Filloi procesi kundër gjeneralëve turqë
Për herë të parë në Turqi, një gjeneral në detyrë po del para një gjykate civile.
Gjenerali dhe oficerë të tjerë të lartë janë akuzuar për përpjekje për rrëzimin e qeverisë, përmes një komploti të dyshuar të quajtur “Ergenekon”.
Prokurorët pretendojnë se hetimi kërkon t’i japë fund pazarllëqeve politike në ushtri.
Gjenerali Bilgin Balanli ka dalë para gjykatës civile, së bashku me 27 të tjerë nën akuzat se kanë kërkuar të rrëzojnë qeverinë.
Nëse gjenden fajtor, oficerët përballen me deri 20 vjet burg. Qindra oficerë të ushtrisë janë ndaluar si pjesë e hetimeve.
Gazeta e përditshme turke Taraf, ka qenë në ballë të ekspozimit të akuzave. Zëvendës- redaktori, Yasmin Congar, thotë se hetimi është çelësi për spastrimin e politikës turke nga ndërhyrjet e gjeneralëve.
“Është shumë e rëndësishme, sepse është thjeshtë zbulim i baltës brenda shtetit dhe zbulimi i institucioneve sekrete, organizatave sekrete që dyshohen se janë pas shumë e shumë krimeve në këtë vend”, theksoi Congar.
Prokurorët pretendojnë se kishte një plan të përpunuar për të shkaktuar kaos në vend, përfshi provokimin e konfliktit me Greqinë fqinje dhe bombardimin e xhamive në Turqi.
Ushtria ka një traditë të gjatë për ndërhyrjet në politikë, duke rrëzuar katër qeveri që nga viti 1960.
Por analisti politik dhe gjenerali në pension, Haldun Solmazturk, thonë se hetimet janë një gjueti politike shtrigash, e nxitur nga qeveria.