Zëvendëspresidenti Bajden sot në Kosovë, pritje madhështore
Zëvendëspresidenti amerikan do të vizitojë sot Kosovën. Xho Bajdenit i është rezervuar nga autoritetet kosovare një pritje madhështore dhe shenjë falenderimi për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë për shtetin e ri. Kjo vizitë është konsideruar dëshmi thelbësore për mbështetjen që administrata amerikane ka për Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi. Presidenti Fatmir Sejdiu do ta dekorojë atë me çmimin “Medalja e Artë e Lirisë”, ndërsa nxënës të komunave Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, do të dalin nëpër rrugë nga Aeroporti deri në Prishtinë për ta pritur nënkryetarin Bajden. Më pas Bajden do t’i drejtohet me një fjalim edhe Parlamentit të Kosovës. Një vizitë do të zhvillohet edhe në bazën ushtarake amerikane Bondstill në Ferizaj. Ndërkohë serbët e Kosovës do të protestojnë në Mitrovicë kundër vizitës së zv. Presidentit Bajden. Zëvendëskryetari i asamblesë së komunave të Kosovës e Metohisë, Marko Jaksiç është shprehur se protesta do të mbahet nën sloganin “Asgjë nuk ka përfunduar” dhe do të zhvillohet në urën kryesore të qytetit mbi lumin Ibër në mëngjes.
“Ne do të shtrojmë lule dhe kurora në këmbët e monumentit të viktimave të bombardimeve të NATO-s dhe besoj se ne ndajmë të njëjtin qëndrim me popullin serb, sidomos me serbët e Kosovës. Kjo pasi është vizita e një personi i cili luajti rolin kryesor në bombardimin e vendit”- theksoi Jaksiç.
Mbretëria e Bahreinit njeh pavarësinë e Kosovës
Mbretëria e Bahreinit bëhet vendi i 60- të që njeh pavarësinë e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore BNA. “Duke u nisur nga lidhjet fetare dhe kulturore të të dy vendeve dhe duke respektuar dëshirën e popullit të Kosovës për pavarësi, Mbretëria e Bahreinit kumton se njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur”,- ka kumtuar ministria e punëve të Jashtme të Bahreinit. Ndërsa dje Kosova u njoh nga Unioni i Komoreve. Lajmi ëshhtë bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ministri Hyseni i ka shkruar një letër homologut të tij nga Komoret, në të cilën i ka shprehur falënderimet më të sinqerta për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, ministri Hyseni e ka siguruar ministrin Ahmed Ben Said Jafar për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin e ngushtë me këtë vend.
21 Maj 2009