E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fillim i ri" i "kohës për (mos) ndryshim"

Nuk është larg të kujtohet 2005- ta kur i gjithëpushtetshmi ynë u rikthye në pushtet me sloganin: “Për një fi llim të ri”, ndërsa në 2009- ën mbajti të pacenuar karrigen pas ngjizjes (aleancës) me LSI-në dhe këngës së majëkrahut: "Shqipëria po ndryshon". Sigurisht nuk ishin vetëm këto slogane, parulla, shartesa apo këngë ato që përcaktuan suksesin, fitoren dhe fatin politik të Berishës. Tash, kur kanë kaluar shtatë e kusur vjet me/nën/hyqmin e tij, kur, në mos do të ketë zgjedhje të parakohshme, si po pëshpëritet, të kohëshmet domosdo do të çalltisin pas një viti, nuk mund të mos sjellim ndër mend se në atë "fillim të ri" pati jo pak zëra intelektualë, analistë e propagandistë, ca të varur e ca të pavarur që kumtonin e hakateshin të provonin se Berisha nuk është më ai "karizmatiku drumepre" që kishim pas njohur, se ishte tjetërsuar e zbutur, d.m.th nuk ishte më ai "i mirënjohuri" i viteve të zullumta të '96-'97-'98-të kur gati sa nuk ramë, për faj të tij, në luftë civile…
Pyetja që na shtrohet kërkon të bëhet ky bilanc: A pat ndryshuar përnjëmend Berisha? Ku, kur dhe si e provua që Berisha-President do të ishte/është krejt ndryshe nga Berisha-kryeministër? Cilat janë metodat qeverisëse të gabuara të cilat ai i pat braktisur për të mirën tonë? Sa ka përfituar Shqipëria dhe shqiptarët nga "fillimi i ri" dhe zgjatja në dy mandate e "kohës për ndryshim"?... Nderi profesional e lyp që këtyre pyetjeve t'u përgjigjen më së pari ata analistë të pavarur që u betuan e stërbetuan për "fillimin e ri", ata që na garantuan se Berisha ka nxjerrë mësime nga pësimet dhe dëmet që i solli popullit të vet në qeverisjen e parë duke na bindur se, tekefundit jo vetëm që ja vlente të votonim përsëri për të, por edhe se nuk do të zhgënjeheshim… (Këmbëngulja e sforcuar, për të na nxjerrë në vend të parë në botë për zhvillim e lumturi, synon të na bindë që nuk jemi gënjyer e mashtruar nga parulla: "Shqipëria po ndryshon"…Po sa mund të jenë sot ata shqiptarë që do ta hanë sërish këtë "manovër", si e hëngrën në 2005-ën?…Kjo i pritet të shihet.)
***
I armatosur me "argumentin kokëfortë" të ndryshimit dhe të një "fillimi të ri", Berisha në dy zgjedhjet e kaluara nuk la katund e skutë pa premtuar "duar të pastra", "qeveri në dietë", shtet të së drejtës, respekt për të drejtat e njeriut, mirëqënie, decentralizim, drejtësi të pavarur,çmontim të monopoleve, të karteleve e të klaneve dhe sidomos të të famshmit "klan të Zemunit", etj. etj. Dyshimet skeptike u davaritën dhe besimi shumëfishohej kur pohohej se, si një ish-President fuqiplotë ai vërtet që pat bërë disa gabime, por ama askush, - kjo theksohej! - kurrkush pra nuk mund ta akuzonte atë se kishte futur duart e tij e të familjes së tij në paret e fajdeve, në fondet publike, në privatizimet, në pronat dhe në pasuritë publike… Si rrjedhojë, edhe "pësimi" i vitit '97, edhe humbja e turpshme e pushtetit për shkak të shembjes së piramidave ("me kryengritje të armatosur"), atij do t'i kenë vlejtur, (kjo hamendësohej!) gjë që do të thotë, me gjasë se ishte bërë më i butë, më i urtë, më i mençur, më i përgjegjshëm, e sigurisht edhe më shtetar… Pati jo pak qytetarë që e hëngrën këtë propagandë pa e përtypur. (Nuk dihet sa kanë mbetur të tillë!)
Fakti që pat thirrur rreth vetes të ashtuquajturin KOP, rishtarë "të papërdorur", e përforconte këtë synim/premtim të "duarve të pastra". Te kjo "magji" mediatike u fsheh në të vërtetë sekreti përse shqiptarët bënë atë që nuk ka ndodhur kurrkund, në asnjë rast të historisë moderne: Sollën në pushtet (me vota!) pikërisht atë udhëheqës që e patën përmbysur tetë vjet më parë "me kryengritje të armatosur"… Rezultati i një propagande intensive dhe të mirëorganizuar gjeti terren të favorshëm dhe mbështetje optimale te abuzimet dhe gabimet që patën bërë deri aso kohe qeveritarët "katarsistë" socialistë… Ndaj sot mund të thuhet se alternimi i suksesshëm dhe djallëzor i "Fillimit të ri" me "Shqipëria po ndryshon", më së tepri pat vlejtur për të retushuar dhe shpëlarë portretin e dëmtuar rëndë të Berishës, se sa partinë dhe enturazhin e tij. Ndërsa e ardhmja shërbeu e po shërben si një kapar për të larë dhe për të shpëlarë gjynahet dhe fajet e së shkuarës. Në këtë lavazh të privatizuar nga Berisha gjendemi të gjithë, kush më shumë e kush më pak.
Këndellur kësisoj kjo çorbë, sot duket e vështirë të mohohet që edhe "fillimi i ri", edhe "koha për ndryshim", edhe "duart e pastra" u ofruan mjeshtërisht më shumë si receta, si "barna popullore", si shpëlarje trush, si ndërhyrje "plastike" për t'u maskuar, por jo si operacione që do të shërbenin për të kuruar "sëmundjen", bashkë me mangësitë "natyrale"dhe karakteriale të gjeneratorit të konfliktit dhe të sherrit tonë kombëtar…. Nj'ashtu u përdor edhe në vitin 1992 premtimi aq "i paqmë", sikur medemek "të gjithë ishim hëm bashkëfajtorë, hëm bashkëvuajtës". Nuk ishte pra hera e parë dhe as e fundit që dramës i ndërrohej titulli, dekori, posterat, sloganet, por jo aktori kryesor, jo regjisori, as skena, as spektatori dhe as lënda dramaturgjike; të gjitha mbetën po ato, pavarësisht nga dështimi… (A thua ta kemi kuptuar këtë? Sa janë ata që janë vetëndërgjegjësuar?)
Ndaj ia vlen, besoj, pas kaq vitesh, të pyesim veten: Çfarë ka ndryshuar realisht, nëse vërtet ka ndryshuar në sjelljen politike dhe mediatike të Berishës, të këtij njeriu që për njëzet vjet na ka komanduar si ka dashur? A mos kemi qenë dhe ende jemi ca peshq pa tru që e hanë kollaj "karremin" që u serviret nga ekranet në emër të demokracisë? Apo mos vallë "karremi" nuk ishte i tillë, po një shpëtim, një zgjidhje, ndoshta e vetmja, si opiumi që i jepet një të sëmuri me kancer? Në se kjo mund të quhet zgjidhje, apo zgjedhje, në mos qoftë zgjedhë demokratike, a duhet ta dinë peshqit paraprakisht se ç'kuptim ka një tigan i vënë në zjarr kasten për ta, paçka se ky quhet "fillim i ri"? Përgjigja e këtyre pyetjeve tanimë ato nuk ka më lidhje dhe aq me "tiganin", d.m.th me Berishën, por me ne qytetarët, me ne votuesit, e veçanërisht me ata që e propaganduan dhe e besuan (apo bënë sikur e besuan?) ndryshimin dhe fillimin e ri… Kemi humbur gati një çerek shekulli në kuturu! Vetëm qasja pa hile, pa gënjeshtra e pa truke ndaj së vërtetës mund të ndihmojë të ardhmen tonë të mbetur kaq gjatë në atë që kohët e fundit po quhet "ngërç", për të mos i thënë "grremç", ndoshta që të mos na identifikojnë me qytetarët-peshq…
***
Ata që gënjyen popullin se Berisha që ka ndryshuar e nuk do të përsëritë gabimet kur ishte President, sot nuk mjafton t'i kërkojnë falje popullit, pasi, me apo pa dashje kanë bërë një krim të mirëfilltë mbi një popull që ende i beson Fjalës publike. Por, kjo nuk ka për të ndodhur, përkundrazi, janë këta analistë-propagandistë që po përgatisin terrenin për një mandat të tretë të Berishës, pavarësisht në se Shqipëria mbeti jashtë dyerve të BE-së, pavarësisht përmbytjeve, shkatërrimit të pasurive kombëtare dhe izolimit jo vetëm nga dëbora. Kush mund të provojë sot në se ka ndryshuar apo jo trajtimi i opozitës si armiku betuar? Jo vetëm në festat kombëtare, por edhe kur ka përmbytje, edhe kur ka fatkeqësi natyrore, si kjo e sivjetmja, edhe kur festohet 4-vjetori i Kosovës, edhe kur shkohet për drekë te "Krokodili"…,"armiqtë" do të jenë të ndarë në llogore….Në se në "fillimin" e parë kundërshtarët rriheshin nga policia te sheshi "Skënderbej" dhe u thyheshin dhëmbët, në këtë "fillim të ri" (të dytin!) mund të vriten me armë zjarri mu te dera e kryeministrisë. Nuk ka ndryshuar as fjalori, sharjet e shpifjet as konfliktualiteti sepse strategu i diktaturës demokratike nuk i ka harruar format e edukimit ku thuhej se sulmi është jo vetëm mbrojtja më e mirë, por edhe gjysma e fitores. Njëlloj si në "fillimin e parë" në qeveri, në parti, në ceremonira dhe përurime para kamerave ka vetëm një njeri që flet, të tjerët duhet të dëgjojnë me adhurim e gojëhapur. Grykësia televizive, e cila i krijon Berishës iluzion e përjetësisë dhe të pavdekësisë, nuk i është mpakur prej moshës, përkundrazi! Nëse dje Zef Brozi u detyrua të arratisej në SHBA, në fillimin e dytë kryeprokurorja u quajt "lavire", ndërsa Presidenti i Republikës "horr". Këta vërtet nuk u ankuan dhe as kërkuan strehim në SHBA, po ama lypën mbështetje nga ambasada amerikane…Në këto rrethana, si mund të ndjehet një qytetar i zakontë? Është e vërtetë, nuk digjen më gazeta dhe nuk burgosen gazetarët, se u kuptua më në fund që më kollaj qenka që ato të mbyten pak nga pak "me jastëk" nga ai që quhet "treg i lirë", ku "qeveria nuk ka dorë", natyrisht përveç tatimeve dhe reklamave. Ashtu si nuk është më e nevojshme të caktohet një "komisar" në RTSH, edhe në gjykata nuk ka të tillë, madje nuk është e nevojshme as t'u telefonohet një Qeleshi apo një Dragoti, sepse gjyqtarët e dinë vetë se si duhet të veprojnë. Për tu bindur për këtë sigurisht që nuk mjaftojnë vetëm vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë. Mund të jepen shumë shembuj të tjerë, më të spikatur, se si Berisha jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por i ka ndrequr "gabimet" që pat bërë, ato "gabime" që mundësuan rrëzimin e tij në 1997-ën, ndaj e ka pastruar dhe militarizuar në themel administratën, në mënyrë që asnjë nëpunës, në rast të një ndryshimi, të mos ketë mundësi "ta dredhë bishtin". E megjithatë, për të qenë të drejtë, nuk mund të thuhet se Berisha nuk ka ndryshuar. Sot ai nuk banon më në pallatin e vjetër të rrugës "Mine Peza", për të na treguar se është "një nga ne", por se marrëdhënia e tij me pronën, me pasurinë, me asetet, me trashëgiminë, me mirëqenien, me sigurinë e së nesërmes, kanë ndryshuar në themel. Sot nuk mund të thotë kush, as vetë ai, që familja e tij është e varfër, si atëherë kur ishte President. Ai në këtë fillim të dytë e ka kuptuar, pas shembullit të siamezëve, se vetëm po të jesh i pasur, mund të jesh i sigurt, edhe kur të mos jesh në pushtet. E pikërisht kjo situatë e re, ky "fillim i ri", kjo "Shqipëri që ka ndryshuar" brenda familjes së tij, kërkon garanci e siguri për të nesërmen, sigurisht jo vetëm politike, ndaj ka për ta qenë tejet i vështirë largimi dhe çmontimi i tij dhe i skotës së tij në vitin 2013!
Ndoshta ka për të qenë edhe më i vështirë se në vitin 1997! Nuk është lajthitje mësimi i kinezçes, as vizita në Azerbajxhan, as roli i "babait nacionalist" që po luan me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, sepse ai kësisoj do t'u thotë ndërkombëtarëve se do të jetë e vështirë të shkulet, pa bërë zullume të paparashikuara në rajon! Kjo strategji nuk mund të quhet "fillim i ri" apo jo?

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›