Këshilli bashkiak, prefekti injoron vendimin e gjykatës

VLORË/ Hasan Halili është shprehur se nuk do të njohë vendimet me firmën e kryetarit të miratuar nga Apeli
VLORË - Prefekti i Vlorës nuk njeh vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me kryetarin e Këshillit Bashkiak të qytetit bregdetar. Pavarësisht se togat e zeza kanë vendosur se zgjedhja e kryetarit Kujtim Sulçe, i krahut të majtë ka qenë në përputhje me ligjin, një gjë e tillë nuk ka bindur prefektin Hasan Halili, i cili ka reaguar duke thënë se nuk do të firmosë asnjë vendim të këshillit bashkiak që do të ketë në të firmën e Sulçes si kryetar. Duke dalë mbi gjyqësorin, prefektin rrezikon vendimet e këshillit bashkiak të Vlorës. Reagimi i Halilit ka ardhur pas zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak ditën e enjte. Pas zhvillimeve në të, prefekti i Vlorës u shpreh: "Nuk firmos vendimet nëse do të kenë firmën e Sulçes, - tha ai, duke e cilësuar kryetarin e miratuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës si ilegjitim. - Ne kemi çuar për procedurë gjyqësore vendimet e mëparshme, ndërkohë që nuk kemi asnjë përgjigje të zyrtarizuar nga Apeli i Vlorës. Edhe nëse ai është shprehur pro vendimit të marrë të këshillit bashkiak të muajit shtator të vitit të kaluar (ku Kujtim Sulçe i PS-së u zgjodh kryetar, duke çuar njëkohësisht edhe në shkarkimin e ish-kreut që i përkiste LSI-së), ne këtij vendimi do t'i bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë", u shpreh Hasan Halili. Por, pavarësisht deklarimit për të mos njohur vendimin e gjyqësorit, çuditërisht prefekti i Vlorës tha se ai ishte në drejtimin e institucionit të prefekturës për të zbatuar ligjin dhe nuk do të lejonte askënd të dilte jashtë kuadrit të tij.
"Jam legjitim dhe prefektura duhet të pranojë vendimet e gjyqësorit" është shprehur paskësaj kryetari i këshillit bashkiak, Kujtim Sulçe. Ai tha se në momentin kur ka një vendim gjykate, prefektura duhej thjesht ta pranojë. "Ky nuk është presion, - vijoi ai, - por thjesht kujtesë për të operuar sipas ligjit, aq më tepër që ka një shprehje të vendimit nëpërmjet gjyqësorit dhe ky ishte një akt me karakter individual". Sulçe i ka kujtuar prefektit qëndrimin e kryeministrit Berisha në lidhje me hapjen e kutive. "Është një çështje shumë herë më e madhe dhe Kryeministri Berisha po mbahet fort pas gjyqësorit, - tha Sulçe. - Me këtë dua t'i kujtoj prefektit të mos operojë me dy standarde, por thjesht të respektojë ligjin dhe vendimet e gjykatës".
Debati mbi kryetarin e këshillit ka zënë të enjten pjesën më të madhe të debatit në këshillin bashkiak të Vlorës. Pas braktisjes nga këshilltarët e djathtë, mbledhja ka vijuar me këshilltarët e tjerë, të cilët kanë miratuar me shumicë pesë projekt vendime, të cilat tashmë presin shprehjen e ligjshmërisë nga prefektura.
Në një konferencë të dhënë nga këshilltarët e djathtë të enjten, ata thanë se do të vijojnë t'i drejtohen gjyqësorit për vendimet e miratuara, ndërkohë që kolapsi është rikthyer në këshillin bashkiak të Vlorës. Ngërçi për kryetarin e këshillit bashkiak nisi në muajin shtator të vitit të kaluar, ku e majta me shumicë votash shkarkoi kryetarin që i përkiste LSI-së dhe zgjodhi Kujtim Sulçen e PS-së. çështja shkoi në Gjykatën e Faktit e pastaj në Apel, ku ky i fundit e quajti vendimin e marrë të ligjshëm.