Fillimisht ndërtesa, më pas katet nëntokësore Kjo ndodh në Kinë

Foto e postuar nga banori i pallatit te sapondertuar
Punëtorët e ndërtimit që kanë përfunduar një bllok apartamentesh në Kinë i kanë lënë me gojë hapur banorët kur kanë nisur të gërmojnë oborrin për të ndërtuar një parking nëntokësor.
I shqetësuar për jetën që i vihet në rrezik, një prej banorëve ka postuar në rrjetet sociale fotografi të procesit të punës.
Liang Lung u shpreh se e mori vendimin për ti publikuar fotot, pasi pa se si oborri i pallatit nisi të shndërrohej në një gropë 3 metër të thellë, nga e cila nxirrej vazhdimisht dhé për ti hapur vend parkingut nëntokësor.
Të gjithë e dimë se katet nëntokësore të parkimit dhe apartamentet ndërtohen në të njëjtën kohë. Por të gërmosh pranë themeleve, pasi është përfunduar e tërë godina, kjo është si ta kërkosh vetë tragjedinë, tha ai.
Një nga banorët e parë të bllokut të pallateve, Liang, vendosi të largohet nga apartamenti i tij derisa të sigurohet përfundimisht se ndërtesa do ti mbijetojë shtesës së re.
Ata nuk do ta përfundojnë para nisjes së sezonit të reshjeve. Nuk i dihet sa çfarë mund të ndodhë. Unë bëra fotografitë dhe i publikova ato online për të ngritur alarmin për rrezikun në të cilin vihen jetët tona, thotë ai.
Sektori kinez i ndërtimeve është përfshirë disa herë në skandale vitet e fundit, kur ndërtesa shumëkatëshe janë shembur menjëherë pas përfundimit, për shkak të planifikimit të dobët të ndërtimit.
Në vitin 2009, një ndërtesë 13-katëshe, pothuajse e përfunduar, u shemb në Shangai, duke lënë të vdekur një punëtor. / Daily Mail / Përgatiti: Gazmira Ndoja