me kryeministrin Mirko Cvetkoviç dhe me ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç. Zëvendëspresidenti amerikan mbërriti në Beograd në orët e para të mëngjesit dhe është pritur në aeroportin Nikola Tesla nga kryeministri serb Mirko Cvetkoviç dhe ministri i brendshëm Ivica Daciç. Bajden kryesonte një delegacion prej 5 anëtarësh, mes të cilëve asistent Sekretari amerikan i shtetit Fil Gordon si dhe përfaqësues nga Departamenti i shtetit dhe Këshilli i Sigurimit Kombëtar.
21 Maj 2009