E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Xhindit, familjarët: Të zbardhen motivet e ngjarjes

Familja Xhindi i ka dërguar një letër Presidentit, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit. Ministri Nishani deklaroi se hetimet rreth vrasjes së deputetit po ecin me shpejtësi

Luan Kondi

TIRANË- Familjarëve të deputetit socialist Fatmir Xhindi, të vrarë nga persona ende të panjohur, iu ka sosur durimi ndaj dhe kërkojnë zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes. Xhindi u vra më 2 Maj para pragut të shtëpisë me armë zjarri, ndërsa familjarët shprehen se pas kaq ditësh ata nuk dinë ende motivin e vrasjes së të afërmit të tyre. Familjarët bënë të ditur dje për mediat se i kanë dërguar një letër Presidentit, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve. Ata kanë shprehur ne letër habinë sesi gjatë këtyre ditëve nuk ka asnjë risi për krimin dhe autotët. Të indinjuar, familjarët akuzojnë strukturat e policisë për paaftësi në kapjen e autorit.
Reagimi
“Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi do të zbardhet shumë shpejt”. Kjo ka qenë garancia e Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, i cili ka deklaruar se hetimet rreth vrasjes së deputetit po ecin me shpejtësi të konsiderueshme. Reagimi i Ministrit Nishani erdhi pas akuzave të familjarëve të deputetit të ndjerë Xhindi të cilët akuzuan strukturat shtetërore se po mbajnë peng hetimet për vrasjen e njeriut të tyre të dashur. Nishani tha se kanë ndodhur zhvillime esenciale lidhur me ngjarjen dhe se aktualisht strukturat e hetimit po punojnë në pista konkrete. Ministri Nishani tha gjithashtu se kjo ngjarje është e një cilësie të veçantë dhe kërkon kohën e duhur për t’u zbardhur ndërsa garantoi familjarët dhe opinionin publik se autorët do të vihen para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar. Më parë të afërm të deputetit të PS u shprehen për mediat se kur kanë kaluar 18 ditë shteti po shfaq paaftësi totale në zbardhjen e motiveve dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja
Deputeti i PS, Xhindi u vra me 2 Maj pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit. Politika dhe shteti e dënuan ashpër krimin e rëndë dhe garantuan zbardhje të shpejtë të ngjarjes. Xhindi ishte deputet prej tre legjislaturash në Roskovec. Pak orë pas vrasjes, Prokuroria nxori disa pista hetimesh, ku mes tyre ishte dhe ajo e pronësisë ndërsa nuk u përjashtua as motivi për shkaqe banale. Prokuroria pak ditë më parë deklaroi se ka ecur para me hetimet rreth krimit ndaj deputetit, porse nuk mund ti bëjë të ditur për arsye pune.

Doli të trembet qentë me armën e tij të gjahut, por plagos pa dashje një person

Krujë – Forcat e policisë së Krujës kanë arrestuar në flagrancë 69-vjeçarin Muharrem Gashi, banues në fshatin Hasan të këtij qyteti, pasi duke tentuar të qëllonte disa qen, ka plagosur një person i cili ishte duke punuar në servisin e tij. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, personi i plagosur nga pakujdesia e Gashit quhet Elton Mera, banues në fshatin Borizan të Krujës, i cili pas ndihmës mjekësore që mori, ndodhet në banesën e tij jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me ngjarjen, forcat e policisë kanë mundur të sekuestrojnë edhe armën e gjahut me nr,905203 dhe dy gëzhoja me mbishkrimin M 92 S. Materialet për veprën penale të “Plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 91 i Kodit Penal do t’i dërgohen prokurorisë së Krujë për veprime të mëtejshme.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›