Fillimi shtatorit, fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Kryeministri Thaçi ka shtuar se në bashkëpunim të ngushtë edhe me Grupin Drejtues Ndërkombëtar, punët po rrjedhin sipas planit të paraparë.
“Theksoj se të gjitha përgatitjet për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë të Kosovës, që do të ndodh në fillim të shtatorit, janë duke shkuar sipas planit, në një koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, me Grupin Drejtues Ndërkombëtar mbështetës për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke i kryer çdo ditë obligimet e veta që dalin karshi këtij procesi të rëndësishëm të mëvetësisë së plotë të shtetit tonë dhe marrjen e përgjegjësive të plota nga ana e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu ka shtuar se janë duke u koordinuar si Qeveri e Kosovës, Kuvend, Presidencë dhe me gjithë spektrin politik, që ky proces të jetë një sukses i përbashkët, një realitet i ri, të cilin po e krijojnë bashkërisht, siç tha ai një kapitull të ri të perspektivës konkrete evropiane për Republikën e Kosovës.
Ai ka shfaqur shpresën se vlerësimi në mbledhjen e fundit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar që do të mbahet në fillit të shtatorit në Prishtinë, vlerësimi i tij të dalë për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ku më pas ky proces do të përcillet edhe me ndryshime kushtetuese.
E nga ana tjetër, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është e lidhur ngushtë edhe me misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në mbledhjen e Qeverisë ka folur rreth letërkëmbimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe baroneshës Ashton, në të cilën letër Kuçi ka thënë se janë diskutuar disa pika bazë që lidhen me misionet ndërkombëtare në Kosovë.
“Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë lidhet ngushtë edhe me misionet e tjera ndërkombëtare që funksionojnë në Kosovë dhe në këtë drejtim edhe me misionin e EULEX-it. Të enjten e kaluar kemi kthyer letrën tonë në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës për institucionet e BE-së dhe kemi theksuar disa pika bazë, të cilat me lejoni t’i theksoj edhe njëherë: është theksuar që në fillim të letrës baza legale, ku është përjashtuar në tërësi Rezoluta 1244 dhe është paraparë 17 shkurti 2008 dhe 4 shkurti i vitin 2008 që është Këshilli i Ministrave të BE-së”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se si çështje e dytë në këtë drejtim ka të bëjë me kohën e mandatit të BE-së, të EULEX-it në Kosovë. Kuçi ka shtuar se Qeveria ka propozuar që 14 qershorin të vitin 2014, ku me këtë datë parashihet përfundimi i këtij mandati dhe, sipas tij, kjo përputhet në tërësi me vendimin e BE-së që e ka dhënë më herët për vazhdimin e mandatit për EULEX-in edhe për dy vjet.
Lidhur me datën e përfundimit të mandatit të EULEX-it, Kuçi ka thënë se kanë përafrime me ndërkombëtarët, por ka shtuar se institucionet e Kosovës mendojnë se kjo datë nuk është e negociueshme.
Si çështje të tretë Kuçi ka thënë se është emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku sipas tij, Qeveria ka kërkuar dhe beson se duhet të miratohet kërkesa që Presidentja e Kosovës ta bëjë miratimin për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it që vijnë në Kosovë.
Po ashtu, Kuçi si çështje të katërt ka përmendur armëmbajtjen e të gjithë pjesëtarëve të EULEX-it, ku për të cilën gjë ai ka thënë se duhet ta informojnë Ministrin e Punëve të Brendshme për listën e personale.
Lidhur me letërkëmbimet në mes institucioneve të vendit dhe të atyre të BE-së, Kuçi ka thënë se kjo duhet të jenë çështje bilaterale dhe jo të bëhet në mënyrë të njëanshme. Ai shtoi se marrëveshjet ndërinstitucionale që do të arrihen me BE-në, ato do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës për t’u miratuar me 2/3 e deputetëve.
“Kjo duhet të jetë një marrëveshje bilaterale, apo shkëmbim bilateral i letrave dhe jo i njëanshëm, qoftë nga Republika e Kosovës për BE-në, apo qoftë nga BE-ja për Republikën e Kosovës dhe theksi i veçantë që është theksuar edhe në letër dhe ka pajtueshmëri të plotë është miratimi i kësaj letre në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve, që do të thotë të japim një pjesë të sovranitetit të vendit tonë për mision ndërkombëtar dhe kjo pjesë e sovranitetit ka të drejtë sipas nenit 20 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ta bëjë vetëm Kuvendi i Republikës dhe atë me 2/3 e Kuvendit”, ka thënë Kuçi./kosovapress/