E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me thikë 25-vjeçari shqiptar, dyshohet për trafikun e narkotikëve



Një emigrant shqiptar, 25 vjeç, është vrarë me thikë në Itali, pas një konflikti që dyshohet të ketë nisur pas mosmarrëveshjeve për trafikun e lëndëve narkotike.

Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në qytetin e Bolonjës, ndërkohë që agjentët italianë bënë të mundur identifikimin e të riut nga Vlora vetëm ditën e djeshme. Sipas mediave italiane, ai është Ardit Myrtaj nga fshati Trevllazër i rrethit bregdetar.

I riu është gjetur i plagosur në një klub në qytetin emilian, për të humbur më pas jetën si pasojë e plagëve të marra.

Hetimet

Prej dy ditësh, grupi hetimor po punonte për zbulimin e identitetit të 25-vjeçarit. Viktimës nuk iu gjetën në trup dokumente identifikimi që mund të zbardhnin identitetin e tij. Ai u arrit të gjendej vetëm ditën e djeshme nga grupi i punës si kryesuar nga prokurori i çështjes, Luca Tampieri. Sipas mediave italiane, 25-vjeçari ishte person me precedentë penalë. Ai kishte qenë në burg i dënuar për trafik të lëndëve narkotike në Itali dhe kishte mbaruar dënimin në fund të vitit 2008. Dyshohet se edhe vrasja mund të ketë ardhur pas një konflikti të mundshëm për trafikun e lëndëve narkotike dhe prishjes së ndonjë pazari.

Sipas mediave italiane, 25-vjeçari u gjet jashtë lokalit “Willy il Coyote”, i vendosur mes rrugës “Viola” dhe “Emilia Ponente” në Bolonja. Ndaj tij u dha ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e qytetit. Por, si pasojë e plagëve të marra, ai nuk arriti të mbijetonte. Viktima kishte marrë plagë në shpinë, shpatullën e majtë dhe afër zemrës, të shkaktuara nga goditja me thikë. Goditja afër zemrës mund t’i ketë shkaktuar atij vdekjen, si pasojë e humbjes së madhe të gjakut.

Sipas hetimeve, Myrtaj është goditur brenda në klub dhe më pas ai ka tentuar të dalë jashtë nga një derë tjetër. Karabinierët kanë marrë në pyetje punonjësit e lokalit në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›