E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filloi fushata për krasitjen e Prishtinës

Krahas fushatës së ashpër me akuza e kundërakuza mes kandidatëve për kryetar të Prishtinës, ku shihet se rëndësi për ta kanë vetëm votat e qytetarëve, këtë periudhë kohore kanë nisur fushatën e tyre edhe personat e papërgjegjshëm, të cilët pa ndonjë arsyeje të logjikshme kanë prerë në qendrën e Prishtinës një lis të vjetër mbi 30 vjet e të lartë mbi 20 metra.

Nuk është hera e parë që në Prishtinë, kryeqytetin që njihet më shumë për beton, hekur dhe pluhur e baltë dhe jo për hapësira gjelbëruese, qytetarë të papërgjegjshëm shfrytëzojnë situatën për të prerë edhe ata pak drurë që kanë mbetur në këmbë.

Kësaj radhe prerja e një lisi mbi 20 metra të gjatë ka ndodhur jo larg qendrës së kryeqytetit, përkatësisht shumë pranë Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Banorët e lagjes pohojnë se prerjen e lisit e ka nisur qysh dje pasdite, ndërsa që është prerë komplet gjatë orëve të mëngjesit.

Vlen të theksohet se derisa kandidatët për kryetar të Prishtinës shkëmbejnë akuza e kundërakuza politike dhe shtyhen se cili nga ta do të bëjë Prishtinën më të bukur, asnjëri prej tyre gjatë tërë ditës, e deri në mbrëmje nuk e ka përmendur lisin e prerë dhe këtë dukuri të shëmtuar. /Kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›