E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, thirrje prokurorëve: Kërkoni falje



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u bëri thirrje dje prokurorëve, por dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që të kërkojnë falje publike për krimet e komunizmit. Ajo pa nga afër ekspozitën e hapur në Shkodër në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit, teksa paralelizoi titullin e saj “M’shirë o Zot se kam gabue", për t’u kujtuar ish-xhelatëve të kohës së diktaturës që sot duhet të kërkojnë falje për krimet e komunizmit. Topalli siguroi se mazhoranca nuk do të lejojë njerëz të inkriminuar në postet kyçe të shtetit. Nga qyteti i Shkodrës, znj. Topalli tha se mazhoranca do të njohë vendimin e gjykatës, por nuk do të lërë me kaq çështjen me anëtarët e saj. Ajo përmendi: “Nga gjykatësit që kanë dënuar me varje, pushkatim dhe internim dhe që kanë zhdukur ndër pjesët më elitare të shoqërisë, kërkohet një ‘mea culpa’. Kjo është shkruar dhe në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Por është detyra jonë që duke qenë besimtarë të mëdhenj të shtetit ligjor, duhet të ecim përpara pa menduar se mund të tërhiqemi nga mea culpa nga bërja e transparencës dhe nga kërkesa se në postet kyçe të disa segmenteve të shtetit të mos kemi njerëz me të kaluar që kanë shkaktuar të tilla tmerre”, - deklaroi znj. Topalli. Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në çeljen e ekspozitës historike, e cila u hap në mjediset e Katedrales së Shkodrës, në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit. Topalli akuzoi: “Me vendimin për pezullimin e ligjit të lustracionit, Gjykata Kushtetuese ka qenë në konflikt interesi, por është detyra jonë që të mos tërhiqemi dhe të ecim përpara në rrugën e shtetit ligjor për të bërë transparencë”. Topalli bëri të qartë: “Gjykata Kushtetuese ka qenë në konflikt interesi për vendimin që ka marrë për pezullimin e ligjit të lustracionit”. “Por është detyra jonë, që duke qenë besimtarë të mëdhenj të shtetit ligjor, duhet të ecim përpara pa menduar se mund të tërhiqemi nga 'mea culpa', nga bërja e transparencës dhe nga kërkesa se në postet kyçe të disa segmenteve të shtetit të mos kemi njerëz me të kaluar që kanë shkaktuar të tilla tmerre”, - tha znj. Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›