E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godet me thikë pa dashje shokun e klasës, i shpëton goditjes pa pasoja të rënda



Durrës– Forcat e policisë së Durrësit kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 16-vjeçarit A.K, banues në lagjen Nr. 11 Durrës me arsim të mesëm. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, procedimi penal ndaj tij ka filluar pasi ai ka goditur me thikë pa dashje shokun e tij të klasës, P. Xh., i cili pasi mori mjekimin e duhur në spitalin e Durrësit, është larguar për në banesën e tij pa probleme. Bëhet e ditur se që të dy bashkëmoshatarët janë nxënës në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”. Për këtë çështje, janë kryer veprimet e para procedurale dhe materialet do t’i dërgohen prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Plagosjes së lehtë nga pakujdesia”, të parashikuar nga neni 92 të Kodit Penal.

Falsifikonte dokumente, gjatë arrestit i gjenden shkresa të falsifikuara në banesë

Gjirokastër - Specialistët e sektorit të krimit Ekonomiko-Financiar në policinë e Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë 40-vjeçarin Ilirian Malo, lindur në Këlcyrë dhe banues në Gjirokastër, pasi ndaj tij ekzistonin provat se ai ushtronte veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, për të cilat është nisur procedim penal në bashkëpunim me Prokurorinë që në vitin 2008. Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u arrit dokumentimi me prova ligjore se Malo kryente falsifikime. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh të falsifikuara si kontrata punësimi për jashtë shtetit, një pasaportë e falsifikuar, një dokument i degës ushtarake po i falsifikuar etj. Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Falsifikimit të Dokumenteve, Pasaportave apo vizave, si dhe “Falsifikim të Formularëve , vulave apo Stampave”, parashikuar nga nenet 186, 189 dhe 190 të Kodit Peanl. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë, shtetasi G. Malo, i datëlindjes 1983, lindur në Tepelenë dhe banues në Gjirokastër, pasi gjatë hetimeve ka rezultuar i implikuar në këtë veprimtari së bashku me Ilirian Malon. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15 copë polic sigurimi për shëndetin të shoqërisë Atlantik që dyshohen si të falsifikuara.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›