E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeneralet "sherr" per lejimin e Delijorgjit ne Gerdec

GËRDEC


TIRANË- Seanca e 41 gjyqësore në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, ka vijuar dje me dëgjimin e dëshmisë së ish-Komandantit të Forcave Ajrore gjeneral Astrit Jaupi, i cili akuzoi direkt Komandantin e Forcës së Bashkuar të pandehurin gjeneral Shpëtim Spahiu, për "urdhrin" verbal të hapjes së dyerve të ish-repartit të tankeve në Gërdec, për firmën e Mihal Delijorgjit pa një kontratë apo urdhër me shkrim. Ndërsa vetë gjeneral Spahiu, i pranishëm në sallën e gjyqit, e mohoi në mënyrë kategorike këtë "urdhër", duke i cilësuar deklarimet e Jaupajt si arsye të shmangies së përgjegjësisë së tij në këtë rast. Sipas gjeneral Jaupajt ka qenë data 28 prill 2007 kur dy persona i janë afruar postbllokut të ish-repartit ushtarak në Gërdec, duke i kërkuar oficerit roje të hynin brenda repartit për të kryer matje, pasi kishin marr leje në Komandën e Forcës së Bashkuar. Për këtë rast, sipas Jaupaj, ishte lajmëruara nga ish-komandant Mehmet Metko.

"Sapo më njoftoi komandanti Metko, morra në telefon gjeneral Shpëtim Spahiun për ta pyetur për rastin e lejes së pretenduar nga dy personat e një firme private ndërtimi. Ka qenë ditë e shtunë kur Spahiu më tha në telefon, "urdhëroi të lejohen të hyjnë për të bërë disa matje, pasi është për të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes e ndërmarrjes MEICO, pasi aty do punojnë ca amerikanë dhe të hënën do ta nis urdhrin". Pas këtij komunikimi dhe urdhri të Spahiut kam urdhëruar vartësit t'i lejojnë të hyjnë dhe bëjnë matjen. Ata dy kishin bërë matjen e vendin dhe të nesërmen kishin dërguar disa punëtor dhe mjete të rënda për fillimin e sheshimit të vendimit dhe rrëzimin disa objekteve. Për çdo punë që kryej dhe prishej ndonjë ndërtesë është mbajt shënim në raportin ditor të oficerëve roje. Të hënën urdhri nuk erdhi dhe aty punonin punëtorët e firmës së ndërtimit. Duke parë se urdhri nuk po vinte kam kontaktuar edhe disa herë tjera me gjeneral Spahiun dhe më ka urdhëruar të vazhdojnë punimet se urdhri do i shkonte. Por, urdhri nuk dukej gjëkundi, duke më detyruar t'i dërgoi disa shkresa për t'i kërkuar urdhrin. Ky urdhër nuk erdhi asnjëherë, përveç se një kontratë e cila më erdhi në fund të qershorit, ku shkruhej se kompania private kishte marr me qera mbi 220 m2 shesh dhe 80 m2 ndërtim, por realisht aty ajo kompania kishte marr më shumë. Ndërsa, në tetor ky repart me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i ka kaluar për kompetencë ndërmarrjes MEICO-"-tha Jaupaj.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit mbrojtës të të pandehurit Shpëtim Spahiu dhe vetë këtij të fundit, duke mohuar akuzat. "Unë nuk kam dhënë asnjë urdhër, as me shkrim dhe as me gojë që të lejohej kompania private të fillonte punimet në datë 28 prill 2007, pa kontratë, e aq më pak të kem dhënë një urdhër të tillë për të favorizuar kompaninë "Albademil". Çdo urdhër të lëshuar nga unë gojarisht është bërë edhe me anë të shkresës zyrtare më pas, por në këtë rast nuk kemi ndonjë urdhër me shkrim, që nuk ishte në praktikën time të punës. Këto deklarime të gjeneral Jaupajt kanë bërë për të shmangur përgjegjësinë e tij, pasi ishte komanda nën drejtimin e tij që ishte përgjegjëse për këtë ish-repart të tankeve"-tha Spahiu, duke i cilësuar absurde pretendimet e Jaupajt i cili gjatë dëshmisë së tij, i kujtoi gjeneral Spahiut disa komunikime të kryera me telefon dhe në takime të ndryshme për këtë çështje. Sipas akuzës, firma ndërtimit është lejuar të kryente punime në ish-repartin e tankeve pa pasur një urdhër apo kontratë qiraje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë private të drejtuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji.



Spahiu pranon se ka qenë në Gërdec, ku është takuar me Pinarin
"Deklarimi i dëshmitarit Allushi se kam shkuar në Gërdec është i vërtetë. Arsyeja ka qenë takimi me Ylli Pinarin, pasi po diskutonim në Komandën e Forcës së Bashkuar për dërgimin e një helikopteri, për riparim në Zvicër, veprim, që pas planizimit tonë, MEICO do të ndiqte kontratën. Ka qenë e shtunë e muajit Korrik, datën nuk e mbaj mend, ishte shumë vapë, isha duke shkuar për në Durrës, sepse e kishim lënë të bënim këtë diskutim. Në fundjavë nëse shkonim në punë visheshim civil. Sa u nisa nga Tirana, Pinari më tha "më tako se jam rrugës në Gërdec". Në kohë të shkurtër, bisedova me të. Aty ishte edhe Mihal Delijorgji dhe një amerikan me të cilët u përshendeta dhe folëm shkurt. Kur isha duke ikur pyeta: "ka ushtarak këtu" dhe ata lajmëruan Allushin, në bisedë me të, i thashë që "ju ruani vetëm pronën". Ai mu përgjigj, :Si urdhëron", dhe pastaj unë u largova në komandë"-tha Spahiu në deklaratën e tij para togave të zeza.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›